Deputetja turke vetëprangoset në Parlament

Bota

Deputetja turke vetëprangoset në Parlament

Më: 19 janar 2017 Në ora: 19:58
Aylin Nazliaka

Parlamenti turk ka miratuar ndryshimet kushtetuese që zgjerojnë kompetencat e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, çka pritet t’i hapë rrugë një referendumi historik në vend që pritet të zhvillohet në pranverë. Parlamenti ka miratuar të sot (19 janar), ndryshimet në 7 nene të Kushtetutës, ndërsa pjesa tjetër e neneve të mbetura pritet të miratohen të premten.

Gjatë seancës parlamentare, Aylin Nazliaka, një ligjvënëse e pavarur, i ka vënë prangat vetes në foltoren e Parlamentit duke u lidhur në tribunë me mikrofonin e palëvizshëm në shenjë proteste kundër reformave të ndërmarra që e çojnë vendin në republikë presidenciale.

Veprimi ka detyruar drejtuesin e Parlamentit që të ndërpresë seancën për më shumë se një orë.

“Kërkoj fjalën prej një viti e gjysmë dhe nuk ma keni dhënë. Tani nuk po protestoj për të marrë fjalën, por kundër kësaj pakete kushtetuese anti-demokratike. Nuk e pranoj propozimin tuaj”, tha deputetja duke iu përgjigjur një kolegut të saj të partisë në pushtet, i cili i tha se mund të merrte fjalën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat