Presidenti Trump, kritika të ashpra ndaj Kinës dhe Iranit

Bota

Presidenti Trump, kritika të ashpra ndaj Kinës dhe Iranit

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 18:49
Donald Trump

Presidenti Donald Trump akuzoi Kinën për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane dhe kritikoi marrëveshjen bërthamore me Iranin. Zoti Trump i bëri komentet në Nju Jork, pas tre ditë takimesh me udhëheqës të vendeve të ndryshme të botës, të cilët po marrin pjesë në takimin e përvitshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Presidenti Donald Trump bëri akuza të rralla dhe publike ndaj Kinës dje gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ai e akuzoi Pekinin për përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme amerikane.

"Fatkeqësisht kemi të dhëna se Kina po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet e ardhshme të viti 2018 që mbahen në nëntor, kundër administratës sime. Ata nuk duan që unë apo ne të fitojmë, sepse unë jam presidenti i parë ndonjëherë, që kam sfiduar Kinën lidhur me tregtinë dhe ne po fitojmë në tregti. Ne po fitojmë në çdo nivel. Ne nuk duam që ata të ndërhyjnë në zgjedhjet tona të ardhshme.”

Ministria e jashtme i Kinës hodhi poshtë akuzat e Presidentit Trump. Gjatë një konference për shtyp sot në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang tha se komuniteti ndërkombëtare e di se cili vend ndërhyn më shumë në çështjet e brendshme të vendeve të tjera.

"Kina ka ndjekur gjithmonë parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera. Kjo është një traditë diplomatike e Kinës. Komuniteti ndërkombëtar ka qenë prej kohësh në marrëveshje për këtë. Në fakt, komuniteti ndërkombëtar është shumë i qartë mbi atë se kush bënë më shumë ndërhyrje në punët e brendshme të vendeve të tjera. Ne i këshillojmë Shtetet e Bashkuara që të ndalin këtë kritikë dhe shpifje të pandërprerë ndaj Kinës, të ndalin fjalët dhe veprat e gabuara që dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe interesat e njerëzve të të dyja vendeve".

Një reagim i fortë u botua sot edhe në gazetën e mbështetur nga partia komuniste e Kinës, “Global Times”, ku thuhej se Shtëpia e Bardhë dhe Presidenti Trump janë për t’u fajësuar, duke i quajtur akuzat një "strategji krijuese e fushatës politike".

Në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, Presidenti Trump kritikoi edhe marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin. Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga kjo marrëveshje në maj të këtij viti. Presidenti Trump shpesh e ka kritikuar marrëveshjen, duke thënë se ajo është e keqe për Amerikën dhe se Irani përfiton më shumë nga ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat