Te varri i Skënderbeut në Lezhë, Arbëreshët e Italisë dëshmuan ruajtjen e kulturës 550 vjeçare

Diaspora

Te varri i Skënderbeut në Lezhë, Arbëreshët e Italisë dëshmuan ruajtjen e kulturës 550 vjeçare

Më: 24 prill 2017 Në ora: 09:06
Arbreshët

Rrugët me kalldrëm, pazari i vjetër, antika, kalaja, Muzeu e gjithçka tjetër të lidhte me historinë.

Histori jo pak vjeçare. Histori plot pesë shekuj e pesë dekada. Por ende e freskët në memorien tonë. Histori me jehonë të madhe. Pra historia e popullit shqiptar qysh para 550 viteve, atëherë kur mbret i tyre ishte një njeri i zgjuar, i fuqishëm, patriot e luftëtar i zoti. Aq i zoti sa i doli zot vendit të tij kundër pushtuesve osman.

550 vite fitore kundër këtyre pushtuesve u festuan ditën e së shtunës nga Arbëreshët e Italisë. Ata erdhën mëngjesin e kësaj dite për të qëndruar në Shqipëri tri ditë me radhë në kuadër të organizimit të Paulin Zefajt dhe Bashkisë së Lezhës. Ata erdhën të na kthejnë në kohë, përmes kulturës e traditës shqiptare, përmes gjuhës e veshjes që përdorej para 550 viteve. 

Breza të vjetër e të rinj që nga mbërritja e tyre në Arbëri, nuk ndalën këngën. KultPlus, ju sjellë një reportazh për 58 arbëreshët dhe 550 vjetorin e Skënderbeut.

Gjithçka nisi me Krujën

Arbëreshët e Italisë arritën në Krujë me veshjet e tyre madhështore, të udhëhequr nga kryetari i komunës ku ata jetojnë - Noè Andreano. Kaluan përmes Pazarit të Vjetër e drejtë tek Kalaja e Skënderbeut, aty ku dhanë një program rrëqethës për të pranishmit që ishin në një numër të madh.

Pas performancave muzikore, poemave e fotografive radha i erdhi vizitës së kalasë. Aty KultPlus realizoi disa intervista me njerëzit kyç të këtij organizimi. Nisëm me kryetarin e komunës Casalvecchiodi Puglia në Itali. Ai, fillimisht tha se kur e morën ftesën nga Lezha ishin shumë të lumtur që tani do të kenë mundësinë ti takojnë vëllezërit e tyre matanë detit.

"Ne tashmë po ndërtojmë ura me shtete të ndryshme, por ajo çfarë duam ne është që të ndërtojmë ura me vëllezërit tanë. Ne kemi ardhur tu tregojmë kulturën që kemi pasur si popull qysh para 550 viteve dhe jemi shumë të gëzuar", u shpreh Andreano, duke vazhduar të na tregojë se në Itali kanë pasur disa momente të vështira, por që tani veç janë tejkaluar. 

Image

"Ne e kemi ëndërruar Shqipërinë e bukur, e kemi pritë që do jetë kështu dhe momentin e orën që kemi zbritur e kemi parë se Shqipëria po rritet dhe po zhvillohet e për këtë gjë neve na bëhet shumë qejfi. Përgatitja e këtij programi nuk ka qenë e vështirë edhe pse është trashëguar ndër breza. Ky material që e kemi është i gatshëm dhe ka plotë dy dekada që praktikohet, ka shumë këngë të vjetra dhe valle të vjetra por kemi edhe valle të reja ku jemi munduar të paraqesim të kaluarën tonë, të tashmen dhe perspektivën për të ardhmen", theksoi i pari i Arbëreshëve, Andreano.

Në këtë organizim i veshur si Skënderbeu ishte aktori Xhevat Limani. Ai kishte ardhur me vullnetin e tij tu bashkohet në këtë festim vëllezërve arbreshë.

"Erdhën arbëreshët, iu kthyen trungut, janë pjesë e kombit tonë. Ideja është shumë e qëlluar, por duhet shteti shqiptar mos ta kuptojë Shqipërinë si pronë të tyre, kjo është e shqiptarëve jo e pushtetarëve. Duhet të ketë një mbështetje më të madhe. Unë kam ardhur për shqiptarët dhe arbëreshët. Pata një turne nëpër Evropë dhe isha këndej e erdha, jam i lumtur që jam këtu", u shpreh për KultPlus aktori Limani. 

Arbëreshët, me këto performanca përfunduan me Krujën duke u nisur kështu për në Lezhë mëngjesin e së dielës.

"Vallja e fitores" në Lezhë

Ora 10:00. Arbëreshët me veshjet e tyre madhështore nisën këngë dhe vallen në sheshin e Lezhës. "O yll i bukur", ishte një ndër këngët që u këndua nga arbëreshët e që kësaj kënge iu bashkuan edhe qytetarët e Lezhës. Pasi përfundoi kjo performancë, Arbëreshet u nisën drejt Bashkisë së Lezhës, aty ku i priti i pari i kësaj komune, ai i cili edhe mbështeti këtë organizim me rëndësi të veçantë për kombin shqiptar. 

Arbreshët vazhduan me një vizitë ne Bashkinë e Lezhës, ku edhe njëherë shprehën falënderimin e tyre për këtë bashkim. "Sot dallëndyshet që vijnë buzë detit, erdhën në vendin e vet", thanë ata.

Image

E s'kishte si të vazhdonte ndryshe, pasi arbëreshët performancën kryesore e mbajtën tek banesa e fundit e Gjergj Kastriotit. 
Përpos banesës së fundit të tij, ai vend është edhe një lloj amfiteatri për ngjarje kulturore dhe jo vetëm. Fjalime të rëndësishme e mjaft të fuqishme u mbajtën përballë varrit të Skënderbeut, që ngjanin si një betim për bashkim të shqiptarëve anekënd botës. Pos kësaj, aktori Xhevat Limani, performoi monologun e Gjergj Kastriotit, me një fuqi të jashtëzakonshme, e që dukej sikur me të vërtetë Skëndërbeu ishte gjallë, edhe pse ai frymon ende ndër popullin shqiptar.

"Nuk ka qenë dhe nuk është e lehtë, mendoj që ia arritëm falë vendosmërisë së kryetarit të Bashkisë së Lezhës, sepse Ministria e Kulturës na ka kthyer përgjigje negative duke mos e përkrahur këtë organizim dhe ky organizim kaq i rëndësishëm për kulturën shqiptare thuajse ishte në prag të dështimit por falë kryetarit të Bashkisë së Lezhës ia arritëm dhe tërhoqëm vëmendjen e mbarë opinionit shqiptar ashtu siç jeni edhe ju nga Kosova. Jam I sigurt që ky organizim do të kthehet në një organizim tradicional dhe besoj shumë të tërheqim vëmendjen edhe të institucioneve të tjera", tha për KultPlus organizatori i kësaj ngjarje - Paulin Zefaj,i cili vazhdoi të tregonte se vitin e ardhshëm këtë organizim do ta bëjë të përvitshëm dhe një javor.

"Vitin e ardhshëm ky organizim do të zgjerohet, nuk do të jetë tre ditorë por një javor, dhe do ta shtrijmë edhe në territorin e Kosovës, Malin e Zi si dhe Dibrën e Madhe", përfundoi Zefaj.

Arbëreshët erdhën, dhe të hënën në mbrëmje do të shkojnë aty ku jetojnë e punojnë por mendja, zemra e shpirti i tyre do të qëndrojë gjithmonë në viset shqiptare, aty ku pushojnë të parët e tyre, të parët tanë. Aty ku pushon gjaku arbëror. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat