Diaspora shqiptare ka 700 mijë qytetarë, 400 mijë të regjistruar

Diaspora

Diaspora shqiptare ka 700 mijë qytetarë, 400 mijë të regjistruar

Më: 7 qershor 2017 Në ora: 12:52
Ilustrim

Bashkatdhetarët përbëjnë një të tretën e trungut demografik të Kosovës, me rreth 700 mijë qytetarë, ndërsa vetëm në regjistrimin e mërgatës nga Ministria e Diasporës, kanë dalë rreth 400 mijë.

Kështu ka deklaruar për televizonin publik, Shyhrete Kastrati, drejtoresh e Qendrës kulturore shqiptare në diasporë.

Ajo tha se të shtunën, me 10 qershor do të publikohen rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, të cilat përafërsisht përfshijnë një shifër prej 400 mijë kosovarëve të regjistruar, kryesisht gjatë ardhjes në vendlindje.

Kastrati tha se procesi i regjistrimit ka filluar në vitin 2014 dhe shifrat aktuale të cilat do të publikohen të shtunën, përfshinë periudhën deri më 31 dhjetor 2016.

“Regjistrimi vazhdon deri më 2021, kur edhe do të kemi rezultatet përfundimtar të diasporës”, deklaroi Kastrati, sipas të cilës, shifra prej 400 mijë bashkatdhetarëve të regjistruar përfshinë regjistrin fizik të tyre që është zhvilluar nëpër pikat hyrëse kufitare. Ndërsa procesi tjetër i regjistrit elektronik, sipas saj, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Kastrati tha se shumica e kosovarëve të regjistruar janë nga Evropa, pasi edhe vendosja e diasporës ka qenë më e madh në BE. Ndërkaq, sa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë, ajo tha se procesi ka qenë më ngadalshëm, pasi që edhe ata më rrallë kanë ardhur në Kosovës për të qenë pjesë e  “regjistrimit fizik”.

Por, Kastrati tha se gjatë periudhës së ardhshme orientimi institucional i Kosovës duhet të jetë në këto dy vende, ku ka një numër shumë të madh të kosovarëve.

Ajo potencoi se të drejtën e regjistrimit si mërgimtar i Kosovës e ka secili qytetar që ka lindur vetë, babai apo gjyshi i tij në Kosovë. Kurse kërkoi që mos të bëhet propagandë kundër regjistrimit, sepse të regjistrohesh si bashkatdhetarë nuk ka asnjë konsekuencë në relacion me atdheun, ose me vendin ku jeton.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat