Politika e jashtme e Presidentit Trump - Bota Sot
Politika e jashtme e Presidentit Trump

Bota

E hënë, 24 shtator 2018

Politika e jashtme e Presidentit Trump

Më: 12 prill 2017 Në ora: 07:22
Presidenti amerikan Donald Trump

Këtë javë, presidenti Trump ripozicionoi një grup aeroplanmbajtësesh për të dërguar një mesazh tek udhëheqësi koreano-verior Kim Jong Un. Lëvizjet kanë shtruar pyetjen: a po largohet presidenti Trump nga qëndrimi i tij i politikës së jashtme “Amerika e Para”, drejt një qëndrimi më në qendër? Korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Gallo njofton.

Vetëm një javë më parë, presidenti amerikan Donald Trump bëri të njëjtin premtim si me qindra herë gjatë fushatës.

“Nuk jam dhe nuk dua të jem presidenti i botës. Jam president i Shteteve të Bashkuara dhe tani e tutje Amerika do të jetë e para.”

Por ishte një javë kur politika “Amerika e Para” e zotit Trump u sfidua nga problemet në botë.

Në Siri, një sulm i dyshuar kimik nxiti zotin Trump të ndërmarrë sulme ajrore kundër qeverisë së presidentit Bashar al-Assad, duke i futur Shtetet e Bashkuara më në brendësi të luftës së përgjakshme civile gjashtë vjeçare atje.

Në Azi, aeroplanmbajtësja USS Carl Vinson lundroi drejt Koresë së Veriut.Një mesazh i fuqishëm për udhëheqësin autoritar Kim Jong Un.

Në Shtëpinë e Bardhë, një tjetër ndryshim, me heqjen e këshilltarit nacionalist të zotit Trump, Steve Bannon nga posti i lartë i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Lëvizja u vlerësua nga një numër figurash të politikës së jashtme, disa prej të cilëve po shtrojnë pyetjen: a po zhvendoset zoti Trump drejt një politike të jashtme më ndërhyrëse?

Do të ishte gabim ta shihje atë si të tillë, thotë Jim Carafano, i cili ka punuar me ekipin e tranzicionit të zotit Trump.

“Nuk mendoj se është një politikë e jashtme ndërhyrëse. Ajo që po demonstron presidenti është gadishmëria për të ndërhyrë aty ku preken interesat amerikane.”

Zoti Carafano, thotë se ka një ndryshim nga presidenti Barack Obama, i cili ishte më i përmbajtur të përdorte forcën në botë dhe George W. Bush, i cili është akuzuar se ndërhynte më shumë se ç’duhej.

Nga ana e tyre, zyrtarët e administratës Trump thonë se sulmet në Siri nuk përfaqësojnë një kthim tek politika e ndryshimit të regjimeve.

P.J. Crowley, ish zyrtar në Departamentin e Shtetit gjatë presidentit Obama thotë se kjo është zgjuarësi.

“Presidenti Trump u zgjodh për të ndrequr problemet në Amerikë. Ai nuk u zgjodh për të ndrequr problemet në Siri. Kjo është arsyeja që Shtëpia e Bardhë po sinjalizon dukshëmse pavarësisht gadishmërisë së presidentit për të ndërmarrë veprime ushtarake, ai do të vazhdojë të jetë shumë skeptik për t’i futur Shtetet e Bashkuara në thellësi të një lufte civile për të cilën nuk ka zgjidhje ushtarake.”

Sekretari i Shtypit Sean Spicer tha se lëvizjet e javës së fundit janë “ekzagjeruar” nga media dhe se njoftimet për riorganizim në Shtëpinë e Bardhë janë të pasakta.

“I vetmi që po riorganizohet është Uashingtoni..”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test