Koha e akullt mes SHBA e Egjiptit kaloi

Bota

Koha e akullt mes SHBA e Egjiptit kaloi

Më: 4 prill 2017 Në ora: 08:16
Donald Trump dhe al-Sisi

Presidenti i SHBA Trump e priti Presidentin Egjiptian Al-Sisi në Shtëpinë e Bardhë. Pas ftohjes së raporteve mes dy vendeve nën Barack Obaman, dy kryetarët e shteteve duan të intensifikojnë bashkëpunimin.

Presidenti i SHBA, Donald Trump e përshëndeti shumë përzemërsisht Presidentin e Egjiptit, al-Sisi, gati si një mik të vjetër. Që në takimin e tyre të parë para zgjedhjes ai kishte konstatuar përbashkësi me Presidentin egjiptin, lëvdoi Trump. Duke pasur parasysh kritikët e al-Sisit në grupet e të drejtave të njeriut, Trump tha: "Ne e mbështesim plotësisht Presidentin al-Sisi. Ai ka bërë një punë të shkëlqyer në një situatë shumë të vështirë."

Qeveria e SHBA do ta mbështesë fort Egjiptin, premtoi Trump: "Tek SHBA dhe te unë ju keni një mik të madh dhe një aleat". Trump theksoi se pret një miqësi të gjatë dhe të fortë. Nga ana e tij, Presidenti egjiptian theksoi se ai ka prej kohësh një adhurim të thellë për "personalitetin e fortë" të Presidentit Trump dhe për qndrimin e tij të fortë kundër terroristëve islamikë. Egjipti do ta mbështesë Trumpin në këtë luftë, u shpreh al-Sisi.

Që pas takimit të parë në shtator në Nju Jork, Trumpi e pati quajtur Presidentin egjiptian "tip fantastik". Al-Sisi ia ktheu nderin për fjalët miqësore të Trumpit me të njëjtën mënyrë. Pas fitores në zgjedhje ai ishte kryetari i parë i huaj i shtetit që e uroi Trumpin për fitoren në zgjedhje. Në janar, al-Sisi tha se e vlerësonte personalitetin e Trumpit. "Problemet në rajonin tonë ai do t'i trajtojë me angazhim më të madh dhe më fort. SHBA luajnë një rol strategjik në rajon dhe në botë - unë nuk shoh pakësim të këtij roli."

Vlerësime reciproke

Eksperti egjiptian për Lindjen e Afërme, Said Sadek nuk u çudit në shtator kur dëgjoi fjalët e Trumpit. "Trumpi konstatoi se al-Sisi është burrë i fortë dhe atij i pëlqejnë burrat e fortë. Ndoshta Trumpi dëshiron të bashkëpunojë me al-Sisin në luftimin e terrorizmit në Sinain Verior, në Libi dhe në vende të tjera."

Por jo të gjithë egjiptianët janë të lumtur me këtë burrë të ri në Shtëpinë e Bardhë. "Që në krye Trumpi pati thënë se është kundër arabëve, se do të pengojë që në vend të futen arabë - njësoj si myslimanë", thotë një kalimtar i pakënaqur.

Abdel Fattah al-Sisi është shefi i parë i shtetit egjiptian që prej vitit 2009, i cili ftohet në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i SHBA, Barack Obama pati qendruar i distancuar nga al-Sisi. Pasi ushtria egjiptiane shkarkoi në vitin 2013 Mohammed Mursin, Presidentin e parë të vendit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Obama madje ndaloi përkohësisht edhe shitjet e disa llojeve të armëve.

Por edhe nën Trumpin, duket se ndihma e përvitshme ushtarake për Egjiptin, në shumën prej 1,3 miliardë dollarësh duket në rrezik. Siç bën të ditur gazeta New York Times, qeveria e re e SHBA po e rishqyrton këtë mbështetje, në kuadër të një shkurtimi të përgjithshëm të pagesave ndaj qeverive të huaja dhe organizatave të ndihmës. Në takime al-Sisi do të ngulë këmbë që Trumpi të mos i bëjë shkurtimet në rastin e Egjiptit./DW/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat