Ministri Valon Murati: Diaspora shqiptare është një dhe e pandashme

Diaspora

Ministri Valon Murati: Diaspora shqiptare është një dhe e pandashme

Më: 20 nëntor 2016 Në ora: 13:29
Bajrami, Murati, Nikolla

Dje, në kuadër të punimeve të Samitit të Diasporës Shqiptare në Tiranë, u organizuan edhe 8 panele, ku përmes një bashkëbisedimi të hapur mes bashkatdhetarëve dhe përfaqësuesve të të dyja shteteve, Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, u trajtuan tema të ndryshme në interes të diasporës dhe atdheut.

Pjesë e panelit VII, i cili trajtoi organizimin e diasporës dhe rolin e saj në zhvillimin e atdheut, ishte ministri i Diasporës, Valon Murati, i cili tha: “Diaspora shqiptare është një dhe e pandashme, prandaj si e tillë duhet të trajtohet edhe nga shtetet tona. Të mos gabojmë t’i vendosim në diasporë kufijtë, për të cilët nuk na ka pyetur askush në Ballkan”.

Ministri Murati theksoi edhe nevojën e një raporti të ri cilësor me diasporën, duke pasur parasysh se diaspora jonë sot ka krijuar burime të jashtëzakonshme njerëzore.

Ministri, gjithashtu, e ritheksoi faktin se organizimi i partive politike shqiptare në diasporë vetëm e përçan atë dhe e dëmton funksionimin e saj, përderisa duhet të punohet për përfaqësimin më të mirë të diasporës në institucionet tona, por edhe në institucionet e shteteve ku jetojnë bashkatdhetarët tanë. E ritheksova se organizimi i partive politike shqiptare në diasporë vetëm e përçan atë dhe e dëmton funksionimin e saj, përderisa duhet të punojmë për përfaqësimin më të mirë të diasporës në institucionet tona por edhe në institucionet e shteteve ku jetojnë bashkatdhetarët tanë.

Në këtë panel prezantuan edhe  zv.ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Odeta Barbullushi, pastaj nga Giove ani Maria De Vita nga Drejtoria e Përgjithshme për italianët jashtë vendit; Mark Gjonaj, anëtar i Asamblesë së shtetit të Nju-Jorkut; Ahmet Gjanaj, deputet i rajonit të Brukselit; Kingsley Aikins nga Irish Diaspora Organization, dhe Konstadin Ristani me përvojën e tij nga administrata publike e Kanadasë.

Në panelet e tjera, ku u diskutua për kulturën, arsimin, ekonominë, shërbimet konsullore dhe diplomacinë publike, panelistë ishin edhe z. Enver Hoxhaj, ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës; z. Arsim Bajrami, ministër i Arsimit; z. Rexhep Hoti, zëvendësministër i Kulturës; z.Kushtrim Sheremeti, shef i Kabinetit në Ministrinë e Diasporës etj.

Samiti i Diasporës organizohet për herë të parë dhe nën përkujdesin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës së Republikës së Kosovës, ndërsa po marrin pjesë rreth 1000 përfaqësues të diasporës nga 40 shtete të ndryshme.

Samiti i ardhshëm do të organizohet në Prishtinë! 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat