Këshilltari i Trumpit ka takuar zv/kryeministrin rus gjatë fushatës

Bota

Këshilltari i Trumpit ka takuar zv/kryeministrin rus gjatë fushatës

Më: 7 nëntor 2017 Në ora: 08:40
Carter Page

Një ish-këshilltar për politikë të jashtme i fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, ka pranuar para Kongresit se ka pasur kontakte me një zyrtar të lartë të Kremlinit, derisa ka qenë në një udhëtim në Rusi, vitin e kaluar.

Sipas transkriptit të publikuar, Carter Page, këshilltar i papaguar, i cili e ka lënë fushatën përpara se Trump të zgjidhej, i ka thënë Komitetit për Inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve se “shkurtimisht e ka përshëndetur” zëvendëskryeministrin rus, Arkady Dvorkovich, në korrik të vitit 2016, kur edhe ka qenë në Rusi për një fjalim.

Pas pyetjeve të përsëritura për kontaktet, të cilat Page i ka mohuar në të kaluarën, ai ka thënë se ka biseduar me Dvorkovichin pas fjalimit në Shkollën Ekonomike të Moskës.

“Ka qenë një bisedë e shkurtër. Ka qenë kënaqësi. Nuk mund t’i kujtoj fjalët e sakta që kam thënë”, ka thënë Page në dëshminë e tij.

Page, ish-bankier i kompanisë bankare Merrrill Lynch në Moskë, ka thënë se e ka parë Dvorkovichin edhe në një darkë, gjatë udhëtimit të tij të dytë në Rusi, në dhjetor të vitit 2016.

I pyetur nëse ai ka pasur takim privat me Dvorkovichin, Page është përgjigjur: “Kemi pasur, ai ka ndaluar në darkën në të cilën kam shkuar me njerëz të universitetit, në dhjetor”.

Dëshmia e Page është pjesë e hetimeve të Komitetit për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e kaluar, dhe për lidhjet e mundshme të ndihmësve të Trumpit me zyrtarët rusë. Rusia e ka mohuar ndërhyrjen, ndërsa Trump ka hedhur poshtë bashkëpunimin e fshehtë me Kremlinin.

Page ka dhënë dëshminë më 2 nëntor, por transkripti i intervistës me dyer të mbyllura është publikuar të hënën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat