Trump dhe Putin bëjnë “hapat e parë” për përmirësimin e marrëdhënieve

Bota

Trump dhe Putin bëjnë “hapat e parë” për përmirësimin e marrëdhënieve

Më: 16 korrik 2018 Në ora: 13:15
Vladimir Putin dhe Donald Trump

(E plotësuar) - Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, thanë se kanë bërë “hapat e parë” për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të tyre.

Dy presidentët u takuan të hënën në Helsinki të Finlandës, në samitin e parë prejse Trump ka marrë detyrën në janar të vitit të kaluar.

Putin i cilësoi bisedimet si “shumë të suksesshme dhe të dobishme” dhe tha se ai dhe Trump diskutuan për kontrollin e armëve, konfliktet në Siri dhe Ukrainë, tregtinë dhe çështje të tjera.

Në konferencën e përbashkët për media, pas katër orë bisedimesh, Putin tha se Trump ngriti çështjen e ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet në SHBA, më 2016, dhe përsëriti mohimin e tij për ndërhyrjen e Moskës.

Në përgjigje të pyetjes së një gazetari, Putin tha se ai ka dashur që Trump t’i fitojë zgjedhjet, sepse i nominuari i Partisë Republikane ka shprehur dëshirën për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë.

Trump tha se iu adresua Putinit drejtpërdrejt në lidhje me akuzat për ndërhyrje në zgjedhje dhe se ata kaluan “një pjesë të madhe të kohës” duke folur për këtë çështje.

Trump nuk ofroi detaje dhe nuk la të kuptohet se ka pasur ndonjë rezultat specifik nga ky diskutim.

Me këmbënguljen e një gazetari, Trump tha se Putin ka qenë “mjaft i fuqishëm” në mohimin e tij.

Ai po ashtu përsëriti se nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së tij dhe Rusisë dhe tha se hetimet e zyrtarëve amerikanë në këtë çështje kanë shkaktuar “dëm serioz”.

Presidenti amerikan u vu nën presion shtesë për të sfiduar Putinin, rreth ndërhyrjes së dyshuar, pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi më 13 korrik se një juri e madhe ka akuzuar 12 zyrtarë të inteligjencës ruse për piraterimin e kompjuterëve të Partisë Demokratike në SHBA dhe publikimin e emalileve të vjedhura dhe të informacioneve të tjera, gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Ka pasur po ashtu thirrje për anulimin e samitit në Helsinki, por Trump e mbrojti atë, duke thënë se diplomacia është vendimtare dhe se “dialogu produktiv” me Moskën është një gjë e mirë për SHBA-në, Rusinë dhe pjesën tjetër të botës.

Të dy presidentët shprehën po ashtu dëshirën për bisedime për kontrollin e armëve.

Putin tha se është e rëndësishme që të nisë dialogu për armët bërthamore dhe se ai ka bërë propozime konkrete në këtë fushë.

Ai po ashtu tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara duhet të bisedojnë për zgjerimin e Traktatit START të vitit 2010, i cili ka vënë kufizime të reja mbi madhësinë e arsenalit bërthamor të të dyja vendeve.

Ka qenë ky samiti i parë dypalësh i liderëve të të dyja vendeve qysh në prill të vitit 2010.

Trump: Marrëdhëniet SHBA-Rusi nuk kanë qenë kurrë më të këqija, por kjo ndryshoi para katër orësh

Presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet të gjejnë mënyra për të "bashkëpunuar në ndjekje të interesave të përbashkëta".

Ai i bëri komentet gjatë një konference shtypi në Helsinki, pas bisedimeve që pati me Presidentin rus Vladimir Putin.

Presidenti Trump tha se një dialog produktiv mes SHBA dhe Rusisë është i mirë për të dy vendet dhe “është diçka e mirë për botën ''.

Presidenti amerikan tha se ata diskutuan mbi mosmarrëveshjet midis vendeve të tyre "në hollësi."
Ai shtoi se marrëdhëniet midis SHBA dhe Rusisë nuk kanë qenë kurrë më keq po kjo ka ndryshuar rreth katër orë më parë.
Presidenti Trump tha se është i sigurt se ai dhe zoti Putin do të takohen përsëri shpesh në të ardhmen.

Nga ana e tij, Presidenti rus tha se marrëdhëniet dypalëshe po kalojnë nëpër një fazë të komplikuar. Si fuqi bërthamore, tha ai, ne mbajmë përgjegjësi për stabilitetin në botë.

Ai tha se "e ashtuquajtura ndërhyrje ruse" në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 u ngrit nga Presidenti Donald Trump gjatë samitit të tyre në Helsinki. Zoti Putin përsëriti se shteti rus nuk ka ndërhyrë kurrë dhe nuk ka ndërmend të ndërhyjë në procesin e brendshëm të zgjedhjeve amerikane.

Ai i karakterizoi bisedimet me zotin Trump si "të suksesshme dhe të dobishme".

Zoti Putin ofroi marrjen në pyetje të 12 personave ndaj të cilëve janë ngritur akuza në SHBA, por i quajti pa kuptim pretendimet për bashkëpunim të fshehtë me fushatën e zotit Trump.

Image

Trump shpreson në "marrëdhënie të jashtëzakonshme" SHBA-Rusi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se diplomacia është vendimtare dhe se "dialogu produktiv" është një gjë e mirë mirë për SHBA-në, Rusinë dhe botën.

Trump i bëri këto komente në një konferencë për media në Helsinki, pas takimit që mbajti atje me presidentin rus, Vladimir Putin.

Putin tha se ai dhe Trump morën "hapin e parë të rëndësishëm" për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA-Rusi.

Në fillim të takimit, Trump e përgëzoi Putinin për organizimin e suksesshëm të Kampionatit Botëror të Futbollit, përpara se të përvijonte disa nga temat që do të prekin gjatë bisedimeve.

"Dua t'ju përgëzoj për një Kampionat vërtet të mirë, një nga më të mirët", tha Trump, duke shtuar se me Putinin do të diskutojë për "gjithçka", nga tregtia deri te Kina.

Ai tha se shpreson se SHBA-ja dhe Rusia do të përfundojnë me "marrëdhënie të jashtëzakonshme" dhe se "bashkëpunimi me Rusinë është një gjë e mirë, jo një gjë e keqe".

Përfundon takimi dy orësh Trump-Putin

Takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vlladimir Putin në Helsinki ka përfunduar pas dy orë e dhjetë minuta, shkruan Reuters.

Takimi që ishte planifikuar të zgjas 40 minuta ka zgjatur më shumë se dy orë,  ndërsa ka filluar me 55 minuta vonesë për shkak të presidentit rus.

Presidenti amerikan pas takimit ka thënë shkurt “Gjithçka filloi mirë” pas së cilës të dy presidentët kanë shkuar së bashku në  drekë.

Para takimit Trump dhe Putin së bashku kanë dalë para mediave.

Image

Trump shpreson në "marrëdhënie të jashtëzakonshme" SHBA-Rusi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, nisën takimin në Helsinki.

Trump e përgëzoi Putinin për organizimin e suksesshëm të Kampionatit Botëror të Futbollit, përpara se të përvijonte disa nga temat që do të prekin gjatë bisedimeve.

"Dua t'ju përgëzoj për një Kampionat vërtet të mirë, një nga më të mirët", tha Trump, duke shtuar se me Putinin do të diskutojë për "gjithçka", nga tregtia deri te Kina.

Ai tha se shpreson se SHBA-ja dhe Rusia do të përfundojnë me "marrëdhënie të jashtëzakonshme" dhe se "bashkëpunimi me Rusinë është një gjë e mirë, jo një gjë e keqe".

Është ky samiti i parë dypalësh i liderëve të të dyja vendeve qysh në prill të vitit 2010.

Image
Donald Trump dhe Vladimir Putin

Përpara takimit, Trump tha se hetimet e agjencive amerikane mbi ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, i kanë përkeqësuar rëndë marrëdhëniet e Uashingtonit me Moskën.

“Marrëdhëniet tona me Rusinë nuk kanë qenë kurrë më të këqija, falë shumë viteve të marrëzisë dhe budallallëkut të SHBA-së dhe tani ‘gjuetisë së shtrigave’”, shkroi Trump në Tëitter, duke iu referuar hetimeve që po bën këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller.

Ministria e Jashtme e Rusisë, e cila i ka akuzuar kundërshtarët e brendshëm të Trumpit dhe establishmentin amerikan për pengimin e përpjekjeve për përmirësimin e marrëdhënieve, e pëlqeu postimin e Trumpit.

Takimi i dy liderëve ndodh në kohën kur marrëdhëniet SHBA-Rusi janë më të tensionuara se kurrë qysh nga koha e Luftës së Ftohtë, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, intervenimit ushtarak të Moskës në lindje të Ukrainës dhe në Siri, si dhe ndërhyrjes së saj në zgjedhjet në SHBA.

Gjatë një takimi me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto, përpara takimit me Putinin, Trump tingëlloi pozitiv. I pyetur se çfarë do t’i thotë Putinit, ai tha: “Do të jemi mirë, faleminderit”.

Image

Në këtë takim, Trump po ashtu tha se “NATO nuk ka qenë kurrë më e fuqishme dhe kurrë më e bashkuar”. Komentet pasojnë samitin e aleancës në Bruksel, më 11 dhe 12 korrik, ku vendet anëtare janë pajtuar që të rrisin shpenzimet në mbrojtje.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha para takimit Trump-Putin se Moska nuk pret që ai të jetë i lehtë.

“Natyrisht se Siria do të diskutohet nga dy presidentët. Të gjithë e dimë se çfarë mendon Uashingtoni për Iranin. Por, në të njëjtën kohë, Irani është partner i yni i mirë në tregti, bashkëpunim ekonomik dhe dialog politik. Pra, nuk do të jetë një shkëmbim i lehtë i pikëpamjeve”, tha Peskov.

Rusia, megjithatë, shpreson se samiti do të jetë "hapi i parë" në tejkalimin e krizës në marrëdhënie, tha ai.

“Presidentët Trump dhe Putin e respektojnë njëri-tjetrin dhe shkojnë mirë. Nuk ka agjendë të qartë. Do të përcaktohet nga vetë krerët e shteteve”, shtoi Peskov.

Samiti në Helsinki po ashtu zhvillohet nën hijen e një mjedisi të ndarë politik në Shtetet e Bashkuara, ku Mueller po udhëheq hetimet për kontakte të mundshme të paligjshme midis agjentëve rusë dhe fushatës së Trumpit në vitin 2016.

Më 13 korrik, Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se një juri e madhe i ka akuzuar 12 zyrtarë të inteligjencës ruse për rolin e tyre në piraterimin e Partise Demokratike në SHBA dhe për publikimin e emailve të vjedhura dhe informacioneve të tjera gjatë fushatës presidenciale.

Shtëpia e Bardhë, më 14 korrik, i refuzoi thirrjet e disa anëtarëve të Kongresit për të anuluar takimin Trump-Putin si pasojë e akuzave, që tani kanë rritur presionin e brendshëm mbi Trumpin që të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj Putinit.

Fillon takimi Trump-Putin në Helsinki 

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij rus Vladimir Putin, tanimë kanë filluar takimin e përbashkët në kryeqytetin e Finlandës, Helsinki.

Siç edhe është bërë e ditur, Trump dhe Putin do të zhvillojnë samitin një-ditor në Pallatin Presidencial në Helsinki derisa gjatë kësaj kohe do të zhvillohen edhe bisedime në mes të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Edhe pak minuta nga takimi Trump-Putin

Presidenti i Rusisë Vlladimir Putin ka mbërritur në kryeqytetin e Finlandës në të cilin do të ketë një takim me presidentin e SHBA-ve Donald Trump.

Takimi Putin-Trump që konsiderohet historik do të fillojë në orën 12:30 me kohën lokale dhe do të mbahet në pallatin presidencial.

Në Helsinki janë paralajmëruar protesta jo vetëm kundër presidentit amerikane por edhe kundër takimit me presidentin rus.

Protestuesit në Helsinki  kanë kërkuar nga Trump  që të përqendrohet tek çështja e të drejtave të njeriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat