Murati: Organizimi partiak jashtë vendit vetëm sa e përçan diasporën

Diaspora

Murati: Organizimi partiak jashtë vendit vetëm sa e përçan diasporën

Më: 19 nëntor 2016 Në ora: 21:01
Ministri i Diasporës të Kosovës, Valon Murati në Samitin e Diasporës

Ministri i Diasporës të Kosovës, Valon Murati ka thënë sot gjatë “Samitit të Diasporës Shqiptare” në Tiranë, se organizimi i partive politike shqiptare në diasporë vetëm e përçan atë dhe e dëmton funksionimin e saj.

Ai përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ishte pjesë e panelit të VII-të i cili trajtoi organizimin e diasporës dhe rolin e saj në zhvillimin e atdheut.

Murati thotë se, “diaspora shqiptare është një dhe e pandashme dhe e tillë duhet të trajtohet edhe nga shtetet tona. Të mos gabojmë t’i vendosim ne në diasporë kufijtë për të cilët nuk na ka pyetur askush në Ballkan”.

Më tutje thotë se është e nevojshme krijimi i një raporti të ri cilësor me diasporën duke pasur parasysh se diaspora shqiptare sot ka krijuar burime të jashtëzakonshme njerëzore.

“Fola për përvojën me krijimin e rrjeteve të bizneseve, të të rinjve dhe studentëve, të juristëve dhe nevojës për një rrjet digjital ku do të përfshinim profesionistët shqiptarë të të gjitha fushave. Nevoja për një qasje e cila do të ndihmonte të koordinonte shoqatat kulturore është gjithashtu e nevojshme. Përmenda faktin se ka dy vite që kemi filluar me angazhimin e studentëve tanë nga diaspora në punë praktike tek institucionet e Kosovës si dhe për qasjen që kemi që të fillojmë të dizajnojmë projekte për angazhimin afatshkurtër të ekspertëve tanë nga diaspora në fusha të ndryshme të jetës në Kosovë. E ritheksova se organizimi i partive politike shqiptare në diasporë vetëm e përçan atë dhe e dëmton funksionimin e saj, përderisa duhet të punojmë për përfaqësimin më të mirë të diasporës në institucionet tona por edhe në institucionet e shteteve ku jetojnë bashkatdhetarët tanë”, shkruan ministri i Diasporës.

Në të gjitha panelet dhe jashtë tyre, ai thotë se një vlerë të shtuar krejt këtij aktiviteti i japin bashkatdhetarët tanë të ardhur nga të gjitha anët e botës me përvoja dhe kontribute prej më  të ndryshmëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat