Profili i një emigranti. Njihni Artanin, mirditori 18 vite në Angli - Bota Sot
Profili i një emigranti. Njihni Artanin, mirditori 18 vite në Angli

Diaspora

E enjte, 18 janar 2018

Profili i një emigranti. Njihni Artanin, mirditori 18 vite në Angli

Më: 8 janar 2018 Në ora: 06:34
Artanin

Çfarë ndodh me shqiptarët, 27 vite emigrim. Largimet që nuk kanë të ndalur dhe historia e Artan Kokës nga Mirdita që prej 18 vitesh jeton në Angli…Sot 37-vjeçari punon shofer trailer-i, tonazh i lartë. Më herët ka punuar elektricist dhe kryebodiguard në një klub nate…

Pas viteve ’90, në Shqipëri gjithmonë ka patur njerëz që duan të largohen nga vendi i tyre. Me mijëra janë ata që kanë emigruar dhe kanë ndërtuar jetën në një shtet të huaj në këto 27 vite.

Ditën e krishtlindjes, në dhjetorin që lamë pas, Papa Françesku, meshën ia dedikoi… emigrantëve.

Papa iu bëri thirrje të krishterëve që të mos injorojnë vështirësitë e njerëzve që janë larguar nga tokat e tyre.

Ai i krahasoi emigrantët me Marian dhe Jozefin duke treguar historinë se si ata udhëtuan nga Nazareti drejt Betlehemit, por nuk gjetën vend për të qëndruar.

“Shumë emigrantë detyrohen që të largohen nga vendet e tyre, t’ia mbathin, për shkak të liderëve që derdhin gjak të pafajshmish pa u menduar dy herë”, tha Papa.

Në vendin tonë, e kemi kuptuar dëshirën për t’u larguar nga vendi sa herë që hapen aplikimet për Lotarinë Amerikane. 400 mijë shqiptarë plotësuan formularin e aplikimit në vitin 2017! Për disa, dëshira për të lëvizur dhe kërkuar një jetë më të mirë në një vend tjetër është krejt normale dhe këtu nuk ka vend për panik, ndërsa për të tjerë, kjo dëshirë për t’u larguar vijnë si pasoj e mungesës së shpresës për një të ardhme dinjitoze për brezat që do të vijnë. Të shumtë janë ata që thonë se mundësit janë, por problemi qëndron tek njerëzit. E kështu, njerëzit flasin për njerëzit dhe dëshira për t’u larguar mbetet aty.

Anglia

Shqipëria ka shumë emigrant e historitë e largimit drejt një vendi të huaj janë të ndryshme dhe peripecitë për të krijuar një jetë normale në një tjetër shtet, po ashtu, nuk i ngjajnë njëra-tjetrës. Ne, rastësisht jemi ndalur tek Artani, djali nga Mirdita i cili ka 18 vite që jeton në Angli.

I kërkuam të na tregonte historinë e tij të emigrimit dhe jetës që ka krijuar në një vend të huaj. Ai pranoi dhe na rrëfeu mes mallit dhe dashurisë për vendlindjen, udhëtimin e tij…

“Linda në Perlat, Mirditë. Kam tre motra dhe tre vëllezër me të cilët komunikoj pothuajse çdo ditë”- tregon Artan Koka në fjalinë e parë.

Ai kujdeset të na tregoi se kontakti i tij me njerëzit e familjes nuk ka munguar në asnjë moment. Dhe pas këtij momenti kthehet menjëherë në fëmijëri, e cila është e mbushur me kujtime dhe aventura.

“Mbaj mend se isha shumë kurioz për gjithçka. Në disa raste si pasoj e këtij kurioziteti mund të kisha humbur edhe jetën. Kam patur shumë energji për sporte e shëtitje në natyrë gjë që vazhdoi ta kem. Qysh nga ajo kohë, ruaj të njëjtin pasion dhe energji për jetën”- tregon djali nga Mirdita që momentalisht jeton në Angli.

Dhe vjen momenti kur Artani duhet të gjente formën për t’u larguar nga vendi ku lindi dhe u rrit. Në moshën 19-vjeçare ai niset të kërkoi dhe ndërtoi një tjetër jetë, shumë larg asaj që kishte qëndruar për rreth dy dekada.

“Dëshira për emigrim lindi natyrshëm nga kurioziteti për të përjetuar nga afër realitete të reja dhe me dëshirën për të përmirësuar rrethanat ekonomike të familjes. Dëshira ishte për të shkuar në Amerikë me gjithë vëllain, por fati e deshi që të na ndalonin në Angli dhe këtu u ndala.

Gjithmonë përpiqem për të arritur sa më lart por duke respektuar ligjet e universit në lidhje me atë çka na ka rezervuar fati. Ditët e para ishin normale dhe kuptova se kisha aftësinë të përshtatesha kudo që të shkoja. Që kur isha i vogël, shikoja yjet dhe asnjëherë nuk ndihesha vetëm dhe kështu bëj përsëri. Çdo pengesë e shikoj si një ilaç për t’u bërë më i fortë shpirtërisht edhe fizikisht”- shprehet Koka i cili sot është baba i tri vajzave.

Me bashkëshorten e tij Rovenën është njohur në një kolegj teksa përpiqej të përmirësonte anglishten. Ajo është angleze. Që në ajo kohë anglishtja e tij është në nivelin e duhur.

Mirdita, dashuri pa kushte

Në këtë rrugëtim jete në një vend të huaj nuk kanë munguar as problemet…

“Vështirësi kam pasur por kam qenë me shumë fat sepse asnjëherë nuk më kanë munguar njerëz të mirë që më janë gjetur në vendin dhe kohen e duhur”- tregon Artani i cili e plotëson rrëfimin e tij me informacion mbi punët e para që ka bërë si emigrant.

Për shumë vite ka punuar si kryebodiguard në një klub nate dhe këtu ka marr edhe nofkën “Artan shkatërruesi”, pasi, si shqiptar gjak nxehtë që ishte, nuk duronte padrejtësitë dhe as të cenohej jeta e klientëve, ndaj shumë herë i është dashur që  të lëri gjurmët e veta tek ata që kanë menduar të thyejnë rregullat.

“Si fillim kam punuar në ndritim dhe gjatë gjithë kohës jam përpjekur me kurse e me studim për të përmirësuar potencialin dhe kapacitetin tim. Për një periudhë të gjatë kam punuar shatë ditë në javë plus katër netë. Vetëm tri netë në javë mundesha t’i plotësoja 6 orë gjumë, katër netët tjera që punoja në klub nate. Po të mos kishim incidente flija deri 3 orë dhe përsëri punë. Shpesh herë kam shkuar në shtëpi me këmishë të grisur plot gjak, por gjithmonë duke u kujdesur për sigurinë e klientëve dhe të punonjësve. Këtë punë e bëja mirë, me një qetësi dhe humor që më sillte komplimente të shumta. Në këto rrethana më vunë nofkën Artan the destrojer (Artani shkatërrues) sepse kush kundërshtonte rregullat ose vinte në rrezik klientët nuk mbetej në këmbë.

Artani ka edhe një histori për të na treguar, ku në një rast i është dashur të konfliktohej me disa persona që i kanë trazuar qetësinë, pa të drejtë, por sigurisht, pas këtij momenti janë larguar nga vendi i ngjarjes me… ambulancë.

“Në një rast, bashkëshortja dhe unë ikëm në një qytet tjetër për një fundjave. Dolëm e ia kaluam shumë mirë, ndërsa po ktheheshim për në hotel, në ecje një çun që po kalonte më shtyn. Nuk reagoj dhe vazhdoj të eci, por ai dhe shoku i tij më gjuajtën me një burger të përgjysmuar. Përsëri me humor ju kthehem dhe ju them: Pse e bëni këtë veprim, a nuk ju kanë mësuar prindërit të mos e hidhni ushqimin!? Ata u kthyen dhe mu vërsulën. Fatmirësisht ngjarjet rrodhen në favorin tim dhe ato u përcollën në ambulancë.  Policia erdhi në vendngjarje më morën në pyetje dhe pasi vlerësuan ngjarjen më sugjeruan t’u bëja denoncim, por unë vendosa të mos i harxhoja kohën policisë dhe agresorëve ju urova shërim të shpejtë”.

Pavarësisht mallit që ka për vendlindjen, Britania i ka ofruar aventura dhe jetë që në Mirditë as nuk do ta kishte imagjinuar. “Në kohën e  lirë, kur ka dallgë në det bëj surf. Kur moti është i mire dhe nuk jam i preokupuar me familjen luaj golf. Merrem gjithashtu me boks pasi është një sport që më mban në formë”.

Por,  për Artanin nuk ka si Mirdita: “Kudo shkoj dhe çfarë do kam bërë, paqen shpirtërorë që gjej në Mirditë nuk e gjej askund. Malet, natyrën dhe njerëzit i kam në mendje çdo ditë. Mirdita për mua mbetet një oaz kulturor, me histori që më jap frymëzim dhe energji të pa shtershme.

Jam i bindur se kur tri bijat e mija të jenë rritur dhe të jenë të afta të ndjekin aventurat e veta në jetë, unë do t’i kaloj ditët e mija atje ku i fillova plot pasion për jetën, pa paragjykime për të gjithë njerëzit që shikojnë yjet dhe ëndërrojnë për t’i parë ato nga afër. Në Mirditë”.

Artani vjen shpesh në Shqipëri, një ose dy herë në vit! Ai sot jeton së bashku me familjen nëCornwall, Angli. Pavarësisht jetës së vrullshme, mundësive të mëdha, sërish, ai nuk harron yjet që ka parë në qiellin e Mirditës në fëmijëri, energjinë që i japin malet e kësaj zone dhe paqen e brendshme që ndjen sa herë shkel në këtë tokë.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test