Pompeo thotë se ka pasur bisedime “produktive” me Kimin

Bota

Pompeo thotë se ka pasur bisedime “produktive” me Kimin

Më: 7 tetor 2018 Në ora: 15:15
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe lideri verikorean, Kim Jong Un, foto nga arkivi

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka lavdëruar diskutimet “produktive” me udhëheqësin verikorean Kim Jong Un në Phenjan.

Denuklearizimi dhe një samit tjetër ndërmjet Kimit dhe presidentit amerikan, Donald Trump pritet që të jenë temat kryesore në takimin e sotëm.

“Kam pasur udhëtim të mirë për në Phenjan ku do të takohem me udhëheqësin Kim”, ka shkruar Pompeo në Twitter.

“Ne vazhdojmë të bëjmë përparim mbi marrëveshjet e arritura në samitin e mbajtur në Singapor”, ka shkruar tutje Pompeo.

“Është ditë e mirë që premton të ardhme të mirë për të dyja shtetet”, u ka thënë Kim zyrtarëve amerikanë, teksa kanë zhvilluar një drekë pune.

Në një takim me presidentin jugkorean, Moon Jea-in në Seul, sekretari Pompeo ka thënë se ka pasur “një bisedë produktive” me Kimin.

Trumpi është takuar me Kimin në Singapor në muajin qershor në një samit të cilësuar historik. Dy liderët kanë arritur marrëveshje që çojnë drejt denuklearizimit të Gadishullit Korean, por që prej nënshkrimit të tyre, pak përparim është bërë në këtë drejtim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat