Suedi: Policia kërkon ndihmën e qytetarëve

Diaspora

Suedi: Policia kërkon ndihmën e qytetarëve

Ramadan Reshitaj Nga Ramadan Reshitaj Më 28 janar 2017 Në ora: 18:34
Malmë e Suedisë me banorë nga shumë shtete të botës /Foto:R.Reshitaj

Me rreth 350 mijë banorë, qyteti jugor i Suedisë, Malmë, është qyteti i tretë për nga madhësia në këtë shtet skandinav. Para saj janë kryeqyteti Stockholmi dhe qyteti tjetër Goteborgu. Por, viteve të fundit, për shkak të problemeve në fushën e sigurisë dhe të kriminalitetit, Malmë, rradhitet ndër qytetet më problematike.

Vetëm në 12 muajt e fundit, këtu kanë ndodhur 11 vrasje me pasoja vdekjeprurëse, afro 80 tentim vrasje dhe shumë vepra të tjera kriminale siç janë krime të dhunshme, sulme, përdhunime, vjedhje dhe mashtrime.

 Kjo do të thotë se  organet policore në Malmë janë një situatë jashtëzakonisht të tensionuar.

Për të gjetur dhe arrestuar kryesit e veprave kriminale, duke përfshirë këtu edhe dorasit, policia e  këtij qyteti, ka ndërmarrë masa dhe ka shtuar veprimtarinë. Mes tjerash është bërë shkarkimi nga puna i shefit regjional të policisë dhe janë përforcuar shërbimet me ekspertë dhe kuadro nga regjionet e tjera të vendit.

Por me qenëse tërë këto masa te ndërmarra nuk po mjaftojnë dhe se rezultatet në kapjen e atyre që po kryejnë këto vepra kriminale po vonohen ose po mungojnë, shefi i policisë së Malmës, Stefan Sinteus, kërkon ndihmën e qytetarëve.

Ne jemi të varur nga ndihma juaj. Kemi nevojë për të dhënat dëshmuese  në mënyrë

që të zgjidhim këto krime të dhunshme, shkruan ai në gazetën më të madhe të Suedisë Jugore “Sydsvenskan”. Na ndihmoni që përmes bashkëpunimit të ndërsjellë të vijmë deri tek zgjidhja e problemeve. “Le të bëjmë Malmën një qytet të qetë dhe të sigurt për fëmijët, për të rinjtë dhe për të rriturit”, përfundon apeli i shefit të Policisë së Malmës, Sinteus.

Të themi se në Malmë e në rrethinë, jetojnë qytetarë nga shumë shtete të botës. Zyrtarisht thuhet se këtu fliten rreth 150 gjuhë të ndryshme. Besohet se diku mes 11 e 12 mijë veta janë shqiptarë nga Kosova dhe nga trojet tjera etnike shqiptarët. Dhe, mjerisht në  këto ngjarje tragjike e kriminale ka edhe nga radhët e shqiptarëve. Prandaj apeli i shefit të policisë së qytetit duhet të dëgjohet dhe të respektohet edhe nga bashkëkombësit tanë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat