Trump telefonon Putinin pas shpërthimit në Shën Petersburg

Bota

Trump telefonon Putinin pas shpërthimit në Shën Petersburg

Më: 4 prill 2017 Në ora: 12:23
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe presidenti rus, Vladimir Putin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka biseduar në telefon me homologun rus, Vladimir Putin, ku i ka ofruar “mbështetjen e plotë” të SHBA-së, pas shpërthimit vdekjeprurës në metronë në Shën Petersburg, ku u vranë 11 persona dhe u plagosën 51 të tjerë.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar të hënën në mbrëmje se Trump i ka premtuar Putinit “mbështetje të plotë të qeverisë amerikane, në përgjigje për sulmin, në mënyrë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë”.

“Trump dhe presidenti Putin janë pajtuar se terrorizmi duhet të mposhtet shpejt dhe me vendosmëri të plotë”, ka thënë në një deklaratë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Peskov ka thënë se Trump “ka shprehur ngushëllime” për familjarët e të prekurve nga ky shpërthim.

Ende askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por mediat ruse janë duke raportuar se autoritet po dyshojnë se ky ishte sulm terrorist.

Detajet nga hetimet që po zhvillohen ende nuk janë të qartë dhe teori të ndryshme, lidhur me shpërthimin e së hënës janë duke qarkulluar në media.

Agjencia Interfax ka raportuar se policia dyshon se shpërthimi është ktyer nga një 23-vjeçar, që besohet se ka qenë “sulmues vetëvrasës”.

Po ashtu kjo agjenci, citon një zyrtar të paidentifikuar të sigurisë, që ka thënë se i dyshuari besohet se ka bartur mjetin shpërthyes në një çantë.

Ndërkaq, agjencia TASS ka raportuar se njëri nga dy të dyshuarit për këtë shpërthim, është një burrë nga Azia Qendore që ka lidhje me grupet radikale islamike.

Thuhet po ashtu se edhe një grua, gjithashtu nga Azia Qendore, në njëfarë mënyre, mund të jetë e përfshirë në shpërthimin, megjithatë këto raportime ende nuk janë konfirmuar.

Komiteti kombëtar anti-terror ka thënë se është duke kërkuar për “sulmuesit apo organizatorët e sulmit terrorist”.

Ministrja e Shëndetësisë, Veronica Skvortsova, ka thënë se katër nga të plagosurit janë në gjendje kritike.

Shpërthimi ndodhi më 3 prill, teksa një tren ishte duke udhëtuar ndërmjet dy stacioneve të metrosë në Shën Petersburg.

Një zëdhënës i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë, Aleksandr Kurennoi, fillimisht e quajti shpërthimin akt terrorist, por më vonë tha se është ende herët, që për këtë ngjarje, të bëjë ndonjë koment përfundimtar.

Rreth dy parë pas shpërthimit, një bombë e prodhuar në kushte shtëpie, u gjet në një tjetër stacion të metrosë. Autoritet arritën ta ç’aktivizonin me kohë atë.

Mediat ruse thonë se policia është duke e kërkuar një person, i cili është kapur nga kamerat e sigurisë.

Shumë nga të plagosurit e shpërthimit, kanë plagë që duket se janë shkaktuar nga copëza të predhës, kanë raportuar mediat.

Agjencitë e sigurisë kanë konfirmuar se mjeti shpërthyes ka pasur pjesë të predhave dhe agjencia Interfax ka thënë se mjeti shpërthyes ka peshuar 1 kilogram.

Natalya Kirillova ka thënë se ajo ishte ulur në fund të një vagoni të metrosë, kur ndodhi shpërthimi. Sipas asaj, duket se mjeti shpërthyes mund të ketë qenë i vendosur në platformën që lidh dy vagonët e metrosë.

Ajo ka thënë se e ka parë telefonin e saj, pasi frikësohej se do të vonohej për një takim që kishte në orën 15:00.

“Në atë moment ndodhi shpërthimi. Isha e ulur pranë një mbajtëse të hekurit dhe besoj që kjo gjë më ka shpëtuar”, ka thënë ajo për Current Time. “Të gjithë u rrëzuan në anën e djathtë, jo në tokë, por në ulëset e tyre”.

“Ka pasur shumë gra dhe fëmijë në atë vagon. Një gjyshe dhe fëmijët e saj ishin përballë meje. Ajo ishte me fat sepse vetëm u rrëzua por nuk u lëndua”, ka treguar ajo.

Krillova tregon se pas shpërthimit, metroja vazhdojë rrugën për në stacionin e radhës, ku ajo dhe pasagjerët e tjerë, u detyruan që të dalin nga dritaret sepse dyert ishin të prishura.

Komitetit anti-terror ka thënë se shpërthimi ka ndodhur ndërmjet stacioneve Tekhnologichesky Institut dhe Sennaya Ploshchad, në orën 14:40 sipas kohës lokale.

Pas kësaj, të gjitha stacionet e metrosë në Shën Petërsburg u mbyllën dhe disa linja u hapën disa orë më pas.

Sulmuesit vetëvrasës, në dy dekadat e fundit, kanë goditur qytete të ndryshme të Rusisë. Kryengritësit me bazë në Çeçeni dhe vende të tjera të rajonit rus të Kaukazit Veriror shpesh janë fajësuar për to por edhe kanë marrë përgjegjësinë për sulmet.

Një sulm vdekjeprurës në sistemin e metrosë në Rusi ka ndodhur në Moskë në mars të 2010-ës, ku ndodhën shpërthime në dy stacione. Në ato sulme u vranë 33 persona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat