Samiti i parë i dy peshave të rënda të politikës botërore

Bota

Samiti i parë i dy peshave të rënda të politikës botërore

Më: 16 korrik 2018 Në ora: 14:24
Donald Trump dhe Vladimir Putin

Me një shtrëngim të shkurtër por demonstrativisht të fuqishëm të duarve, Trump e Putin filluan takimin e tyre në Helsinki. Të dy presidentët kuptohen mirë, marrëdhëniet mes dy vendeve janë më të këqija se kurrë më parë.

Dy burrat më të fuqishëm të botës u ulën për bisedime në samitin e pyrë zyrtar në Helsinki. Takimi Trump-Putin filloi me një orë vonesë, sepse presidenti rus mbërriti me vonesë në kryeqytetin finlandez. Para bisedimit kokë më kokë në pallatin e presidentit finlandez, të dy presidentët u përshëndetën para shtypit me një shtrëngim të shkurtër por demonstrativisht të fuqishëm të duarve. "Ka ardhur koha që të flasim në mënyrë të detajuar për marrëdhëniet tona bilaterale dhe për pikat e dhimbshme në botë. Dhe ato janë shumë", tha presidenti Putin. Ndërsa presidenti Trump u shpreh para gazetarëve se "bota dëshiron që të kemi marrëdhënie të mirë."

Image
Donald Trump dhe Vladimir Putin

Të dy presidentët kuptohen mirë...

Në bisedimet që filimisht do të zhvillohen kokë më kokë vetëm me praninë e përkthyesve, do të diskutohen tema si arsenali bërthamor i dy vendeve, tregtia, dhe marrëdhëniet me Kinën bëri të ditur presidenti amerikan. Rusia dhe SHBA kanë së bashku 90% të arsenalit bëthamor. "Kjo nuk është gjë e mirë, kjo është diçka e keqe", tha Trump. Vetëm pak orë më parë, Trump e vlerësoi marrëdhënien mes dy vendeve si historikisht të keqe. "Marrëdhënia me Rusinë nuk ka qenë kurrë më keq, falë dritëshkurtësisë dhe budallallëkut amerikan dhe tani për shkak të gjuetisë së manipuluar të shtrigave", shkroi Trump në twitter.

Image
Donald Trump dhe Vladimir Putin

Sipas të dhënave të Kremlinit të dy presidentët kanë një marrëdhënie të mirë. "Ata e respektojnë njëri-tjetrin. Dhe mund të flasin shumë mirë me njëri-tjetrin", tha zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peskov për televizionin rus. Ai shpreson për një "bisedë të vlefshme" që të "bëjë të paktën një hap të vogël" drejt përmirësimit të marrëdhënieve të tanishme. Por bisedimet janë të vështira për shkak të qëndrimeve të ndryshme në Siri, ka pranuar Peskov./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat