Anglezët synojnë fitore në ndeshjen e parë

Botërori 2018

Anglezët synojnë fitore në ndeshjen e parë

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 09:39
Ka kaluar ekzaktësisht një vit që kur Anglia ka pësuar humbjen e fundit, 3-2 në Paris

Anglia do të ndeshet me Tunizinë në ndeshjen e parë për “luanët” në këtë kampionat botëror, 20 vjet pasi janë përballur me këtë skuadër në Francë.

Atëherë ishte në fushë trajneri aktual Gareth Southgate dhe Anglia fitoi 2-0. Ky rezultat do të ishte shumë komod edhe këtë herë, por nuk mund t’i zihet besë ekipit afrikano-verior.

Anglia është kualifikuar për në “Rusi 2018” pa shumë probleme, në një grup ku la pas shpine Sllovakinë. Ndërsa Tunizia ia doli mbanë duke marrë vetëm një pikë më shumë se Kongo.

Ka kaluar ekzaktësisht një vit që kur Anglia ka pësuar humbjen e fundit, 3-2 në Paris. Kjo ishte vetëm një nga dy humbjet e britanikëve me Southgate në stol.

Në dy miqësoret e fundit para Kupës së Botës, Anglia ka fituar ndaj Nigerisë dhe Kosta Rikës, ndërsa Tunizia vjen nga humbja 1-0 ndaj Spanjës, teksa më parë kishin barazuar 2-2 ndaj Portugalisë duke treguar se gjërat po shkojnë mirë për këtë përfaqësuese. Gjithsesi, fitorja e tyre e fundit ka qenë në mars, në miqësoren ndaj Kosta Rikës.

Harry Kane do të jetë kapiteni i Anglisë dhe që pas dëmtimit të pësuar në muajin mars është rikthyer në formë, ndërsa Wabhi Khazri është shpresa e Tunizisë për t’i hapur probleme mbrojtjes së Anglisë. Sulmuesi i Rennes e ka mesataren 0.33 gola për ndeshje me kombëtaren.

Shtatë nga tetë ndeshjet e fundit të Anglisë kanë qenë me më pak se tre gola, ndërsa Tunizia ka pësuar gol në tre ndeshje radhazi. Rekordi i Anglisë ndaj ekipeve afrikane është 2 fitore, 3 barazime dhe asnjë humbje. Tunizia nuk ka fituar asnjë nga gjashtë ndeshjeve kundër ekipeve europiane, duke barazuar dy dhe humbur katër.

Anglia (kampione e Botës në vitin 1996) do të marrë pjesë për herë të 15-të në Botëror, ku në edicionet e fundit nuk ka lënë një përshtypje të mirë dhe rezultati më i mirë ka qenë çerekfinalja e vitit 2006.

Për Tunizinë do të jetë hera e pestë në një Kupë të Botës, por asnjëherë nuk ka kaluar fazën me grupe.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat