Sampaoli: Mjaft i bëmë presion Messit

Botërori 2018

Sampaoli: Mjaft i bëmë presion Messit

Më: 21 qershor 2018 Në ora: 12:55
Sampaoli

“Ky Botëror ka qenë shumë i komplikuar për shumë skuadra të ashtuquajtura favorite, të cilat mendonin se do të fitonin që në ndeshjen e parë. E njëjta gjë na ndodhi edhe neve dhe realisht që pas barazimit me Islandën, që të gjithë u ndiem shumë keq. Por ndeshja më e vështirë na pret nesër (sot), sepse Kroacia është edhe më e fortë sesa Islanda”. Fjalë të qartë këto nga ana e trajnerit të Argjentinës, Horge Sampaoli, në pritje të duelit me ballkanasit, në të cilën bardhekaltrit luajnë shumë, ndoshta edhe fatin e të gjithë Botërorit.

Por edhe pse 90-minutëshi i sotëm është jetik, Sampaoli këmbëngul për të mos karikuar më shumë se çfarë duhet Lionel Mesin dhe lëshon një mesazh të qartë: “Do të ishte një gabim nëse do të vinim të gjithë përgjegjësinë në shpatullat e tij. Ky është një Botëror që i përket miliona personave dhe nëse humbim apo fitojmë, do ta bëjmë të gjithë së bashku. Unë di të them se shpirti i grupit që mbizotëron te ne do të na bëjë edhe më të fortë në këtë moment tepër delikat”. Për sa i përket formacionit, Horge Sampaoli nuk ka ndërmend që të zbulojë asgjë, por në të njëjtën kohë pranon se disa ndryshime mund të ketë.

“Nuk ishte gjithçka për t’u hedhur nga ndeshja e parë, por ndoshta ndonjë ndryshim edhe mund të ketë. Kjo nuk do të thotë se nëse ndryshoj ndonjë futbollist në formacionin titullar do të më duhet të ndryshoj edhe rreshtimin taktik, por gjithsesi nuk kam vendosur ende dhe kam ende mjaft kohë për të menduar, ndonëse disa ide në kokë i kam mjaft të qartë”. Gjithsesi, sipas medias argjentinase, ndryshe nga ndeshja e parë sigurohet prezenca e Pavonit nga minuta e parë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat