Putin, Bolton diskutojnë mbi Traktatin e armëve

Bota

Putin, Bolton diskutojnë mbi Traktatin e armëve

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 20:32
Vladimir Putin dhe John Bolton

Këshilltari i sigurisë kombëtare amerikane John Bolton tha të martën se pati diskutime të gjata me presidentin rus Vladimir Putin rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e SHBA dhe shpjegoi se kjo ishte diçka kundërproduktive për Rusinë.

"U thashë sot kolegëve rusë se unë nuk mendoj, - sido që ata të kenë ndërhyrë në vitin 2016, - që kjo të ketë patur ndonjë efekt në zgjedhje, por ajo për të cilën ata kanë patur efekt në Shtetet e Bashkuara është fakti që kanë krijuar një mosbesim të madh ndaj Rusisë," tha zoti Bolton.

Zoti Bolton shtoi se ai u kishte thënë rusëve: "Mos u përzjeni me zgjedhjet tona se kjo nuk është në interesin tuaj."

Nga ana e tij, Presidenti Putin i tha zotit Bolton se ai dëshiron ta vazhdojë dialogun me Presidentin Donald Trump.

Zoti Putin bëri komentet në Moskë në fillim të një takimi 90 minutësh me zotin Bolton, duke thënë se është e rëndësishme që dialogu Rusi-SHBA të ruhet, pavarësisht dallimeve.

Ai përmendi një takim të mundshëm me Presidentin Trump më 11 nëntor, kur dy udhëheqësit të jenë në Paris për të përkujtuar 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, duke shtuar se takimi i tij me zotin Trump në Helsinki në muajin korrik ishte i dobishëm.

Zoti Bolton tha se Presidenti Trump gjithashtu dëshiron të takohet me Presidentin Putin në Paris në nëntor.

"Mendoj se Presidenti Trump do të dëshironte t'ju takonte në Paris, në periferitë e aktiviteteve për kremtimin e 100 vjetorit të Armëpushimit", i tha zoti Bolton Presidentit rus.

Vizita e tij vjen pas njoftimit të Presidentit Trump më 20 tetor se ai ka ndërmend të tërhiqet nga një marrëveshje kyçe për armët bërthamore, Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, nënshkruar në vitin 1987 (INF).

Presidenti Putin i tha këshilltarit të sigurisë kombëtare amerikane se do të donte të diskutonte çështje të ndryshme të kontrollit të armëve me Presidentin Trump dhe se Rusia ishte e habitur nga "lëvizjet e paprovokuara të Amerikës, që vështirë t’i quash miqësore", siç iu shpreh ai.

Deklatrata e zotit Trump për të braktisur Traktatin INF ka shkaktuar shqetësime në Evropë dhe i ka sjellë çështjet e kontrollit të armëve në krye të axhendës midis dy ish armiqve të Luftës së Ftohtë, marrëdhëniet mes të cilëve janë tendosur mjaft për shkak të një serie mosmarrëveshjesh, pavarësisht shpresave të shprehura nga dy udhëheqësit për përmirësimin e tyre.

Zoti Bolton pati gjithashtu bisedime të martën me ministrin rus të mbrojtjes Sergei Shoigu, i cili tha se dialogu dypalësh gradualisht po rikthehet pas samitit të Helsinkit në korrik. Zoti Shoigu shprehu besimin se "edhe hapa të vegjël do të ishin me dobi për marrëdhëniet".

Në komentet e bëra për televizionin, asnjëri prej tyre nuk e përmendi njoftimin e zotit Trump mbi traktatin INF.

Por zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov përsëriti kritikat ndaj tërheqjes së deklaruar amerikane nga Traktati, duke thënë se pavarësisht nga "pikat e dobëta" të traktatit, "grisja e marrëveshjes pa plane për diçka të re është diçka jo e mirëpritur” nga Rusia.

SHBA: MOSKA KA SHKELUR MARRËVESHJEN

Zoti Trump e ka akuzuar Rusinë se ka shkelur marrëveshjen. Rusia e mohon një gjë të tillë dhe thotë se sistemet amerikane të mbrojtjes nga raketat në Evropë, po kryejnë shkelje.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov tha se Rusia do të dëgjojë se ç’do të thotë zoti Bolton dhe “pastaj do të vlerësojë gjendjen”.

"Ne kemi thënë vazhdimisht dhe presidenti Putin e ka konfirmuar se çdo veprim do të pasohet nga një reagim sepse qëndrueshmëria strategjike mund të sigurohet vetëm në baza të barabarta. Kjo lloj barazie do të ruhet me çdo kusht. Ne jemi përgjegjës për qëndrueshmërinë globale dhe shpresojmë që as Shtetet e Bashkuara të mos heqin dorë nga përgjegjësia e tyre”, tha Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov.

Zoti Bolton, që u takua me shefin e Këshillit të Sigurimit të Rusisë Nikolai Patrushev të hënën, tha se ai beson se traktatet dypalëshe të periudhës së Luftës së Ftohtë nuk janë më aq të rëndësishme, për shkak të mjedisit të sotëm global të sigurisë, kur edhe vende të tjera po ndërtojnë raketa.

Marrëveshja e nënshkruar nga ish-udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbachev dhe ish-presidenti amerikan, Ronald Reagan i ndalon të dyja vendet që të prodhojnë, testojnë dhe magazinojnë raketa bërthamore të nisura nga toka me një rreze veprimi prej 500 deri në 5,000 kilometra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat