Investimi në bujqësi i fermerit të rikthyer nga emigrimi

Diaspora

Investimi në bujqësi i fermerit të rikthyer nga emigrimi

Nga: ATSH Më: 20 nëntor 2017 Në ora: 08:06
Fermeri

Të rikthyer në vendlindje nga emigrimi, fermerë po investojnë gjithnjë e më shumë në projektet bujqësore.

Asllan Murataj është një bujk i njohur në Gostil në qarkun e Kukësi, i cili së bashku me djalin e tij, ka ngritur një  fermë me një sipërfaqe prej 2.1 hektar, ku 1.1 ha janë mbjellë me bimë mjekësore dhe aromatike (sherbelë), 0.6 ha me rrush dhe 0.4 ha me foragjere si jonxhë dhe misër.

Në një prononcim për ATSH, Murataj tregon se si arriti të ngrinte fermën e tij, në të cilën ka të punësuar të gjithë pjesëtarët e familjes.

“Kam qenë në vitin 1995-ën në Itali dhe kam qëndruar 5 muaj ku punova në bujqësi. Pastaj në 1998-ën ika në Angli dhe qëndrova tre vite. Pas kthimit nga Anglia u mora kryesisht me bujqësi”, thotë ai.

Murataj është një prej përfituesve që paraqitën kërkesë në kuadër të thirrjes së dytë të Skemës së Granteve nëpërmjet projektit Gjermano-Danez, SARED. 45 vjeçari Murataj është kontraktuar të investojë në makineri dhe pajisje bujqësore për ta modernizuar ekonominë e tij bujqësore dhe për ta rritur produktivitetin dhe të ardhurat.

“Drejtoria e Bujqësisë e Rrethit Kukës dha njoftimin se ekzistonte një mundësi për të përfituar  nga projekti SARED, fonde për zhvillim bujqësor. Shkuam atje për tu interesuar, kërkonim bimë medicinale dhe arrore. Unë kisha 11 dynym të mbjellur me sherbele dhe arrita të dalë fitues gjatë muajit gusht të 2016-ës. 35 mijë euro ishte shuma totale e projektit, ku 65% u subvencionuar nga SARED, dhe pjesën tjetër e vetëfinancova. Unë tani jam i lehtësuar në punë. Kam bletë, rrush, hardhi dhe përmes mjeteve, që kam përfituar nga SAREd, më janë shtuar të ardhurat. Djali i vogël është në Ankara. Kjo bujqësia e mban atje djalin tim”, shprehet fermeri.

Investimi që i dyfishoi të ardhurat

Murataj është mbështetur për investimin e 1 traktori, 1 makinerie bujqësore dhe 1 rimorkioje me vlerë investimi gjithsej prej 3.5 milion lekë dhe me mbështetje granti prej 2.3 milion lekë.

Pas vitit të parë të investimit, efekti konsiderohet shumë pozitiv nga ky bujk, përkatësisht përmes: makinerisë të cilën më parë e merrte me qira (ulje e kostove bujqësore),  rritjes së prodhimit të sherbelës me 10%, rritjes së sipërfaqes së mbjellë me foragjere,  sigurimit të të ardhurave shtesë prej 150.000 lekë nga ofrimi i shërbimeve agroteknike,  bujqve të tjerë të zonës.

Krahas ndikimit ekonomik dhe rentabilitetit, investimi ka pasur një ndikim pozitiv nga këndvështrimi social; përmes investimit u bë e mundur lehtësimi i punës fizike në bujqësi, si ujitja, spërkatja, transporti etj. Mungesa e pajisjeve bujqësore, nga ana tjetër, konsiderohet nga  Murataj si një faktor kufizues për t’i rritur mundësitë për një të ardhur më të mirë për vete dhe për të birin, Shabanin. Përmes investimit,  Murataj ka shpresë se familja e tij do të qëndrojë e bashkuar dhe se i biri do të mund ta planifikojë të ardhmen me një fermë të mirë dhe konkurruese.

SARED në mbështetje të 1 mijë fermerëve

Projekti Gjermano-Danez (SARED), që synon përmirësimin e jetës në zonat Rurale, u ka ardhur në ndihmë mbi 1 000 familjeve fermere.

Në këtë projekt kanë aplikuar rreth 415 persona, për një vlerë investimesh gjithsej prej 14.5 milion euro dhe një shumë grantesh gjithsej prej 9 milion euro. Nga këto 61% janë shpallur fitues, pra rreth 245 subjekte të kontraktuara.

Objektivi i SARED është “përmirësimi i ekonomisë rurale në zonat malore në pozita të pafavorshme”. Në veçanti, ky Program kontribuon në objektivat e Strategjisë Ndërsektoriale për Bujqësinë dhe Zhvillimin Bujqësor Rural 2014-2020 (ISARD) së MBZHRAU.

Thelbi i qasjes metodike është ndërthurja e një granti për investim me masa të zhvillimit të kapaciteteve në disa zinxhirë të vlerës të përzgjedhur në gjashtë qarqe: Kukës, Shkodër, Dibër, Elbasan, Berat dhe Korçë. SARED mbështet 4 zinxhirë të vlerës (ZV): bagëtitë e imëta, frutat dhe arrorët, bimët mjekësore dhe aromatike dhe turizmi rural. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat