Italiani Michele Gazzara fitues i Turit të 75-të Çiklistik të Shqipërisë

Çiklizëm

Italiani Michele Gazzara fitues i Turit të 75-të Çiklistik të Shqipërisë

Më: 23 maj 2018 Në ora: 18:30
Michele Gazzara

Çiklisti italian Michele Gazzara ka fituar edicionin e 75-të të turit Çiklistik të Shqipërisë, triumfi i parë i tij në turneun shqiptar të biçikletës. Suksesi që çiklisti i skuadrës Sangemini korri në etapën e parë (Tiranë-Korçë), praktikisht vulosi fitoren e Turit, pasi italiani krijoi një shkëputje të ndjeshme ndaj rivalëve dhe në 4 etapat e tjera e administroi mirë atë. Kjo edhe falë një pune më të mirë në grup që bëri ekipi i tij Sangemini, që korri edhe vendin e parë si skuadër.

Sot u zhvillua etapa e 5-të dhe e fundit e Turit të 75-të Çiklistik të Shqipërisë, Sarandë-Fier, 162,5km e gjatë, një etapë mikse, me malore në pjesën e saj të parë, por pas Qafës së Muzinës për çiklistët nisi një dishezë e fortë dhe në fund terreni fushor, deri në Fier. Çiklistët pothuajse garuan në grup gjatë gjithë kohës, me Gazzara dhe skuadrën e tij që kontrollonte rivalët, duke bërë një paraqitje të mirë.

Fitues i kësaj etapë doli irlandezi Marc Heaney, që mbërriti në finish pas 4h04’49”. Ai fitoi duelin e shpejtësisë me shqiptarin Xhuliano Kamberaj (i dyti) dhe italiani Riccardo Stancchiotti (i treti). mirë u paraqit edhe Iltjan Nika, që u klasifikua në vendin e shtatë, ndërsa Gazzara i 25-ti, por me të njëjtën kohë si dhe fituesi.

Në përfundim të kësaj etape, Michele Gazzara u shpall fitues i turit të 75-të Çiklistik, duke lënë pas patriotin e tij dhe shokun e tij të skuadrës Sangemini, Nicola Gaffurini me 1 minutë më shumë, ndërsa i treti u klasifikua kroati Brouno Maltar. I pari nga çiklistët kuqezi në këtë renditje të përgjithshme është Ridion Kopshti, në vendin e 29-të, por shumë larg kreut, duke bërë që çiklistët shqiptarë të mos shkëlqejnë në këtë turne edhe pse fituan një etapë (të tretën) me Kamberajn.

Turi Çiklistik – Etapa e pestë (Sarandë-Fier, 162,5km)

1-Marc Heaney (Irlandë)                    Asfra Racing          4h04’49”

2-Xhuliano Kamberaj (Shqipëri)        Shqipëria               “

3-Riccardo Stancchiotti (Itali)             Mstina Focus         “

Renditja Përfundimtare

1-Michele Gazzara (Itali)                     Sangemini              19h56’36”

2-Nicola Gaffurini (Itali)                       Sangemini              +1’01”

3-Bruno Maltar (Kroaci)                      Meridiana              +1’51”

Renditja ekipore

1-Sangemini          59h54’19”

2-Meridana           60h00’30”

3-Project D’Azur  60h06’29”

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat