Grande Nation kundër Kroacisë!

Botërori 2018

Grande Nation kundër Kroacisë!

Më: 15 korrik 2018 Në ora: 11:07
Kupa e Botës

Finale! Kush e mendonte, dy kombe të pabarabarta, me yje futbolli që i kanë ngritur peshë zemrat e sportdashësve të tyre. Franca kërkon të përsërisë triumfin e para 20 viteve. Kroacia kërkon kupën për herë të parë.

Franca kundër Kroacisë në finalen e Kampionatit Botëror! Në lojën vendimtare, si Franca ashtu edhe Kroacia duan të kurorëzojnë në Moskë në finale ëndrrën e një nate vere. Por vetëm një prej tyre do të finalizohet në stadiumin Lushniki në Moskë, si pasues i Gjermanisë, kampione në 2014-n. "Nuk ka rëndësi se si, por dua ta marrim këtë yll", thotë ylli francez i futbollit, Antoine Griezmann para finales që tërheq një publik miliardësh. Ndërsa ylli tjetër, Paul Pogba thotë se "nuk do ta lejojmë që një skuadër tjetër të marrë kupën."

Image
Trajneri Deschamps feston mes Umtiti kalimin në finale

22 luftëtarë

Por edhe Kroacia ka ambicie të mëdha: "Një finale luhet për të fituar. Ne do të jemi 22 luftëtarë", thotë lojtari kroat, Lukas Modric.

Kroacia ka një ndeshje revanshi me Francën. Kujtojmë, se në vitin 1998 ekipi trikolore i dha fund ëndrrës kroate në gjysmëfinale në vitin 1998 përmes fitores së Francës edhe në Botëror atë vit. 20 vite e shtatë ditë më vonë kroatët duan të shkatërrojnë ëndrrën e francezëve për Botërorin e të dalin vetë në krye. Trajneri Zlatko Dalic thotë se "ndoshta prandaj na e jep zoti këtë mundësi që ta vëmë në vend këtë rezultat."

Francë- Kroaci: Nuk është finalja që e kishin përcaktuar shumë vetë, edhe pse Franca bënte pjesë tek pretendetët për titull. Kombet e mëdha të futbollit ranë keq këtë kampionat. Gjermania, kampionja e fundit e botës doli jashtë çerekfinales, Portugalia po ashtu si Argjentina dështoi. Brazili dështoi në çerekfinale. Anglia e rilindur në futboll doli jashtë loje në gjysmëfinale, Belgjika humbi kundër Francës.

Image
Kroacia gëzon pas fitores kundër Anglisë

Deschamps dhe Dalic

Një element të përbashkët e kanë këta finalistë: Ata kanë shumë yje futbolli si Griezmann, Pogba, Kylian Mbappé nga pala franceze dhe Modric, Mario Mandzukic, Ivan Perisic nga pala kroate. Ndërsa trajnerët janë shumë të ndryshëm. Didier Deschamps, 49 vjeçar, ka qenë në vitin 1998 lojtari kapiten i skuadrës franceze kur fitoi Botërorin, kampion europian në vitin 2000, dy herë lojtar fitues i Champions League. Ndërsa Dalic ka qenë deri në këtë kampionat një trajner i panjohur, por edhe si lojtar. Kampionatin Botëror 1998 ai e përjetoi si tifoz pjesërisht në stadium. Ai e kujton ende shijen e hidhur të humbjes. "Kjo është një mundësi unike që të luajmë në një finale në Botëror. Do të ishim pas Uruguajit, vendi më i vogël që ka arritur të bëhet kampion bote. Le ta vazhdojmë këtë mrekulli sa të mundemi."

Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitarovic është po ashtu gjithë emocione: "Nuk e di se si do pres deri të dielën", citohet ajo nga gazeta bulevardeske kroate «24sata». Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron vjen në Moskë. Pas vitesh të rënda, me sulme terrori, ekipi francez kërkon të arrijë një festë perfekte në Champs-Elysées. E kështu të përmbushë edhe porosinë e Macron që tha para kampionatit. "Një ndeshje është e arrirë kur fitohet. Le të ëndërrojmë."/dw

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat