Guterres: Shtetet të përgatiten për një lëvizje të gjerë emigrantësh

Bota

Guterres: Shtetet të përgatiten për një lëvizje të gjerë emigrantësh

Më: 11 janar 2018 Në ora: 18:24
Guterres

Shtetet anëtare të OKB-së duhet të përgatiten për të menaxhuar lëvizjet e mëdha emigrantësh, paralajmëroi sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në një raport të bërë publik sot.

“Ka një nevojë urgjente që shtetet anëtare të zhvillojnë një strategji për të menaxhuar lëvizje të mëdha emigrantësh”, thekson kreu i OKB-së në këtë dokument.

Sipas OKB-së, negociatat formale pritet të fillojnë në shkurt mbi këtë çështje, para se të zhvillohet në dhjetor një konference ndërqeveritare në Marok, për të miratuar këtë dokument.

Në fund të vitit 2017, SHBA njoftoi se do të tërhiqet nga përpunimi i Paktit mbi Emigrantët, për shkak të dispozitave që bien në kundërshtim me politikën e re të imigracionit të presidentit Donald Trump.

Për sekretarin e përgjithshëm, tre elemente të rëndësishme duhen marrë në konsideratë nga shtetet anëtare në përcaktimin e strategjisë, “së pari një qasje humanitare e mbështetur mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut, së dyti, burime financiare për të përcaktuar statusin e emigrantit, pasi është dhënë ndihma e parë humanitare dhe së treti, të gjenden mundësi të besueshme për emigrantët që nuk mund të marrin statusin e refugjatit ndërkohë që nuk janë në gjendje të kthehen në vendin e tyre të origjinës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat