Trump-Putin, nga armët nukleare te (mos)ndërhyrja në zgjedhjet e 2016-s

Bota

Trump-Putin, nga armët nukleare te (mos)ndërhyrja në zgjedhjet e 2016-s

Më: 16 korrik 2018 Në ora: 18:33
Donald Trump dhe Vladimir Putin

Në konferencën e përbashkët për shtyp, pas takimit kokë më kokë prej afro 2 orësh në Helsinki të Finlandës, presidenti rus Vladimir Putin është shprehur se së bashku me homologun e tij amerikan, Donald Trump, kanë rënë dakord të vazhdojnë diskutimet e detajuara mbi çështjet e kontrollit të armëve.

Putin deklaroi se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara duhet të diskutojnë zgjatjen e mundshme të Traktatit për reduktimin e armëve bërthamore “New Start” të nënshkruar në vitin 2010, si dhe implementimin e Traktatit të ndërmjetëm të Forcave Bërthamore të vitit 1987.

Putin shtoi se çështjet e tjera që Rusia do të dëshironte të diskutonte në sferën e kontrollit të armëve janë planet e mbrojtjes raketore amerikane dhe armatosja e hapësirës.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump e vlerësoi Vladimir Putinin si një “konkurrent”, duke shtuar se me këtë nënkuptonte një kompliment.

“Mendoj se fjala konkurrent është një kompliment”, tha ai gjatë fjalës së mbajtur në konferencën për shtyp. Një deklaratë, me të cilën jo shumë amerikanë bien dakord. Të shumtë janë ata që thonë se Putin është një kundërshtar dhe nënvizojnë se vendi i tij ndërhyri në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Trump tha se kishte folur drejtpërdrejt mbi ndërhyrjen e Rusisë në ato zgjedhje me presidentin rus, por theksoi se ai vet nuk e dënon publikisht sjelljen e Moskës.

Sipas tij, “mesazhi është dërguar siç duhet në rrugë personale”. “Kalova një periudhë të konsiderueshme kohe duke folur mbi këtë çështje, por Putin ndihet i fuqishëm në mbrojtjen përballë akuzave dhe madje ka edhe një ide interesante”, tha Trump. Ai nuk dha më tej informacione mbi këtë ide të Putinit, por ky i fundit mohoi me forcë që Moska të ketë ndërhyrë, e madje u zotua se nuk do të ndërhyjë kurrë në proceset zgjedhore amerikane.

I pyetur mbi një gazsjellës rus në Gjermani, Trump veçoi faktin se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë konkurruese në tregun e energjisë. Ai kritikoi gazjellësin edhe gjatë vizitës njëjavore në Europë. Por, ndërsa Putin e lavdëroi Trumpin për përpjekjet e tij për zgjidhjen e tensioneve bërthamore me Korenë e Veriut, presidenti amerikan lavdëroi homologun rus për organizimin e Kupës së Botës në futboll.

Samiti mes tyre vjen vetëm pak ditë, pasi Shtetet e Bashkuara akuzuan 12 agjentë sekretë ushtarakë rusë për piratim të sofistikuar në zgjedhjet e 2016-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat