Pas tarifave amerikane, ekonomistët paralajmërojnë për luftë tregtare

Bota

Pas tarifave amerikane, ekonomistët paralajmërojnë për luftë tregtare

Më: 9 mars 2018 Në ora: 18:18
Cecilia Malmstrom

Vendet partnere tregtare po kritikojnë tarifat e propozuara nga administrata Trump për importet e çelikut dhe aluminit në Shtetet e Bashkuara. Shumë analistë thonë se mund të shkohet drejt një lufte të re tregtare, e cila mund të dëmtojë jo vetëm ekonomitë e mëdha, por edhe vendet në zhvillim.

Donald Trump premtoi gjatë fushatës elektorale se do të mbrojë industrinë amerikane, e cila thotë se është shkatërruar nga importet e huaja të lira. Ndërsa administrata amerikane po përgatitet të përmbushë këtë premtim, partnerët tregtarë të Shteteve të Bashkuara u zotuan se do të kundërpërgjigjen.

Eksportet e aluminit kinez u rritën me mbi një të katërtën gjatë dy muajve të parë të këtij viti. 14% e tyre shkojnë drejt Shteteve të Bashkuara. Pekini paralajmëroi kundër tarifave të reja.

“Vetëm do të dëmtojnë të dyja palët. Kina do të japë patjetër një përgjigje të justifikuar dhe të domosdoshme”, deklaroi Wang Yi, Ministër i Jashtëm i Kinës.

Evropa gjithashtu ka kërcënuar se do të kundërpërgjigjet ndaj eksporteve amerikane.

“Në listë janë produkte çeliku, industriale, produkte bujqësore, disa lloje uiski, gjalpi i kikirikut, boronicat dhe lëngu i portokallit”, tha Cecilia Malmstrom, Komisionere e Bashkimit Evropian për Tregtinë.

Presidenti Trump thotë se industria e çelikut dhe e aluminit është thelbësore për sektorin e mbrojtjes dhe se tarifat nevojiten për të mbrojtur sigurinë kombëtare.

Organizata Botërore e Tregtisë përballet me një dilemë të vështirë.

“Gjykatësit e OBT-së mund të thonë se Shtetet e Bashkuara mund të veprojnë kështu për të mbrojtur sigurinë kombëtare. Kjo do të nxirrte jashtë loje të gjithë sistemin, pasi bazuar tek siguria kombëtare, mund të bëhet çdo gjë tjetër”, thotë Profesor Ken Shalden, i London School of Economics.

Zoti Shalden thotë se shumë vende u anëtarësuan në OBT në vitin 1994, me mirëkuptimin se tarifat e importeve në SHBA do të kishin një tavan maksimal.

“Jo të gjitha vendeve u pëlqenin marrëveshjet, por pranuan të bënin disa gjëra në këmbim të konçensioneve. Ndër konçensionet kryesore ishte se tarifat amerikane do të fiksoheshin në një nivel të ulët. Kështu u ra dakort në vitin 1994. Nëse tashmë, gati 25 vjet më pas, SHBA-ja thjesht vendos t’i eliminojë këto kufizime, atëherë kjo do të shkaktojë probleme serioze”, thotë Profesor Shalden, shkruan voa.

Evropa thotë se po koordinon veprimet me vende të tjera në mbarë botën për t’iu kundërpërgjigjur tarifave amerikane. Në sfond po shfaqet perspektiva e një lufte tregtare dhe shumë njerëz i frikësohen dëmeve ekonomike ndaj të gjitha palëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat