Britania u bashkohet thirrjeve për përfundim të konfliktit në Jemen

Bota

Britania u bashkohet thirrjeve për përfundim të konfliktit në Jemen

Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 09:22
Rebelët huthi në Jemen.

Britania ka thënë se do t’iu bëjë presion anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të marrë hapa të rinj në mënyrë që t’iu jepet fund armiqësive në Jemen.

Ministri i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt ka thënë përmes një deklarate më 5 nëntor se ai është pajtuar me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara për Jemenin, Martin Griffiths “se është koha e duhur që Këshilli të veprojë për të forcuar procesin e udhëhequr nga OKB-ja”.

Ai ka thënë se Britania do të përdorte “gjithë ndikimin që ka” për të dërguar “të dyja palët” në tavolinën e negociatave për t’i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm, i cili në disa raste është përshkruar si luftë në mes të Arabisë Saudite dhe Iranit dhe ka lënë të vdekur më shumë se 10,000 persona.

Ai nuk ka dhënë më shumë detaje, mirëpo diplomatët e OKB-së i kanë thënë agjencisë së lajmeve, Reuters se Britania është duke punuar me Shtetet e Bashkuara në krijimin e një rezolute për t’iu dhënë fund luftimeve.

Thirrja e Britanisë ka ardhur pasi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo kanë bërë deklarata të ngjashme në ditët e fundit.

Guterres ka thënë më 2 nëntor që të ndalet dhuna në shtetin e Gjirit Arab, derisa Pompeo ka bërë thirrje më 30 nëntor për kthim në tavolinën e negociatave.

Uashingtoni është aleat i ngushtë i Riadit derisa edhe Britania dhe Franca kanë mbështetur sauditët.

Mirëpo raportimet e fundit për numër të madh të viktimave civile të shkaktuara nga bombat e koalicionit të udhëhequr nga sauditët kanë shtuar thirrjet e Perëndimit për t’i dhënë fund luftës.

Rebelët huthi, të përkrahur nga Irani kanë fituar kontrollin e zonës më të madhe në perëndim të Jemenit më 2015, duke përfshirë kryeqytetin, Sanaa.

Arabia Saudite dhe tetë shtete tjera arabe kanë ndërhyrë ushtarakisht në këtë konflikt, në përpjekje për të rikthyer në pushtet Qeverinë e njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat