Vizita e kancelares Merkel në Uashington

Bota

Vizita e kancelares Merkel në Uashington

Më: 25 prill 2018 Në ora: 17:58
Angela Merkel

Presidenti amerikan, Donald Trump vlerësoi të martën forcën e partneritetit të Amerikës me Francën dhe miqësinë personale që ai ka krijuar me homologun e tij francez. Vizita e Presidentit Emmanuel Macron në Uashington do të pasohet me ardhjen e kancelares gjermane Angela Merkel më vonë këtë javë. Dhe, siç njofton korrespondenti Henry Ridgwell nga Londra, të dy udhëheqësit evropianë po lobojnë shumë që presidenti Trump të ndryshojë pozicionin e tij mbi tarifat tregtare dhe marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Ftesa e parë për vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë nën Presidentin Trump - iu dha homologut të tij francez Emmanuel Macron. Teorikisht, politika e tyre është shumë e ndryshme. Por personalisht, ata po krijojnë një marrëdhënie të ngrohtë.

"Miqësia e mrekullueshme që kemi zhvilluar gjatë vitit të kaluar, është provë për miqësinë e qëndrueshme që lidh dy kombet tona", tha presidenti Trump.

“Së bashku Shtetet e Bashkuara dhe Franca do të mposhtin terrorizmin. Së bashku do të ndalim përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, qoftë nga Korea e Veriut apo Irani", tha presidenti Macron.

Siguria është në zemër të kësaj marrëdhënie - forcuar nga sulmet ajrore të përbashkëta mbi objektivat në Siri pas sulmit të dyshuar me armë kimike të regjimit.

Gjermania nuk mori pjesë në këto sulme. Por kancelarja Angela Merkel do të theksojë rolin e vendit të saj si një aleat i sigurisë së Shteteve të Bashkuara gjatë vizitës së saj në Uashington.

"Një argument i rëndësishëm që Merkeli do t'i bëjë Trumpit është ndihma humanitare që Gjermania ka dhënë në konfliktin e Sirisë, numri i refugjatëve që ka marrë Gjermania, por edhe kontributin e Gjermanisë në Mali dhe Afganistan", thotë Sophia Besch me Qendrën për Reformat Evropiane.

Ndërsa ka unitet për Sirinë, ekzistojnë dallime të mëdha për Iranin. Presidenti Trump duhet të vendosë deri në 12 maj nëse do të braktisë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe do të imponojë sanksione mbi Teheranin. Franca dhe Gjermania po lobojnë shumë që Shtetet e Bashkuara t’i qëndrojnë marrëveshjes.

"Gjermania do të vëzhgojë nga afër që kjo marrëveshje të respektohet. Kjo nuk i zgjidh të gjitha problemet. Ne jemi shumë të shqetësuar për programin e raketave balistike të Iranit dhe prandaj po bisedojmë tani me Britaninë, Francën dhe Shtetet e Bashkuara se si të bëjmë përparim të mëtejshëm në këtë fushë", tha kancelarja Merkel.

Analistët thonë se kancelarja Merkel do ta ketë të vështirë t’ia ndryshojë mendjen Presidentit Trump.

"Ai është shumë kritik ndaj marrëveshjes dhe mendoj se evropianët duhet të mendojnë për një plan për një situatë ku Shtetet e Bashkuara në fakt nuk i përmbahen marrëveshjes. Dhe atyre do t’u duhet të mbajnë një situatë të qëndrueshme me vetë Iranin", thotë Sophia Besch.

Merkel do të kërkojë gjithashtu që Evropa të jetë përgjithonë e përjashtuar nga tarifat amerikane për importin e çelikut dhe aluminit - Tarifat e tanishme skadojnë javën e ardhshme. Momenti politik mund të jetë në favor të Evropës.

"Kina po vihet në shënjestër më shumë sesa evropianët, të cilët për një farë kohe duket se janë favorizuar nga aleati i tyre amerikan. Gjithçka po shkon në të njëjtin drejtim. Ekziston një lloj rindërtimi i miqësisë me vendet përtej Atlantikut, që duket se po përjashtohen nga proteksionizmi amerikan”, thotë analisti Bertrand Badie.

Këto pikëpamje të ndryshme mbi tregtinë dolën në pah këtë javë kur Evropa arriti një marrëveshje të tregtisë së lirë me Meksikën, ndërsa Presidenti Trump kërkon të rinegociojë Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat