E vrau dhe copëtoi marokenen në 10 pjesë, detaje të pazbardhura mbi inxhinierin shqiptar

Diaspora

E vrau dhe copëtoi marokenen në 10 pjesë, detaje të pazbardhura mbi inxhinierin shqiptar

Më: 10 janar 2018 Në ora: 15:30
Agim Ajdinaj

Rrëfimi i Agim Ajdinaj, i cili vrau dhe më pas e ndau në pjesë partneren e tij Khadija Bencheickh, nuk i mbyll hetimet për këtë ngjarje të rëndë. Kjo pasi hetuesit janë të bindur se 51-vjeçari nuk ka vepruar i vetëm, e për këtë arsye ata janë në kërkim të bashkëpunëtorit.

Ajdinaj, një 51-vjeçar shqiptar nga Fieri ndodhet në burg në Montorio, ku dhe pranoi vrasjen e bashkëjetueses 46-vjeçare nga Maroku, mbrëmjen e 29 Dhjetorit në Verona të Italisë. Përpara hetuesve, ai tha: “Po, e vrava unë, e kam bërë gjithçka vetë”. Dëshmi kjo që duket se zbuti pozicionin e nipit të tij 27-vjeçar, Lisand Ruzhdija, i cili studion matematikë në Universitetin e Romës, i akuzuar për fshehjen e kufomës. Edhe për të autoritetet vijojnë hetimet, por në gjendje të lirë.

Kështu, rezulton se Khadija është vrarë në shtëpi me një goditje fatale, apo ndoshta me grushta, më pas është ndarë në të paktën 10 pjesë dhe është hedhur në një fushë në Valeggio, Mincio.

Por është i diskutueshëm fakti se ish-inxhinieri shqiptar i naftës, prej një viti i sëmurë me Parkinson ka mundur ta vrasë, të ketë pasur forcën për ta ndarë në pjesë me një thikë të madhe dhe ta transportonte trupin e gruas në fushën e Valeggio-s, i vetëm.

E në këtë pikë, lind natyrshëm pyetja se, nëse nuk ka qenë nipi, kush e ka ndihmuar Agim Ajdinaj që të fshihte trupin?

Hetuesit kanë kaluar në sitë çdo imazh të kapur nga kamerat e sigurisë dhe po vlerësojnë mundësinë që persona të caktuar mund ta kenë ndihmuar vrasësin për të fshehur trupin e 46-vjeçares.

Kadjia Bencheikh

Hetimet

Karabinierët i mbyllën hetimet për vrasjen makabre në më pak se një javë. Ata punuan natë e ditë, përfshirë natën e Vitit të Ri, në mënyrë që të mblidhnin provat kundër bashkëjetuesit të gruas dhe nipit të tij. Dy ishin arsyet kryesore që i çuan autoritetet në gjurmët e shqiptarëve.

Siç shpjegon kreu i Komandës Provinciale të Karabinierëve, Ettore Bramato, dyshimet nisën fillimisht sepse 48 orë pas zhdukjes të Khadija-s, bashkëjetuesi i saj dhe nipi nuk kishin sinjalizuar askënd, as prindërit apo miqtë e tyre. Elementi i dytë ishte makina e nipit, që mbrëmjen e 29 Dhjetorit u pikas rreth 700 metra larg vendit ku u gjetën pjesët e trupit të gruas.

Themelore në përmbylljen me sukses të hetimeve ishin videon e marra nga kamerat e sigurisë që shihnin rrugën dhe pallatin ku jetonte çifti. Në to gruaja shihet të futet në shtëpi gjatë orëve të vona të pasdites më 29 Dhjetor, duke transportuar qese dhe një çantë sportive, identike me ato që u gjetën në vendin ku ishte hedhur kufoma e saj.

Aktor i konsumuar

Sipas hetuesve, kur Agim Ajdinaj mori lajmin e vdekjes së partneres u soll si një “aktor i konsumuar”.”Një farsë”, e cilësoi Koloneli Bramato.

“Kur e morëm në pyetje në polici dukej i paralizuar, i paaftë për të lëvizur. Ndërsa në pamjet e kamerave të sigurisë, mund të shihet teksa lëviz pa asnjë problem, duke transportuar çanta të rënda”, tha komandanti i Repartit Operativ, Fabrizio Cassatella.

Ajdinaj dhe nipi e përshkruan viktimën si një grua të paduruar, që herë pas here braktiste shtëpinë. Në të vërtetë, nënvizojnë hetuesit, ata kanë dashur të japin një imazh tërësisht të gabuar të viktimës.

Kahadija ishte një grua e mirë, në kuptimin e plotë të fjalës, e cila kishte kërkuar nga punëdhënësi i saj që të mund të punonte edhe më 30 e 31 Dhjetor, në mënyrë që të ndihmonte bashkëjetuesin, pasi ai nuk kishte një punë të qëndrueshme e nuk sillte të ardhura të mjaftueshme në shtëpi.

Ditët në vijim pritet që hetuesit të mbledhin prova të reja në apartamentin ku ndodhi krimi dhe pritet që rezultatet e autopsisë të zbardhin mënyrën sesi është vrarë gruaja.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat