I ngrihet akuza shqiptarit në Austri për bindje të një 12 vjeçari për të kryer sulm terrorist në Gjermani

Diaspora

I ngrihet akuza shqiptarit në Austri për bindje të një 12 vjeçari për të kryer sulm terrorist në Gjermani

Më: 9 janar 2018 Në ora: 22:46
18 vjeçari, i njohur vetëm me emrin Lorenz K

Një të riu austriak, me prejardhje shqiptare, i është ngritur akuza për bindje të një 12 vjeçari në Gjermani për të kryer një sulm vetëvrasës, që rezultoi i dështuar, në një treg të stërmbushur për Krishtlindje.

18 vjeçari, i njohur vetëm me emrin Lorenz K sipas ligjeve për privatësi të Austrisë, akuzohet për dhënie të këshillave për djaloshin përmes aplikacionit WhatsApp se si të prodhonte një bombë vetëvrasëse dhe të drejtonte sulmin e tentuar, raporton "The Telegraph".

Djaloshi u arrestua pas dështimit të shpërthimit të bombës me gjemba në një treg gjerman pak javë para sulmit me kamion në një treg Krishtlindjesh në Berlin.

Akuza ndaj Lorenz K është vetëm një prej disave të prezantuara nga prokurorët në një padi 55 faqesh, ku ai akuzohet për tentim vrasje, nxitje për vrasje dhe planifikim të sulmeve terroriste.

I riu, që ka lindur në Austria nga prindër migrantë nga Shqipëria, pranon se i përket Shtetit Islamik (ISIS) por i ka mohuar të gjitha akuzat tjera.

Kur ai u arrestua, rreth një vit më parë, ministri i Brendshëm austriak e përshkroi atë si “prezencë” serioze në botën xhihadiste. Por kjo është hera e parë që akuzat ndaj tij bëhen publike.

Është po ashtu hera e parë që ai është lidhur me tentim-bombarduesin vetëvrasës 12 vjeçar, i cili u bë temë kryesore nëpër botë kur u arrestua dhjetorin e vitit 2016.

12 vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur në bazë të ligjeve për mbrojtjen e fëmijëve, ka lindur në Gjermani nga prindër irakianë. Ai është duke u mbajtur pasi tentoi të kryente një shpërthim vetëvrasës me bombë gjembore të fshehur në çantën e tij të shpinës në një treg Krishtlindjes në qytetin Luwdigshafen.

Kur eksplozivi dështoi të shpërthente, atë e zuri paniku dhe vrapoi, duke e fshehur çantën e tij në një shkurrnajë. Arrestimi i tij ndodhi pak javë para se një kamion të sulmonte një treg Krishtlindjesh në Berlin ku mbetën të vdekur 12 persona.

Sipas aktakuzës ndaj Lorenz K, ata janë takuar ‘online’. Kanë komunikuar rregullisht përmes WhatsApp-it, dhe Lorenz K e ka ndikuar fëmijën drejt dhunës xhihadiste, transmeton Koha.net.

Djaloshi fillimisht kishte dashur të kryente një sulm vetëvrasës në një kishë, por Lorenz K i kishte thënë që të sulmonte një turmë më të madhe.

Ai i dërgoi djaloshit detajet për prodhimin e rripit të bombës me një kavanoz përplot gjemba, së bashku me udhëzimet: “Vishe një xhaketë të rëndë, shko prapa një tezge, shpërtheje dhe vrapo”.

Por djaloshi s’kishte mundur ta mbërthente xhaketën mbi bombë, dhe kështu vendosi ta bartte atë në një çantë shpine.

12 vjeçari nuk mund të mbahet përgjegjës për vepër penale sipas ligjeve gjermane për shkak të moshës, dhe për këtë arsye po mbahet në një objekt kujdesi.

Lorenz K akuzohet edhe për nxitjen e një 16 vjeçareje gjermane për të kryer sulme terroriste.

Pretendohet se ai e kishte takuar vajzën gjatë një vizite në Gjermani dhe e kishte “martuar” atë sipas ligjit islamik. Babai i saj kishte shkuar në polici pasi kishte gjetur mesazhet e Lorenz K në telefonin e saj. Ajo nuk besohet të ketë kryer ndonjë shkelje.

Lorenz K supozohet të ketë udhëtuar në Gjermani për të takuar një burrë 21 vjeç në Neuss, afër Dyseldorfit, ku ai akuzohet të ketë eksperimentuar me bomba me gjemba dhe për planifikim të sulmeve ndaj ushtrisë gjermane dhe caqeve policore.

21 vjeçari, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, është arrestuar dhe po mbahet në Gjermani.

Wolfgang Blaschitz, avokat i Lorenz K, ka thënë se klienti i tij i mohon akuzat ndaj tij. “Ne do të mohojmë gjithçka përveç anëtarësisë në ISIS”, tha ai. “Ai nuk është Armiku Publik Numër një”.

Ende nuk është caktuar data për gjykim, por pritet dikur kah pranvera. Nëse shpallet fajtor në të gjitha akuzat, Lorenz K mund të dënohet me 15 vjet burgim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat