Trump-Putin: Jo zgjidhje ushtarake në Siri

Bota

Trump-Putin: Jo zgjidhje ushtarake në Siri

Më: 11 nëntor 2017 Në ora: 12:39
Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu rus, Vladimir Putin ranë dakord me faktin se nuk ka zgjidhje ushtarake të mundshme për luftën në Siri, njoftoi Kremlini duke cituar një komunikatë të përbashkët.

“Presidentët pajtohen me faktin se për konfliktin në Siri nuk ka zgjidhje ushtarake dhe konfirmuan vendosmërinë e tyre për të mundur Shtetin Islamik”, thuhet në komunikatë.

Dy presidentët, gjatë këtij samiti në qytetin bregdetar të Danangut, në Vietnam, shkëmbyen dy herë një shtrëngim duarsh si dhe disa fjalë, por jo një takim kokë më kokë.

“Presidentët konfirmuan angazhimin e tyre për sovranitetin e Sirisë, pavarësisë së saj, unitetin, integritetin e saj territorial dhe u kërkuan të gjitha palëve të marrin pjesë në diskutimet e drejtuara nga OKB”, njoftoi Kremelini.

Rusia ka ndërmarrë në Siri një fushatë bombardimesh që prej vitit 2015, në mbështetje të presidentit Bashar al-Assad.

“Presidentët diskutuan gjithashtu mbi nevojë për të reduktuar vuajtjet njerëzore në Siri dhe u bënë thirrje të gjitha shteteve anëtare të OKB-së të rrisin kontributin e tyre për të plotësuar nevojat humanitare në muajt e ardhshëm”, përfundon komunikata e Kremlinit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat