Kim arrin në Singapor për samitin historik me Trumpin

Bota

Kim arrin në Singapor për samitin historik me Trumpin

Më: 10 qershor 2018 Në ora: 10:41
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump

Ministria e Jashtme e Singaporit thotë se lideri verikorean, Kim Jong Un ka arritur në Singapor për të marrë pjesë në samitin me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump që do të mbahet më 12 qershor.

“Mirëpritëm Kim Jong Un, i cili sapo ka arritur në Singapor”, ka shkruar në Twitter ministri Vivian Balakrishnan.

Kim pritet të takohet me kryeministrin e Singaporit, Lee Hsien Loong më vonë gjatë ditës, ka njoftuar Ministria e Jashtme.

Ndërkaq, Trump është larguar nga samiti i G7-s që po mbahet në Kanada dhe është nisur drejt Singaporit.

Presidenti Trump pritet të takohet me kryeministrin e Singaporit më 11 qershor.

Bisedimet në mes të Trumpit dhe Kimit janë paraparë të zhvillohen më 12 qershor. Ato pritet të kenë në fokus armët bërthamore të Phenjanit dhe përpjekjet për denuklearizimin e Gadishullit Korean.

Trump ka thënë se ky samit është shans që ndodh “vetëm një herë” për Korenë e Veriut.

Në delegacionin e Trumpit për këtë samit është edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, këshilltari për siguri kombëtare, John Bolton, shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly dhe sekretarja për media Sarah Sanders.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat