Shkolla shqipe “Gjuha jonë” në Filadelfia, hap dyert për vitin e ri shkollor

Diaspora

Shkolla shqipe “Gjuha jonë” në Filadelfia, hap dyert për vitin e ri shkollor

Më: 14 shtator 2016 Në ora: 13:21
Shkolla shqipe “Gjuha jonë” në Filadelfia

Qendra Social-Kulturore e komunitetit shqiptar në qytetin historik të Filadelfias (Philadelphia), këtë të dielë , “e prishi” qetësinë e pushimeve të verës , nga zërat e fëmijve e të prindërve të tyre, që i kishin sjellë këta fëmijë, për të mësuar gjuhën shqipe dhe kulturën e historinë tonë kombëtare, pranë shkollës shqipe “Gjuha Jonë ”. Atmosferë festive e gëzimi, dukej jo vetëm në ambjentet e shkollës, por edhe në fytyrat e nxënësve, dikush fare i vogël për tu regjistruar në klasë të parë, e të tjerë që vinin nga klasat e vitit të kaluar shkollor e që dëshironin ta vazhdonin shkollën, deri në klasën e pestë që është edhe klasa më e lartë që mund të ndiqet në këtë shkollë. Takime e shtrëngime të duarve të tyre të vogla, me shokët e shoqet e klasës, me mësueset e tyre që u kishin munguar për dy muajt e verës, por për të cilat kishin marre tufa lulesh për tua dhuruar në ditën e parë të shkollës. Nga ana tjetër, shikon prindër që nxitojnë duke mbushur formularin e regjistrimit në shkollë, pasi kanë lënë diçka për të bërë këtë ditë, gjatë kohës që fëmijtë ndjekin shkollën, për tu kthyer përsëri për ti marrë ata pas përfundimit të mësimit. Përpara derës dhe në hollin e ndërtesës, shikon shqetësimin e antarëve të kryesisë të shoqatës atdhetare-kulturore “Bijtë e Shqipes” për numrin e nxënësve që do të vijnë, dhe për të sistemuar gjithcka në vendin e vet. Llazari e Vlashi, me formularët e librat në duar, mundohen të ndihmojnë cilindo. Bujari i financës, mundohet të jetë i gatshëm për cdo gjë. Ndërsa, Hakiu, Bashkimi e Bujari tjetër, ndihmojnë mësueset duke orientuar nxënësit nëpër klasa. Nga ana e tyre mësueset me përvojë, Rajmonda, Kozara, Irini dhe Adelina, duke mos e fshehur gëzimin që të jep dita e parë e shkollës, janë në shqetësimin e ardhjes të nxënësve të tyre. Në këtë atmosferë të krijuar, gradualisht nxënësit filluan të mbushin hapësirën e godinës, në ballin e së cilës brenda saj, flamuri ynë kombëtar i vendosur aty, i fton nxënësit të këndojnë hymnin e tij , sic bëjnë cdo ditë mësimi. Por sot , flamuri shndriste edhe më shumë. Ishte nje flamur i ri, të cilin e solli Milot Rukiqi, me origjinë nga Kosova. Arti, djali ë Milotit që do të vazhdojë klasën e dytë këtë vit, ishte mjaft i gëzuar, pasi për ditën e parë të shkollës e kishin shoqëruar, përvec babit, edhe gjyshi dhe xhaxhai Genci, të cilët kishin ardhë për qëndrim të përkohshëm këtu në Amerikë. Faleminderit familjes Rukiqi.


Kështu,pasi u urohet mirëseardhja nxënësve nga kryetari ë shoqatës, të vendosur përballë flamurit kombëtar, të gjithë të pranishmit, nxënës, prindër, mësuese e të tjerë, kënduan hymnin tonë kombëtar. Pas tij nxënësit shpërndahen nëpër klasa, ku mësueset ishin kujdesur që të kishin gjithëka gati dhe mësimi vazhdoi normalisht.


Shkolla shqipe “Gjuha Jonë ” hapi dyert 12 vite më parë, duke shtuar çdo vit numrin e nxënësve që e frekuentojnë atë, por duke rritur edhe cilësinë e mësimit dhe volumin e nxënies prej tyre. Gjatë kësaj kohe janë ulur në bankat e saj rreth 600 nxënës , që kanë marrë njohuritë e domosdoshme jo vetëm për gjuhën shqipe, por edhe për kulturën, traditën dhe historinë tonë kombëtare. Tashmë dihet, se një gjuhë e huaj më tepër, të hap një dritare në jetën tënde. Ndërsa gjuha e kombit tënd, të hap një derë që nuk mbyllet kurrë, për komunikimin me dheun dhe me njerëzit, në vendin e origjinës tënde, për mbajtjen gjallë të atdhedashurisë. Këtë , duket se një pjesë e mirë e bashkatdhetarëve tanë në Filadelfia, e ndjejnë në qenien e tyre dhe po bëjnë sakrificën e nevojshme për t’ju dhenë fëmijve të tyre këto njohuri të domosdoshme. Asgjë nuk është e lehtë, dhe nuk vjen pa sacrificë. Por për gjëra shumë të rëndësishme siç është të mësuarit e gjuhës shqipe, edhe sakrifica më të mëdha janë të domosdoshme.


Dita e parë e këtij viti shkollor ishte me më shumë nxënës se cdo vit tjetër. U regjistruan dhe nisen mësimet plot 34 nxënës ne klasa te ndryshme, ndërsa parashikojmë që ditët që vijnë të kemi mbi 60 . Vargjet plot emocion të poetit Vlashi Fili, të vendosur në njoftimin e fillimit të shkollës në FB e shoqatës “Bijtë e Shqipes”, me sa duket shërbyen edhe si thirrje e fëmijve për prindërit e tyre :


FLISNI SHQIP
Jam i vogël, jam fëmi
Kam nevojë për ndihmën tuaj
Që në fis, me njerëzit e mi
Të mos ndjehem si i huaj!!
Shokëve dua që t’u them
Kjo është gjuhë e nënës time
Dhe krenar për ju të jem
Për së gjalli e në kujtime.
Pra ju prindër, u kërkoj
Në shtëpi të flisni shqip
Që edhe unë ta mësoj
Ta mësoj e mos ta harroj.


Duke uruar nxënësve e prindërve bashkatdhetar te Filadelfias : “Gëzuar ditën e parë të shkollës shqipe”, nuk mund të lëmë pa përmendur për të disatën herë, mungesën e papërgjegjshmerinë e shtetit dhe të qeverisë shqiptare për të siguruar librat e nevojshme , shkollave shqipe në diasporë, sic është edhe shkolla “Gjuha Jonë ”. Si ka mundësi që këtu në këto shkolla bëhet punë vullnetare nga shumë e shumë bashkatdhetarë, ndërsa shteti ynë që e ka detyrim të paisë me libra ato, e te kujdest per problemet e diaspores vet, nuk e bën një gjë të tillë?


Kur do të marrë fund kjo?


Tajar Domi


Kryetar i Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”


Filadelfia,


11 Shtator 2016

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat