Trump: Anëtarët e NATO-s bien dakord të rrisin shpenzimet e mbrojtjes - Bota Sot
Trump: Anëtarët e NATO-s bien dakord të rrisin shpenzimet e mbrojtjes

Bota

E enjte, 20 shtator 2018

Trump: Anëtarët e NATO-s bien dakord të rrisin shpenzimet e mbrojtjes

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 22:24
Presidenti amerikan Donald Trump

Presidenti Donald Trump deklaroi të enjten fitore në fund të takimit të nivelit të lartë të NATO-s. duke thënë se kishte siguruar angazhimet e anëtarëve të NATO-s për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes, pasi për ditë me radhë udhëheqësi amerikan kishte thënë se Uashingtoni po mbante një barrë të tepruar të mbështetjes financiare të aleancës.

"Ata kanë rritur në mënyrë të konsiderueshme angazhimin e tyre për mbështetjen financiare dhe ne jemi shumë, shumë të kënaqur dhe kemi një NATO shumë, shumë të fuqishme”, tha Presidenti Trump para gazetarëve në përfundim të takimit dyditor të NATO-s.

"Unë kam besim tek NATO. Mendoj se NATO-ja është shumë e rëndësishme, por Shtetet e Bashkuara po paguanin në masën 70 deri në 90 për qind, në varësi të mënyrës së përllogaritjes. Kjo nuk është e drejtë ndaj Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se presioni i Presidentit amerikan kishte sjellë si rezultat rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet anëtare.

"Mendoj se fakti që kishim këtë diskutim të hapur e bëri të qartë se ne do t’i dyfishojmë përpjekjet për rritje fondesh dhe tregon se mesazhi i qartë nga Presidenti Trump ka pasur efekt”.

Por zoti Stoltenberg nuk konfirmoi pretendimin e zotit Trump se objektivi ishte të arrihej në një kontribut prej 4 për qind deri në vitin 2024. Edhe Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se asnjë nga 29 vendet anëtare nuk kishte rënë dakord për një rritje të fondeve përtej shifrës 2 për qind.

Zoti Trump nuk tha konkretisht se cilat vende ishin angazhuar dhe për çfarë shume. Ai tha se disa vende janë në nivelin e angazhimit për 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto dhe të tjerë kanë rënë dakord që të arrijnë në nivelin 2 për qind.

Zoti Trump tha se ai mund t’i nxirrte Shtetet e Bashkuara nga NATO-ja pa miratimin e Kongresit por tha se kjo “do të ishte e panevojshme” pas angazhimit që morën anëtarët e aleancës.

“Në atë sallë kishte një ndjesi shumë pozitive kolegjiale, shumë të bashkuar, shumë të fortë”.

"NATO-ja është tani një makineri që funksionon mirë”, tha zoti Trump.

Presidenti amerikan kishte kërkuar që në hapje të takimit të nivelit të lartë dyditor që anëtarët e NATO-s të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes.

Gjatë një mëngjesi pune me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, zoti Trump akuzoi Gjermaninë se ishte “rob” i Rusisë pasi kishte lejuar kompaninë ruse të gazit, Gazprom që të ndërtonte naftësjellësin Rrjedha e Veriut, duke kaluar përmes ujrave të saj.

Kërkesat e presidentit në takimin me dyer të mbyllura të enjten, ishin të ngjashme me me ato që ai kishte bërë disa orë më herët në Twitter:

"Presidentët janë përpjekur pa sukses për vite me radhë që të bindin Gjermaninë dhe vende të tjera të pasura të NATO-s që të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre nga Rusia. Ata paguajnë vetëm një fraksion të kostos. Shtetet e Bashkuara paguajnë miliarda dollarë, një shumë e madhe për të subvencionuar Evropën dhe pastaj humbet në aspektin tregëtar”, shkruante ai në Twitter.

Udhëheqësit e NATO-s po shpresonin të enjten që ta mos merreshim më me temën e kërkesës së Presidentit Trump për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe të përqendroheshin tek diskutimet për të përfunduar luftën në Afganistan. Zoti Stoltenberg do që udhëheqësit të bien dakord të mbështesin financiarisht forcat afgane të sigurisë deri në vitin 2024, pavarësisht nga dëshira e vendeve perëndimore për t’i dhënë fund angazhimit në konflikt.

Pas diskutimeve në Belgjikë, zoti Trump ndodhet në Britani ku të bisedojë me kryeministren britanike, Theresa May, e cila gjendet në mes të një konfuzioni politik në vend nga mosmarrëveshjet brenda partive lidhur me kushtet e tërheqjes nga Bashkimi Evropian, njohur si Brexit.

Ka shumë gjasa që itinerari i zotit Trump ta mbajë atë jashtë qendrës së Londrës, ku priten protesta masive.

Pas vizitave në Angli dhe Skoci, zoti Trump do të shkojë në Helsinki për takimin me Presidentin rus, Vladimir Putin.

"Ai nuk është armiku im dhe shpresoj që një ditë të jetë miku im”, u tha zoti Trump gazetarëve kur u pyet për zotin Putin të cilin ai e ka cilësuar si “konkurrent”./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test