Në prag të takimit Trump-Putin

Bota

Në prag të takimit Trump-Putin

Më: 13 korrik 2018 Në ora: 22:05
Putin, Trump

Presidenti Donald Trump ka thënë për një kohë të gjatë se do të dëshironte të përmirësonte marrëdhëniet me Rusinë. Ai do të ketë një shans për ta bërë këtë të hënën, kur të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin në Finlandë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Gallo njofton për atë që pritet nga takimi i dy udhëheqësve botërorë.

Donald Trump është në ndalesën e dytë të turneut të tij evropian.

Ndalesa e tij e parë në samitin e Natos në Bruksel ishte e tensionuar pas kërkesave që presidenti u bëri vendeve evropiane për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen.

"Kemi Naton, vizitën në Britani dhe pastaj Putinin. Do të thosha se Putini mund të jetë takimi më i lehtë nga të gjithë", tha presidenti.

Nuk është e qartë nëse takimi i presidentit Trump me Vladimir Putinin do të rezultojë në ndonjë marrëveshje konkrete. Por ka disa fusha ku presidenti ka sugjeruar se mund të punojnë së bashku, përfshirë Sirinë, ku Moska po mbështet qeverinë e Bashar Al-Asadit.

Zoti Trump thotë se dëshiron t’i tërheqë trupat amerikane nga Siria, por është i shqetësuar për ndikimin iranian atje.

Ka pasur gjithashtu pikëpyetje nëse presidenti Trump do të njohë zyrtarisht aneksimin e Krimesë nga Rusia - diçka që vetë ai refuzon ta përjashtojë si mundësi.

"Çfarë do të ndodhë me Krimenë? Nuk mund të them gjë për momentin, por nuk jam i kënaqur rreth çështjes së Krimesë".

Por ndoshta pyetja më e rëndësishme është nëse zoti Trump do të tërheqë mbështetjen ndaj aleancës evropiane të sigurisë, gjë që do t’i bënte shumë vende të vogla evropiane të pambrojtura ndaj një agresioni të mundshëm rus.

"Ato shtete që nuk kanë aftësitë e tyre të mbrojtjes në një nivel që do të ishte i mjaftueshëm, që janë duke u mbështetur në aftësitë e NATO-s dhe vendeve të tjera anëtare për mbrojtjen e tyre, ato janë me të vërtetë të shqetësuara”.

Megjithë fjalimet e tij të ashpra për t’i bërë vendet anëtare të NATO-s të paguajnë më shumë për mbrojtjen, presidenti Trump nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për të reduktuar mbështetjen amerikane për NATO-n. Por ka shumë njerëz në Evropë që shtrojnë pyetjen nëse ai do ta bëjë këtë së shpejti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat