Kryetrimi legjendar i Bukureshtit shqiptar

Diaspora

Kryetrimi legjendar i Bukureshtit shqiptar

Nga: Baki Ymeri Më: 5 mars 2018 Në ora: 06:07
Nikolla Naço

Çdokush e ka nga një kryetrim. Shqiptarët e kanë kryetrim Gjergj Kastriotin. Gruaja e ka kryetrim burrin e saj besnik dhe patriot. Burri e ka kryetrimëreshë gruan e tij besnike. Jo vetëm kryetar i komunitetit shqiptar dhe kryengritës, por edhe apostull i shqiptarizmit, kryetrim, kryemik dhe kryeëngjëll ishte Nikolla Naço. Shqiptarët e Bukureshtit mburren me kryetrimërinë e kryeveteranit të veteranërisë shqiptare. “Ju siguroj që e quaj veten time fatbardhë që u poçëm e lithmë miqësi bashkë, se prej kohe dëshronja të njihja për së afërmi luftëtarin më të vjetër e më energjik të çështjes shqipe”, i shkruan Fan Noli pas kthimit nga Bukureshti në Amerikë. Vetëm korçarëve u mungon paraja, mençuria dhe trimëria për t’ia ngritur një bust/përmendore/monument, kryetrimit të Bukureshtit me origjinë korçare. Lasgush Poradeci ishte i pari që e studioi jetën dhe veprën e tij, pas ta cilit vjen një kosovar, Dr. Ismet Dërmaku që ia kushtoi një gjysmëshekulli kryetrimit tonë, duke shkruar studime, monografi dhe libra për të. Për Nikolla Naçon kanë shkruar me admirim edhe Ilo Mitkë Qafëzezi, Aleko Vançi, Asdreni që ia kushtoi një poezi e do tjerë. Ja vjersha e Asdrenit, të dashur miq e mikesha:

“Qe një shqiptar njëherë,/ Që çquhesh nga të tjerët,/ I zoti edh’i ndjerë/ Sa ndrij si hyll ndë t’errët!// Ca thoshin q’ish i marrë-/ Syshtrembër q’e vështronin,/ Ca ishin duk’e sharë/ Kur fjalët ia dëgjonin!/ Kur aq e aq Shqiptarë/ Nuk ishin për gjësendi/ Veç ky e ndjeu për barrë:/ Për një qëllim që rendi!// Më gjak të tij të ngulur/ Dëshir’e Shqipërisë,/ Për ças gjith duk’u sulur/ Për ngjalljen e Lirisë.// Vet flamurin e mbante/ Pas kishte veç do shokë,/ Prej vehtes që s’i ndante:/ Q’i kishte miq për kokë!// Dhe shpresë kurrë s’humbi,/ Kish zemrë të flakruar,/ Symbol i tij: Pëllumbi/ Mi flamur q’i kish kushtuar!// Sa veta nënë thundër/ Të msheftë nuk i vuri./ Si Kharoni me lundër/ Ndë nemët nuk i shpuri!// Qëllimet s’ia kuptonin-/ E mernin për palaço,/ Të mjerët s’e duronin/ Se qe... Nikolla Naço!

Në Bukuresht asokohe kishte dy shoqëri të riformuara. “Drita” e “Dituria” e vijuan veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur. E para krijoi degët e saj në qytete të tjera të Rumanisë, si në Brailë, në Fokshan, Konstancë, Mërëshesht, Krajovë, Ploesht etj, ku kishte mjaft shqiptarë të mërguar. Sipas një historiani kërçovar, këto degë krijuan fondet e tyre për përhapjen e mësimit shqip e botimin e librave, dhe mbanin lidhje me Shoqërinë “Drita” të Bukureshtit e cila ishte shoqëri qëndrore. Në Gusht të vitit 1888 doli numri i parë i gazetës “Shqiptari” (Albanezul), organ i Shoqërisë “Drita”, gazetë javore në gjuhën shqipe e rumune, e cila, me ndërprerje, vijoi të dalë deri më 1903. Në artikullin me titull “Çfar kërkojmë”, botuar në numrin e parë të gazetës, jepej në mënyrë të përmbledhur programi i Shoqërisë “Drita”, në të cilën kërkohej: 1. Përdorimi i gjuhës shqipe në shkolla. 2. Themelimi i degëve kulturore dhe hapja e shkollave shqipe. 3. Zhvillimi i gjuhës, i historisë dhe i letërsisë kombëtare. 4. Botimi i teksteve shkollore, i revistave dhe i gazetave në gjuhën shqipe. Në vazhdim të programit, gazeta shpallte një thirrje në formë të manifestit, drejtuar gjithë shqiptarëve, me të cilën e grishte ata, kudo që jetonin, pa dallim feje, të ngriheshin “Si një trup i vetëm, për të kontribuar me punën e tyre, me pasuri, me fjalë, me mendje, me zemër dhe në rast nevoje edhe me jetën për zhdukjen e robërisë së popullit shqiptar”. Siç shihet, programi dhe thirrja nuk kanë vetëm përmbajtje kulturore e arsimore, por edhe politike dhe atdhetare. 

Pse nuk e kremtoi Shqipëria vdekjen e një shqiptari të shenjtë?

Thonë se parashikimi është nëna e mençurisë. Nikolla Naço e parashihte se vepra e tij do të vlerësohet pas 100 vitesh. Pse nuk e kremtoi Shqipëria 100 vjetorin e vdekjes së tij (1843-1913)? Jeta e tij ishte mbrujtur me ideale të shenjta të atdhedashurisë. Jeta e Nikolla Naços, thekson e mbesa e tij (Rebeka Marta Burda), është jeta e një njeriu “me pasuri të mëdha, me vullnetin e hekurt, me intuitën gjeniale, me dashuri të patundshme për Shqipërinë. Jeta e tij është një dramë e madhe njerëzore, një përpjekje e pandërprerë e vullnetit për të bërë diçka të bukur dhe fisnike, për të përfituar pavdekësinë. Ja se ç’thoshte Nikolla Naço në pleqërinë e tij: “Kam gëzim të bëhem Apostull, që ta shikoj të ngritur Flamurin e Indipedencës dhe të bashkuar gjithë vellëzërit e mi prej një gjaku, të ndarë me pahir nga njëri-tjetri aty para 400 vjetësh dhe atëhere plumbi i parë dëshiroj të më godasë mua dhe të bëhem lajmëtari i parë i stërgjyshërve tanë, të cilët na vërejnë me brenga së largu, duke pritur prej nesh lirinë e Atdheut dhe kësisoj bashkë me ta të vetë pranë Skënderbeut, t’i them se Atdheu me anën e Bashkimit, të Urtësisë dhe të Besës së Shenjtë Shqiptare, ngriti Flamurin kundër tiranit dhe po lirohet”.

Nikolla Naço militoi një jetë të tërë për çështjen e atdheut dhe u shua si një engjëll. Sipas Rebekës së tij, ishte data 24 prill 1913, kur Nikolla N. Naço ndodhej i shtruar në spitalin “Coltea-Kolcea”, në Bukuresht. Këto fjalë ishin dëshmia e përpjekjeve të tij, përpjekjet e një jete për përparimin e atdheut të tij në rrugën drejt lirisë. Më 28 Nëntor 1938, plot 24 vite pas vdekjes së Nikolla Naços, duke vlerësuar veprimtarinë patriotike të tij, Ilo Mitkë Qafëzezi, te “Gazeta e Korçës” shkruan: “Pas Naum Veqilharxhit, Nikolla Naço-Korça është me të vërtetë një nga Kryetrimat e veteranëve të gjuhës shqipe e të Rilindjes shqiptare. Ka pasur armiq politikë dhe ka edhe sot, 24 vjet pas vdekjes, njerëz që përpiqen t’ia shëmtojnë emrin e Shenjtë atij që të tëra pasuritë e fituara me punë të rëndë i prishte për propagandën shqiptare, për botimin e gazetave e të librave shqip dhe që vdiq i vobektë, i këputur.”. Nikolla N. Naço, theksojnë pasardhësit e tij, s’rrinte dot pa vepruar. Me vullkanin shqiptar që i vlonte në zemër, në shtypshkronjën Cucu (Kuku), në një godinë që gjendej në shëtitoren më të madhe të Bukureshtit (Bulevardul Elisabeta), nxorri në dritë gazetën e tij të famshme Shqipëtari/Albanezul, e para gazetë shqipe e Kolonisë shqiptare të Rumanisë.

Historia e gazetës “Shqiptari” u lind nga një përkushtim i sinqertë dhe dashuri përvëlimtare ndaj Shqipërisë, ngase ky ishte dhe qëllimi jetësor i Nikolla Naços, kryetar i Shoqërisë Shqiptare “Drita”. Misioni i Naços ishte flakja e sundimit osman, ndriçimi kulturor dhe integrimi i kombit shqiptar në një hapsirë të përbashkët etnike, gjeografike dhe historike, vetëqeverimi dhe krijimi i Shqipërisë reale përmes përfitimit të pavarësisë. Sipas Lasgush Poradecit, Nikolla Naço „boton të parën gazetë shqipëtare, bën të parën shkollë shqipëtare, inauguron të parën kishë shqipëtare, dorëzon të parën xhami shqipëtare, redakton të parin plan strategjik për Kryengritjen e Madhe shqipëtare”. Gazeta e Naços, sipas Lasgushit, „ka për qëllim të vazhdojë luftën e filluar për të nxjerrë nga robëria fisin shqipëtar, duke e ngopur me dashurinë e shenjtëruar të mëmëdhesë, ta mësojë kombin shqipëtar që ta ruajë me shenjtëri gjuhën e tij, karakterin e tij, zakonet e stërgjyshërve dhe madhërinë e tij të përmëndur”. (Një fatos i veteranërisë shqiptare, fytyra urdhëronjëse dhe aktiviteti historik i kryeveteranit Nikolla N. Naço-Korça, Konstancë, 1932).

Vlen të ripërkujtojmë se numri i parë i gazetës Shqiptari / Albanezul doli në dritë para 130 vitesh, më 7 Gusht 1888. Gazeta del një herë në javë, „nënë urdhërit të një pleqësie”, me artikuj në gjuhën shqipe dhe atë rumune. Në faqet e para të numrave të parë, tribuna kombëtare e shoqërisë “Drita” hapet me dy shtylla: Letëra e Florinjtë dheLetëra e Zezë, në të cilat lartësohen atdhetarët dhe fshikullohen tradhëtarët, fajtorët, prishësit e shoqërisë e të njerëzisë, njerëzit me shpirt të vogël që u shërbejnë interesave të poshtra e të turpshme. Mendimet e mia, thekson N. Naço në një broshurë të tij, „drejtoheshin kah krijimi i një marrëveshjeje ndërmjet shqiptarëve nga të gjitha anët e botës nëpërmjet botimit të një gazete, që do t’i shprehte konkretisht dhe do t’i përfaqësonte drejtësisht kërkesat dhe aspiratat mbarëkombëtare”. Sipas Rebeka Burdës, çështje tjetër me rëndësi kombëtare ishte futja e gjuhës shqipe në kishat ortodokse. Lidhur me këtë Nikolla Naço kishte vepruar edhe më parë në Egjipt. Kërkesën për Kishën orthodhokse shqiptare, të redaktuar greqisht dhe shqip drejtuar Patriarkanës Ekumenike të Stambollit, Nikolla Naço deshi t’ia dorëzonte vetë në dorë Patrikut.

Për këtë Naço iu drejtua Mareshallit Nusret Pasha, mikut të tij të ngushtë, që të ndërhynte tek ai për ta pritur. Kështu Naçon zyrtarisht e pranoi në audiencë vetë Patriku i Stambollit, Dhionis, si paraqitës të kërkesës zyrtare të formuluar nga ai. Patrikut, Naço i bëri përshtypje të madhe me burrërinë e tij, e vecanërisht njohja e greqishtes “në mënyrë të shkëlqyeshme, të kulluar, në trajtat më klasike të saj”. I Tërëshenjtë! Po ju sjellim nga një ngazëllim pë orthodhoksizmin, duke ju lajmëruar ngjalljen e Krishtit me popullin shqiptar dhe ngjalljen e popullit shqiptar me Krishtin. Krishti gëzohet se erdhi koha që të lavdërohet sipas Urdhërit të Tij ndër gjithë popujt edhe në gjuhën e popullit të Tij besnik shqiptar”. Kështusoj, konkludon Rebeka M. Burda në një shkrim për Gazetën Shqiptare, kisha shqiptare dhe kombëtarizimi i saj ishte njëra nga kurorat e përpjekjeve të rilindësve tanë që vepruan në mërgim. Së bashku me atë të Bostonit, të formuar nga shoqëria “Besa-Besë”, kjo e Bukureshtit u bë gur graniti i ngritjes së Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Fan S. Noli dhe Nikolla Naço mbetën sinonim i saj në historinë e Rilindjes Kombëtare.

Ka kodra e kodra mes Shqipërisë së dremitur dhe Kosovës martire. Kosova është koka e Shqipërisë, ndërsa Shqipëria truri i meçurisë, edhe pse mençuria e saj nganjëherë bie nga provimi i atdhetarizmit pedagogjik. Në Kosovë ranë dje viktimat e pavarësisë, ndërsa sot janë mbushur rrugët, sheshet e shkollat e Kosovës me emra atdhetarësh që derdhën gjakun për një ideal të shenjtë. Rebeka Marta Burda është e bija a nipit të Naços, Vani Burdës. Në një shkrim të saj (“Nikolla Naço, një jetë për shkollat shqipe”), Rebeka ngre zërin e protestës: Nikolla Naço ngriti shkolla nga hiçi dhe asnjë shkollë s’mban emrin e tij. Sipas publicistikës shqiptare, kuptojmë se pas hapjes së Mësojtores së Parë Shqipe në Korçë (7 Mars 1887) dhe të shkollës së vashave (1891), në vitin 1892 Nikolla Naço hapi dhe 6 shkolla të tjera shqipe në Kolonjë e Vakëfe. Hapja dhe puna e tyre ishin ngushtë të lidhura me veprimtarinë e mësuesit atdhetar Petro Nini Luarasi. Shkollat u formuan dhe materialisht u ndihmuan nga Nikolla Naço. Petro Nini Luarasi në një letër drejtuar Naços nga Sofia më 31 gusht 1894 i shkruan: “Këtu shoqëria “Dëshira” në kanonizmën e vet e ka për të mbajtur mësonjëtoret në Shqipëri, por ndihmën që ua kërkova unë gjer më sot thonë se “ato shkolla janë të Naços dhe quhen të atij”.

Për Nikolla Naçon kanë shkruar një varg studjuesish të shquar nga Shqipëria, por figurën e tij e nxorri në pah me dy vëllime impresionante një kosovar: Dr. Ismet Dërmaku. Zonja Marta Burda vazhdon: “Shkollat u hapën në Rehovë, Gostivisht, Vodicë, Selenicë, Treskë dhe Luaras, me mësues Kristo Luarasin (i biri i priftit patriot Papa Stefani), Vasil Thanas Duro, Nuçi Naçi, Koço Ilia Postenani, Balil Tahiri.” Një pjesë të arkivit të Naços, me letra dhe dokumente të rëndësishme për hapjen e shkollave të para shqipe e ka arkivuar në bibliotekat tona një kosovar me shpirt të florinjtë: Dr. Sali Bashota, ish-drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Konsideratat e Rebeka Marta Burdës (të cilën kemi patur rastin ta njohim personalisht) ndaj ungjit të saj janë importante dhe interesante. Cila është importanca/rëndësia e tyre në adresë të Nikolla Naços! “Në Rehovë mësuesi i dërguar nga Korça qëndroi tri javë. Veçmas u dallua shkolla e Treskës, ku shërbente mësuesi i talentuar dhe më i riu Nuçi Naçi. Si vizionar që ishte Nikolla N. Naço, i cili më 10 Maj 1892 shpalli të hapur Shkollën Normale në gjuhën shqipe e vllahe në kryeqytetin e Rumanisë.

Shtypshkronja e Bukureshtit dhe shkollat e Kolonjës

Kjo shkollë kishte dhe konvikt të saj “Për nxënësit që vinin nga Shqipëria e Maqedonia”. Rregullorja e shkollës u botua në formë të një librezë në gjuhën shqipe, rumune e frënge. Në nenin e parë dhe në dokumentat që pasojnë del se Naço ishte kryetar i shoqërisë “Drita”, drejtor i shkollës dhe i gazetës “Shqiptari/ Albanezul”. Naço këtë kanonizëm të parë të natyrës shkollore shqiptare ua dërgoi burrave të shtetit, së pari në Rumani, Gjermani, Austro-Hungari, Itali, Francë, si dhe shkencëtarëve e dijetarëve të tjerë me letra shoqëruese në formë memorandumi. Fjalët e Martës mbështeten në dokumenta reale dhe objektive. “Më 24 korrik 1892 në letrën që ia dërgoi Dimitrie Butculelscut, Kryetar Nderi i shoqërisë “Drita”, deputet i Parlamentit rumun dhe mik i madh i tij dhe i popullit shqiptar, midis të tjerave shkruan: “Shoqëria jonë e re “Drita” pati guxim të themelonte të parën shkollë me konvikt në Bukuresht e njëherit për drejtor të saj është zgjedhur Akademiku rumun B. P. Hashdeu...”. Më 26 korrik 1892 Naço iu drejtua Kancelarit gjerman Bismark dhe Perandorit Vilhem II-të në emër të shoqërisë “Drita”, me ç’rast i njoftonte për gjendjen jashtëzakonisht të rëndë politike, kulturore dhe ekonomike në të cilën jetonte populli shqiptar. “Shkëlqesia juaj, patëm guximin t’ju njoftojmë për qëllimin dhe për administrimin e shkollës sonë me bindjen se Perandoria Gjermane do t’ia tërheqë vërejtjen Turqisë për të drejtat tona të shenjta...”.

Veprimtaria librare e shtypëshkronjës së Kollonisë mori një shtytje për së treti me faktin e çeljes së gjashtë shkollave shqipe në fshtrat e Kolonjës që më 1890 e 1893, shkolla të çelura kryesisht me dëshirën, këmbënguljen dhe ndihmën financiare të kryetarit të shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, Nikollë Naços, dyke patur si protagonist patriotin e flaktë dhe të patrembur Petro Nini Luarasin. Si për Shkollën shqipe të Korçës dhe për Shkollën shqipe të Pogradecit, duheshin dërguar libra, si dhe për këto shkolla shqipe të katundeve të Kolonjës, të cilat kërkonin një sasi më të madhe lënde shkollore të shtypur: “Nuk ish Kollonija ajo që i druhej punës, sepse djersa e saj derdhej kryesisht në funksionimin e Shtypëshkronjës, sikundër dhe pat bërë edhe tashi me një rithmë të pandalur, të përshtatur me nevojat e këtyre bijave të saj, që ishin çerdhe të sigurta të strehimit kombëtar. Po pikërisht në këtë ças veprimtaria shtypëtore më së madhe, Kollonisë zunë t’i vijnë edhe lajmet më të tronditura, më të hidhura, se një propagandë antishqiptare, për fat keq e ushqyer dhe me pjesëmarrjen e gishtërinjve të tradhëtisë, kishte filluar rishtas veprën e shkatërrimit, duke u mbyllur dyert disa prej shkollave të rish-çelura të Kolonjës... (Lasgush Poradeci, Vepërimi Kombëtar i Shqiptarëve të Rumanisë, me Kryeqendër Kolloninë e Bukureshtit, Tomorri, Tiranë 1942)

Si vdiq bë Bukuresht ky fatos i veteranërisë shqiptare? Pak minuta përpara vdekjes: në ditën e bardhë të 24 Prillit 1913, një tog patriotësh besnikë vinte në spitalin Coltei të Bukureshtit, për të vizituar Kryetarin e tyre të adhuruar, i cili dirgjej në sekcionin e doktorit Petrini Galatz ku kish rënë për të fundit herë pas një aktiviteti të pashëmbëllt në luftën e tij sipërnjerëzore për Atdhe e Kombësi. Më plaku syresh, i afrohet me drojtje shtratit të pacientit dhe me gas në buzë i bën të njohur lajmin e freskët të një Evenimenti gazmor lidhur me suveranitetin e Shqipërisë... Përkundër urdhërit kategorik të doktorit, që mos lëvizë, Naçua s’e përmbajti dot buçitjen e zemrës, u ngrit menjëherë në shtrat, hapi krahët dhe briti: “Rroftë Shqipëria! Plagët e shpirtit tim u shëruan! Tashi le të vdes: Zot’ i Math më paska falur një vdekje të ëmbël!” Dhe me këto fjalë, të cilat ishin fjalët e fundit për mallin që i pat përvëluar zemrën një jetë të tërë, mbylli sytë përgjithënjë nga drita e kësaj bote dhe vate në të Vërtetën, Plaku 72 vjeçar, Burr i Math i Kombit, dekani i Flamurtarëve të Veteranërisë, N. Naço Korça. (Lasgush Poradeci, “Një fatos i veteranërisë Shqipëtare”, Konstancë, 1930).

I hapa dyert e shkollës duke pritur nxënës ortodoksë, muhamedanë e katolikë

Nikolla Naço  vepronte me vigjilencë, urtësi dhe tolerancë. Më 27 korrik 1892 Naço i bëri apel edhe Mbretit të Italisë për ta bindur Turqinë se shqiptarët kanë nevojë për të drejtat kombëtare që i meritojnë. Më 16 gusht 1892, Naço ia dërgoi një kopje të Rregullores me një letër përcjellëse gjuhëtarit të madh dhe albanologut të njohur çek Jan Urban Jarnik, profesor i Universitetit të Vienës dhe Pragës. Në lidhje me nevojën e themelimit dhe të funksionimit të kësaj shkolle, ja ç’shkruan Nikolla Naço: ”Pas një vështirësie të madhe në vitin 1892 arrita të hap me mjetet e mia të parin Institut shqiptaro-rumun, këtu në Bukuresht, një shkollë normale për të përgatitur apostuj (mësues) dhe propagandistë. I hapa dyert e shkollës duke pritur nxënës ortodoksë, muhamedanë e katolikë, ku do të merrnin mësues dhe ushqim, që më vonë e nderuan atdheun, sepse e ngritën Flamurin e kulturës e të atdhetarisë në vend, duke vuajtur edhe në burgje e internime...”.  

Nga arkivi i “Dritës” dhe fjalët e Martës nga Durrësi dhe Ismetit nga Prishtina, kuptojmë se Filip Shiroka shkruante për shkollën normale shqipe të Bukureshtit ”Që ka nisë me u themelue për me u mësue djemve shqiptarë gjuhën shqipe dhe mësime të tjera të nevojshme për t’u hapur sytë dhe mendjen. Unë jam gëzue që tue pa që Zt. jote ashtu dhe e ndershmja shoqëria “Drita” keni mendue me ndritun vendet tona, me ja dhanë Shqipnisë atë udhë që një ditë të përparojë sikur shtetet e tjera të Evropës”. (Bejrut, 14 Shtator 1892). Më 3 Shtator 1892, nga Berati i shkruan Naços Jorgji Dudë Karbunara për pengesat që hasnin për të dërguar nxënës në Bukuresht. Jani Vreto, edhe pse ishte kundërshtar i Naços, në një letër dërguar mikut të tij, Sotir Kolesë në Ohër i shkruan: ”Më thanë para ca ditësh, që i erdhën edhe dy çuna nga Elbasani, një i krishterë e një muhamedan” (Bukuresht, 23 tetor 1894).

Nikolla Naço dinte t’ua kallë shqiptarëve zjarrin e atdhedashurisë, duke i respektuar të tri fetë, edhe pse, siç theksonte një veteran i komunitetot të këtushëm shqiptar (Thanas Kristo Rëmbeci): “Ka ardhë koha kur ne ortodokëst dhe ju myslimanët duhet ta përqafojmë dhe favorizojmë fenë katolike ngase, kur vjen fjala për kultivimin e shkrimit shqip, është e vetmja fe që na lidh me hershmërinë tonë të shenjtë, që nga koha e Pal Engjëllit e deri në ditët tona. Pse? Ngase askush nuk mund t’i harrojë persekutimet osmane të të parëve tanë të krishterë dhe masakrat serbo/greke kundër Kosovës dhe Çamërisë”. Po rikthehemi përsëri te Marta, duke respektuar moshën dhe atdhedashurinë e saj ndaj atdhetarëve të Bukureshtit: “Gjergj Qiriazi e njofton Naçon nga Manastiri, më 1 tetor 1899, se për në Bukuresht ishin nisur nga Konstandin Kristoforidhi dy nxënës, Aleks Buda dhe Dhimitër A. Pano. Ndërsa poeti Lasgush Poradeci në një artikull të vitit 1932 botuar në Kostancë me titull “Një fatos i veteranerisë shqiptare, fytyra urdhëronjëse dhe aktiviteti heroik i Kryeveteranit N. N. Naço- Korça” shkruan:

“I madhi Naço qëndron kryelartë mu në thelbin e kësaj përpjekjeje trimërore. Ai, i cili atavizmën e thellë të gjakut, me temperamentin entuziast të natyrës së vet, me vullnetin e patundur të një shpirti që u pat gatuar me zjarr dhe hekur, ngriti me vete nga labirinti kombëtar Institutin Indipendent më të parë të Veteranerisë sonë tradicionale, shoqërinë e mësimit shqip në mërgim “Drita”, pikërisht Ai pat formuar objektin e atakeve më të rrepta nga ana e armiqve zemërthatë, nga ana e atyre që të vegjël, njëkohësiht nga shpirti dhe mendja, për shkak të ultësisë ideologjike dhe për shkak interesash materiale, ishin dënuar moralisht të mos mund të kuptojnë kurrë nacionalizmin e tij të inspiruar. Nuk ka personalitet më dinamik për gatimin e Njeriut shqiptar sesa Burri i madh i kombit, Dekani i flamurtarëve të Veteranerisë, krijonjësi dhe shpirtëzonjësi plot me famë i shoqërisë “Drita” Nikolla N. Naço- Korca”. Veprimtarinë e shoqërisë “Drita” e ndiqte me vëmendje të posacme ambasadori i Austro-Hungarisë në Bukuresht, Suzzara. Ai në raportin interesant nr.7115 drejtuar ministrit Golluhovski në Vienë, më 22 qershor 1893, i njoftonte të dhëna të rëndësishme për shoqërinë “Drita”, për gazetën “Albanezul” dhe shkollën e parë normale shqipe të Bukureshtit.         

Nikolla Naço dhe shembujt e shenjtë të veprave të tij

Sipas historiografisë sonë, Lëvizja kombëtare shqiptare në periudhën e Rilindjes hartoi program të vet strategjik të veprimit, të bazuar në kërkesat që parashtronte çasti historik. Si kryesore në këtë veçoheshin: ngritja e vetëdijes kombëtare, lufta kundër përçarjes fetare me moto: Feja e shqiptarit është shqiptaria, përkatësisht bashkimi dhe çlirimi kombëtar. Njëri nga veteranët e kësaj lëvizjeje të shenjtë, ishte Nikolla Naço, themelues dhe drejtor i revistës 'Shqiptari' (1888), të cilin Fan S. Noli e konsideronte si Ushtarin më të vjetër dhe më energjik të çështjes shqiptare (letër e dërguar nga Bostoni më 28 Nëntor 1911). Ndër kolonitë shqiptare të mërgimit, kolonia e Rumanisë ishte më e njohur dhe më e pregaditur për realizimin e një programi të këtillë. Faktet historike flasin së më 16 dhjetor të vitit 1884, në Bukuresht u formua shoqëria e parë e pavarur kulturore shqiptare "Drita". Nga hulumtimet shekncore të Dr. Dërmakut, kuptojmë se inspirues dhe prijës i saj ishte Nikolla Naço. Në kontekstin e këtij shkrimi po ndalemi te nipi i tij, Vani Burda, duke përshkruar një pjesë të kujtimeve të tij mbi Naçon, nga operimi i tij e deri në momentin kur ky apostull i shqiptarizmit i mbylli sytë përgjithmonë.

Nga një kartëpostale e 24 tetorit të vitit 1912, dërguar Vani Burdës (në adresën Calea Mosilor, Nr.388, Bukuresht), nxjerrim në pah të vërtetën se Nikolla Naço ishte i internuar në spitalin Colentina, në sallën Nr.3. Sipas kujtimeve të Dimitrie Butculescut, "I sëmurë me një kancer në hundë, N. Naçua u operua në Spitalin Brancovenesc, para Kërshëndellave 1912. Pas operacionit gjendja iu keqësua gjithnjë e më shumë, derisa vdiq, më shumë nga hidhërimi sepse doktori Petrescu Galati, nja njëzet ditë para se të vdiste i tha: "Nuk kam më çfarë t'i bëj, po të dojë le të varë veten!", kurse Naçua, duke shkuar në shtëpi, u tha miqve të vet: “Ja ç'më thotë doktori mua, Naços. Do t'ia kisha futur një shuplakë po të kisha qenë i shëndetshëm". Kjo deklaratë e ashpër dhe e egër (e doktorit) ia shpejtoi vdekjen, saqë të mërkurën, më 24 prill 1913, në orën 10 të mëngjesit, vdiq në shtëpinë e tij me qira.

Ai u transportua në Kishën Ene, të dhënë nga Mitropolia për besimtarët ortodoksë dhe u varros sot, të premten, në orën 3 pas dite, në varrezën Sf. Vinerea (Shën e Premtja), në vendin e blerë nga nipi i tij, Vani Burda. Do të shërbejnë në Kishë urata Fan Noli dhe prifti Harallamb, famullitari i Kishës Ene (Kishë shqiptare): “Në orën 3 pas dite isha në Kishën Ene dhe mbajta një fjalim, pastaj eca më këmbë deri te stacioni i trenit, ku hipa në llandonin e priftit Ballamaçi deri në varrezën e Sf. Vinera. Pas varrimit u kthyem në qytet me priftin Ballamaçi.” Zoti Vani Burda ishte djalë motre i N. Naços), anëtar i shoqërisë “Drita” që një kohë funksiononte në Strada Polona nr.89. Informacionin e kemi shkëputur nga monografia e Dr. Ismet Dërmakut, i cili bazohet në shkrimet e një funksionari rumun, pa e shënuar prejardhjen e dokumentit, ndaj vdekja e Naços në shtëpi dhe pjesmarrja e Fan Nolit në varrim duken diskutabile. Kartëpostalja që na ka rënë në dorë, të cilën Naço e dërgon nga spitali, konfirmon faktin se disa muaj para se të ndërrojë jetë, Nikolla Naço ishte pacient i spitalit Coltea (Kolcea). Si e përshkruan Lasgush Poradeci vdekjen e këtij korçari të shenjtë?

Vlen përsëri të ripërkujtojmë vdekjen e këtij shqiptari të shenjtë: Në kuadrin e broshurës “Një fatos i veteranërisë shqiptare” (fq.15), Lasgushi thot se Naçua vdiq në spitalin Coltea (Kolcea) të Bukureshtit, dhe se për të përkujdesej doktor Predescu Galati. "Pak minuta përpara vdekjes: në ditën e bardhë të 24 prillit 1913 (duke u bazuar në aktin e vdekjes), një tog patriotësh besnikë të ideve të Naços, e vizituan në spitalin Coltea të Bukureshtit, kryetarin e tyre të adhuruar, që dergjej në repartin e doktor Predescu Galatit, ku kish rënë për të fundit herë, pas një veprimtarie të pashëmbullt në luftën e tij sipërnjerëzore për Atdheun e kombin. Më plaku syresh, i afrohet me drojtje shtratit të pacientit dhe me gas në buzë i bën të njohur lajmin e freskët të një evenimenti gazmor, i thonë se Konferenca e Ambasadorëve e Londrës do të shpallë për së shpejti autonominë dhe sovranitetin e Shqipërisë, duke caktuar edhe kufijtë tanë kombëtarë. Përkundër urdhërit kategorik të doktorit, që të mos lëvizte, Naçua s'e përmbajti dot buçitjen e zemrës, u ngrit menjëherë në shtrat, hapi krahët dhe briti: Rroftë Shqipëria! Plagët e shpirtit t'im u shëruan! Tashi le të vdes: Zoti i math më paska falur një vdekje të ëmbël!". Dhe me këto fjalë, që ishin të fundit, për mallin që ia pat përvëluar zemrën një jetë të tërë, mbylli sytë përgjithnjë nga drita e kësaj bote dhe vate në të Vërtetën".

Nikolla Naço dhe mbledhja historike e Bukureshtit

Rebeka Burda thekson për Gazetën Shqiptare se me dhembje të madhe, Nikolla Naço i përcillte ngjarjet në Ballkan, sidomos kur filloi Lufta Ballkanike në gjysmën e dytë të tetorit 1912. Në vjeshtën e 1912-ës, derisa Ismail Qemali ndodhej në Stamboll, ambasadori i Austro-Hungarisë në Turqi e nxiti atë të shkonte në Bukuresht e që andej në Vjenë dhe Shqipëri, me qëllim që të shpëtohej vendi. Më 5 nëntor 1912, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe një numër patriotësh shqiptarë u mblodhën në hotel “Continental” në qendër të Bukureshtit. Zisi Stavre në “Mbledhja e Bukureshtit për shpalljen e Pavarësisë” shkruan: “Nikolla Naço më tha t’u jepja sihariqin gjithë anëtarëve të shoqërisë “Drita”, se qe afruar dita e ndarë për të shpallur lirinë e vendit. Të bisedojmë me të se ç’mund të bëjë për Shqipërinë shoqëria “Drita”, se sot është dita ta ngrejmë Flamurin Tonë lart e më lart dhe ta mbajmë fort e më fort”.

Rezoluta e 5 Nëntorit, e paraqitur nga Luigj Gurakuqi u pranua nga të gjithë plot entuaziazëm. Nga një kopje të saj morën Ismail Qemali, Asdreni, Pandeli Evangjeli dhe Nikolla Naço. Me Ismail Qemalin u nisën për në Shqipëri dhe delegatët e shqiptarëve të Rumanisë Pandeli Cali, Pandeli Evangjeli, Dhimitër Emanueli, Dhimitër Zografi, Dhimitër Berati dhe Spiridon Tasi Ilo. Kjo mbledhje ishte dalja e fundit në publike e Nikolla Naços. Ditët e fundit të jetës së tij ishin të vështira, i sëmurë dhe i varfër.  Më 28 nëntor 1938, plot 24 vite pas vdekjes së Nikolla Naços, duke vlersuar veprimtarinë patriotike të tij në Rilindjen Kombëtare Ilo M. Qafëzezi do të shkruajë te “Gazeta e Korcës”: “Pas Naum Veqilharxhit, Nikolla Naço-Korca është me të vërtetë një nga Kryetrimat e veteranëve të gjuhës shqipe e të Rilindjes shqiptare. Ka pasur armiq politikë dhe ka edhe sot, 24 vjet pas vdekjes, njerëz që përpiqen t’ia shëmtojnë Emrin e Shenjtë atij që të tëra pasuritë e fituara me punë të rëndë i prishte për propagandën shqiptare, për botimin e gazetave e të librave shqip dhe që vdiq i vobektë, i këputur.” 

Lasgush Poradeci thekson: “I madhi Naço qëndron kryelartë mu në thelbin e kësaj përpjekjeje trimërore. Ai, i cili atavizmën e thellë të gjakut, me temperamentin entuziast të natyrës së vet, me vullnetin e patundur të një shpirti që u pat gatuar me zjarr dhe hekur, ngriti me vete nga labirinti kombëtar Institutin Indipendent më të parë të Veteranerisë sonë tradicionale, shoqërinë e mësimit shqip në mërgim “Drita”, pikërisht Ai pat formuar objektin e atakeve më të rrepta nga ana e armiqve zemërthatë, nga ana e atyre që të vegjël, njëkohësiht nga shpirti dhe mendja, për shkak të ulësisë ideologjik dhe për shkak interesash materiale, ishin dënuar moralisht të mos mund të kuptojnë kurrë nacionalizmin e tij të inspiruar... Nuk ka personalitet më dinamik për gatimin e Njeriut shqiptar sesa Burri i madh i kombit, Dekani i flamurtarëve të Veteranerisë, krijonjësi dhe shpirtëzonjësi plot me famë i shoqërisë “Drita” Nikolla N. Naço- Korca”.

Një letër historike e Niko Vrapit drejtuar Nikolla Naços  para 100 vitesh

(Një mëmëdhetar me dëshira të zjarrta dhe ndjenja të larta kombiare, një shqiptar mëmëdhetar që s’mejton tjetër  veç kombin, gjuhën dhe mëmëdhenë.)

Konstantinopojë, më 4 të Shkurtit 1899. Mëmëdhetar i ndershëm! Sado që s’kemi nderë të njohim Zotrin tuaj, po emrin Naço ç’do shqiptar e di dhe e kujton me nder të madh, duke dëgjuarë mëmëdhetarin e tia dhe nderin e madh që ka për kombin shqiptar, dhe i cili don me thënë një mëmëdhetar me dëshira të zjarta dhe me ndjenja të larta kombiare. Duke prurë përpara syvet të tëra këto që thamë, nuk pamë tjatrë veç dëshirës që të kishim për t’u njohur duke shkruarë kështu një kartë Zotris suaj.

Me gëzim të madh shumë e fort të gëzuarë nga gjith zemra muarëm lajmin.që nxuartë një ditëtore gazete në dritë me emrin Shqipëtari. Kur dëgjuamë këtë punë gëzim i madh që ndjemë nuk  jua dëftejmë dot, si dhe për të gjitha ditëtoret shqip, po për Shqiptarin e Zotit Naço ndjemë një gëzim fort të madh duke ditur që Shqiptari i Zotris Suaj nuk do të dëmtojë të tjera ditëtore, duke ditur që ini një shqiptar mëmëdhetar i vërtetë që s’mejton tjetër gjë veç (për) kombin, gjuhën dhe mëmëdhenë. Ju urojmë nga gjith zemra dhe i lutemi Zotit t’u apë mbarësi, mbrothësi dhe dëshira të larta.  Ditëtoret shqip që dalin në dritë sot janë shenja të bukura dhe fort të nevojshme për kombin shqiptar i cili sot për sot ka nevojë të madhe për mësim, ashtu si dhe për të shpëtuar nga tirania dhe të marë lirinë. Ah sa i ëmbël do të jetë ajo ditë kur (do) shohim vetvetinë! Zoti na dhëntë dëshirë, bashkim dhe fat të mbarë!

Jemi fort të paduruarë sa të shohim “Shqiptarin” e Zotrisë s’ate, prandaj u lutemi të na dërgoni disa copa nga fletët e para që doli në dritë për çka lipset që të bëhemi të abonuar dhe të marrim për herë e të këndojmë me gas të madh. Të kërkuamë disa copa se duamë të dërgojmë dhe në Shqipëri për të përhapur. Ky shërbim është fort i madh për ne, po me këto të mëdha shërbime që të na vijnë në dorë s’kemi lënë dhe s’do të lemë asnjë çast pa e shërbyerë mirë e më mirë kombin dhe gjuhën e mëmëdhenë. U lutemi të (na) shkruani dhe për vivlla (libra) shqip (që) kini aty se duamë të marim ca. Adresën time po jua shkruajmë poshtë, duke pritur me padurim përgjigjen  e Zotrisë mëmëdhetar me zemër të zjarrtë. Stamboll, Niko Vrapi (Poste restante au bureau Autrichien) Constantinople. (E gjeti në Bukuresht: B. Y.)

Disa letra tjera me rëndësi për Nikolla Naçon

Në Fondin arkivor të Nikolla Naços, ekzistojnë edhe dy letra të Sotir Veveçkës nga viti 1892. Njëra nga to është drejtuar nga Durrësi në adresë të Nikolla Naços, kryetarit  të Shoqërisë “Drita” në Bukuresht. Kjo letër është shkruar me dorëshkrim në dy faqe e gjysmë. Nga kjo kuptohet se autori i kësaj letre në këtë kohë gjendej në Durrës, por siç e kuptojmë nga brendia e letrës, ai më parë kishte kaluar një kohë në mesin e arbëreshëve të Italisë së Jugut dhe në këtë letër sjell gjëra interesante dhe me vlera të veçanta historiko-arsimore. Letra është shkruar me alfabetin e Stambollit të Sami Frashërit. Në fillim S. Veveçka jep disa vërejtje në lidhje me këtë alfabet dhe paraqet tinguj, germa të alfabetit latin, variante të alfabetit italian, duke theksuar vlerën e këtyre në natyrën e gjuhës shqipe. Në pjesën tjetër të saj letre jepen shënime dhe shifra për arbëreshët e Italisë si dhe përmenden vendet ku këta gjenden. Njëherit ai flet për disa intelektualë të ngritur arbëreshë e në veçanti jep shënime për De Radën dhe “Flamurin e Arbërit”. Është interesant të thuhet se letra përmban edhe  kërkesën e De Radës drejtuar Nikolla Naços “për abetare shqipe dhe të tjera”, kërkesë kjo që ishte edhe e disa fshatrave arbëreshe, “qofshin pa ndonjë harxh”.

I ndershmi shumë Zoti N. N. Naço, Bukuresht! Më ra në dorë Rregulla e parës Skoli mpsonjëtorës. Nieti Shoqërisë që Zotrote i parë është fort i lavdruar edhe pëlqyer. Drisa e quajnë edhe Dritë, u bëft në Shqypëri! Do me ndjeç o Zotëri se s’po të shkruajmë me karakter që jemi mpsuar - edhe shkruajnë F për G, për shi ose ski italiane dhe… për një ogni italiane. Sepse nienieti non (nuk) këndohet si italiane ca gneti që në shqipet nuk ndihet mirë në vesh, po numri n (nj) o një 1 na duket më mirë sikundër edhe fjala strenite per shtrenjt qenka për gjuhën. Po këto skolia do t’i goditenj. Kështu tutje mirë! E mirë. Këtu në katundet e fshatrat, mëngjez i thon’ vakti i kulaçit, e me thonë të hanë kulaçin e thonë mirë shqip edhe jemi një ghë.

Nieti i kësaj letrës time është me ju bërë me ditë që (në) Itali, në Pujo, në Basilikat e në Kalabri, Campo Murina, Andruce edhe afër Tarentos e të tjera vende, janë shumë shqiptarë, arbnesh. Në Carigliano Calabre dilte edhe një e gjysëm dhe “Flamuri” i Arbërit, që shkruante Jeronim De Rada. Në fshatrat e Tarentos Kocha e San Martino të Napolit, kemi gjet protokolisur këtë po të shkruajnë kështu që, duket koha e vajtjes shqiptare në ato vende. Mbreti i Napolit Karli I pestë dhe Mbretresha Gjovana, falën më 30 Mars 1519 fendin (çifliqet) Rocho e San Martino kapitenit arbresh Luciano Matki, për ndihmën edhe besën që diftuan me 300 soldatë arbresh. Pas kësaj duket Donina Porfiade Muzaqi prej Zotit Skenderbeut që është martuar me Gjonanin Mathiut e biri e këti Lazari. Edhe që në kishat ortodokse më 1550, edhe prifti  popa Theodhori Xafiro që ishte në Mitropolitë Greke të Depotadit Rasmuncisë të Agrigantit.

Sot janë me fe ortodokse po janë djema shqiptarë. Nga këtu me kanë kërkuar libra e abetare edhe ndonjë tjetër shkruar me karakter që Kullondisin në Shqipëri. Nga ky sebep po të lutem Zotnis sate që te me dergonjç disa abetare edhe nga të tjerat libra shqip. Po edhe këto në qofshin pa ndonjë hargj, sepse shërbëtori që ta shkruan është një burr nga zemra shqiptar, po i ka edhe siga xhepin. Të më ndieqte se ti besdisa, po shpresonjë që ta nderojç me një letër që të më gëzosh për shëndetin e mirë të Zotnis sate! E po të lutem me shëndet edhe nder dhe jam sherbëtori (yt)! Sotir Bebeçka. Duragja, gusht, 1892. (Albanica Ekskluzive, Janar 2009).

Letra e Petro Nini Laurasit dërguar Nikolla Naços në Bukuresht

Më 19, Vjeshtë e dytë, 1894. Me të kthyer nga Bukureshti Petro N. Luarasi qëndroi disa ditë në Sofje, në mesin e anëtarëve të Shoqërisë shqiptare “Dëshira”, e formuar me 1 Janar 1893. Si kuptojmë nga burime tjera, këtu ai kishte ardhur për të kërkuar ndihma finaciare për shkollat e formuara në krahinat e Kolonjës e t`Vakëfeve. Për  sa kohë që P. N. Luarasi qëndroi në Soje, e njofton Nikolla Naçon për aktivitetin e Shoqërisë “Dëshira” dhe për atë që ai ishte informuar për gjendjen e shkollave në fshatrat e Kolojës, meqë, siç dihet, ai mbante kujdesin e inspektorit për këto shkolla. Letra është shkruar në një formë konspirative, me pseudonime që për herë të parë i hasim. Vet-nënshkryesi “At Vangjeli”. Që me të vërtetë kjo është letra e P. N. Luarasi dëshmon brendia e letrës, problemet të cilat trajton në fund zarfi i letrës (“P.Nini”) si dhe vula e postës, numri i së cilës përputhet me adresën e shënuar në fillim të letrës (Sofje 1894).

Në vazhdim, Petro Nini e informon Nikolla Naçon për gjendjen e keqësuar në fshatrat ku vepronin shkollat e reja të Kolonjës, veçmas cek ato të Gostivishtit, Vodicës. Shkruan për grekomanët dhe kryepriftin. E fajëson oportunizmin e paraqitur gjatë mungesës së tij në këto fshatra. Në një rast përmend dhe Vreton (Jani), të cilit i drejton edhe fjalë fyese. Më tutje, e informon Nikolla Naçon për vendimin e Pleqërisë së Shoqërisë “Dëshira” që anëtari i saj më i riu dhe më aktivi (Spiro Garo) ta vizitojë Stambollin dhe të këshillohet me Naim e Sami Frashërin. Në letër emri i Naimit shënohet Naumi, për shkak të censurës policore. Me respekt flitet për Spiro Garon dhe aftësitë e tij, duke ia përkujtuar Nikolla Naços me fjalë “se me të vërtët që si zt. Spiro s`ka shok tjetër nga besa dhe nga nxetësia për gjuhën shqipe, po si të tregova aty (në Bukuresht) është i hollë nga paratë”. Dhe vazhdon: “Të ardhurit aty të zt. Spiro (në Stamboll) si të ardhurit tim, për zt. tuaj (Naço) si dhe për gjuhën shqipe”.

Me të kthyer nga Stambolli, pas takimit me Naim Frashërin, Spiro Garo solli mjaft libra në gjuhën shqipe, të cilat u vunë në dispozicion të anëtarëve të Shoqërisë “Dëshira”. Spiro Garo ndërroi jetë shumë i ri, humbje kjo që ishte e madhe jo vetëm për shoqërinë “Dëshira”, por edhe më gjerë. Nga Spiro Garo ka mbetur si kujtim vjersha e tij, që më pas u shndërrua në himn të Shoqërisë “Dëshira”, e shkruar për aktin solemn të formimit të Shoqërisë, me “një të Kollozhegës” e që fillon: “Që me një të Kollozhegut u fillua Soqëria/ U fillue brenda ni nde Sofje/ Për skolit në Shqipëri », dhe përfundon: “Sjemi grekër as bullgarë/ Turq as serbë ne nuk jemi/ Jemi vetëm shqipëtarë/ Këtë emër nder e kemi.»

Letra e e dytë e Petro Nini Luarasit, dërguar Nikolla Naços në Bukuresht

Në Sofje 1894, 19, Vjeshtë e 2-të. Dje mbrama erdhëm këtu dhe gjetëm gjithë shqiptarët shëndoshë. U faleminderit për kujdesjet që po beni për gjuhën shqipe dhe shokët e shoqërisë këtu! Për punët e atij mikut gjëçe për qiragjinjtë me një Boboshtar e pyeta, e më tha qe kështu kanë dëgjuarë qe shkoj po vërteta gënjeshtrë s`e dimë këtë fjalë që po e dëgjonj këtu. Po më mirë mos u nxito që të shkruash gjë dhe këto ditë me të vajtur në Korçë unë do të  shkruanj sa më parë dhe atëherë në qofshin të vërteta fjalët që janë hapur se Loni shkoi, munt të shkruajmë në çdo gazetë. Këtu letra prej Mëmëdheut nuk gjeçe po me gojë deftonjë që telegrafët në Kolonjë qenkan ndezur me anët të djallkryepriftit dhe në Luaras e në Ngoshtivisht e Vodicë qenkan ngjallur prapë grekomanët! Ah ku asht Vreto qeni t’ia mbushnjë kokën me urtësi dhespotit grek! Këtë të kuqe e krijonja kuptuarë që do të gjente me mos qenë unë atje se shqiptarët janë akoma gjallë dhe foshnje në gjuhët te tyre, dhe kohën si nën purek e njomë. Po s’kam as unë e as ata që përpiqen për ktë punë gjej kështu është kesmeti i lik yni që të  provonenin (dhaqimasemi) sa të duruar e të zottë jemi. Shokët këtu janë të gëzuar fort dhe u faleminderit kur dëgjuan që do të u ndihem për fotografitë, por më shumë u gëzuam dhe u kënaqën kur dëgjuan që vërtetë Zotnia juaj init të gjallë e punoni me  dëshirë për gjuhët shqip.

Për në Stamboll u llafosën me zt. Spiro dhe e gjen për të mirë që  unë si` të mësonj punrat e shqiptarëve si venë, pastaj të vete te Naumi (Naim Frashëri), se tani s’di që t’i përgjigjem Naumit, dhe për të mos mbetur vonë puna që filluamë bashkë nesër më 20 të këtij (muaji), zoti Spiro do të venjë  te Naumi, e të flasë gjith sa dhet do të japë udhë unë letrës edhe me të kthyer andej, mua do të më shkruanje si të bej dhe aty në Zotnia juaj do të vinj vetë të (më) flisni se ç’duhet bërë. Po më dukete se zt. Spiro më mire që të vije të shohë zemrën e tija se unë mund të thoshte që jam i paguar po flas keshtu e zotri Spiro si i tretë do të flasë për tepër dhe për punrat e zotnis suaj dhe për punrat e shkollavet si mbahen. Flije mendjen që do të mbarohet puna si do zemra jonë ! Zt. Spiro do t’i zerë ngoje dhe asht nevoja e madhe për katër apostuj (mësues), nëpër Shqipëri të ulët të paguhen nga krerët e Shqipërisë dhe të mbajmë korrespodencë me gjithë shoqëritë e shqiptarëvet dhe këta apostuj nipen çdo hap të rëndë që vjen për gjuhët shqipe. Do t’i thotë se duhet të punonjë dhe të mos gjykojmë gjynahet e njëri-tjetrit si punon i shenjti i diturisë, i cili ka frigë se mos heqin dorë nga grekërija dhe të shkonjë kohën me një qitapkë tërë motnë, e të shesë vivlat (librat) për gjallëk të tij.

Për këtë punë i dhash dhe tri napoleona për hargj dhe të tjerat që të bëjnë dot i përgjigjem unë po dhe zotnia juaj kini prishur kaqë të tjera u lutem fort shumë që të më kurseni edhe pesë napoleona që të vejnë te zt. Spiro si të kalohet nga Stambolli se me të vërtetë që zt. Spiro sa shokë tjetrë nga besa dhe nga nxehtësira për gjuhët shqipe, po si të tregova kur ishnja aty është i hollë tani për tani nga paret. Të ardhurit aty te zt. Spiro do të jetë me të nevojshëm se të ardhurat time për zotnine tuaj, si dhe për gjuhëm shqipe. Të tërat fjalët e zotnis sate do të dalë nëse dhe ata shqiptarë që punojnë për këtë qëllim të gjuhës s`jam në mendje që të qelben e të myken duke ndenjur me duart më gji e duke pritur kësmetin (fatin) nga koha se gjithë këta kuptojnë që nata pjell ditën e kthjelltë, po nga ma të shumat herë pjell dhe ditët e vrenjtura me të ftoftë e me dëborë dhe fjalët e shenjitit të diturisë (zt. Vreto) që të presim akoma s’i kemi pritur kaqë mijë vjet, më s`ka vend kjo fjalë. Edhe le të mbetet të zot në xhep. Sot më 4 (katrë) do të mbaronj të piqemi përherë me të degjuarë shëndoshë në mëmëdhet që të dytë do të shkruanjë për të gjitha. Në març haber nga zt. Spiro se është nevoja të piqem me Naumin (Naimin), do të vete me të tjera mendje dhe me fuqitë të Perëndisë punrat do të venë në udhë të mbarë. Shërbëtori i juaj, At Vangjeli (Pseudonim i P. N. Luarasit).

P. S. Sot si veme ne staciont deshem te kapnim bilete per zt. Spiro per ne Naumi na kerkuam pase kanonismes dyzet e nente (49) franga te vajtur. Prandaj me qene qe s`hapine tre napoleonat dhashe dhe aty dhe u bene gjithsej pese (5) napoleona po niset te veje atij ku duhet dhe era k dite dote kemi shume habere. Gjithe shoket qe ane te besete u falemenderit. Ne fjalet tona mo ski frike se nuk e hyjne dot cdo njeri vec zoti Spiro qe dote shpjere ku duhen.

Ja edhe disa fakte tjera për Nikolla Naçon

Në disa burime arkivore për N. Naçon thuhet se M. Grameno dhe L. Poradeci, janë njohësit më të mirë të jetës dhe veprimtarisë patriotike-kombëtare të Naços. Grameno thuhet se ishte më i afërt dhe njëkohësisht ishte edhe bashkëpuntor në veprimtarinë më frytëdhënse të këtij udhëheqësi më të madh të Rilindjes kombëtare në Rumani. Bëhet e njohur se M. Grameno iu bashkëkua Naços qysh si i ri në moshën 15-vjeçare, qysh kur erdhi në Bukuresht, në vitin 1886. Ai u shkollua dhe u aftësua në gazetari,si patriot e kryengritës i zellshëm nën kujdesin e këtij apostolli të atdhetarizmit, të cilit i ndejti besnik deri në fund të mësimeve të tij. (M. Grameno, Patriotët e mëdhenj). Ndësa L. Poradeci, është njohur me veprimtarinë patriotike të N.Naços dhe të shoqërisë “Drita”, më vonë, kur ishte sekretar i përgjithshëm i Kolonisë Shqiptare të Rumanisë. Në të gjitha shoqëritë shiptare, që vepruan në Rumani gjatë Rilindjes Kombëtare, ai me prova veçoi shoqërinë patriotike “Drita”, në veçanti kryetarin e përhershëm të saj, Nikolla Naçon, prandaj shkrimet e L. Poradecit për të, të bazuara, siç thotë ai, në arkivin e shoqërisë “Drita”, duhet të merren si kontribut dhe si përpjekje serioze. (L.Poradeci: Një fatos i veteranërisë shqiptare fytyrë urdhëronjëse dhe aktiviteti heroik i kryeveteranit, Nikolla Naço-Korça, Konstancë, 1932, fq.1-15.)

Nga korrespondenca e Dhimitër Moles me kryetarin e Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit

Sofje, më 9 të Marsit, 1896. U gëzova për energjinë tuaj për mbarëvajtjen e shqiptarizmit. Zoti Naço! Më parë se të fillonj, vinj të pyes për shëndëtnë të Zt. Suaj, pët të cilin lut të madhnë Zot, të jua ruanjë ngaj ç’do të ligë, edhe në pyet për mua thash se me këtë orë që të shkruanj jam si do vetë Zoti, po më parë qeshë pak sëmurë nja tsa javë (…), po sot jam mirë. Letrën e parë me një Anaforatë  i mora edhe shumë u gëzova për shëndetnë të Z.suaj edhe ca më shumë për fjalët edhe energjinë që bën Z.jote për paravajtjen e punëvet që kanë për qëllim të gjitha Shoqëritë të Shqiptarëvet (për të fituar të drejta njërëzishte për të cilat për fat të keq jemi fort të varfër) po embër i Zotit edhe energjia e njeriut po qe të shihet ç’farë do punë e mbaron. Po me urtësi edhe durim, o burra, kritikë bëj sa të munç të gjithë Shqipëtarëve se kritika është ajo më e kollajçmja vegël që e nxe njerinë, edhe e bën të përpiqet të mundohet edhe në ka ndonjë faj ta kupëtonjë edhe t’i bjerë pas që ta ndreqnjë, se një njeri po bëri një punë edhe s’pat kush ti bënjë kritikë, ajo punë s’munt të dihet, vallë e mirë është apo jo. Thashë bëj kritikë, asnjë mos lëvdo po të gjithë i venë në namustrë që të zënë punën me zembër edhe me ment se ka kështu nonjë hesap, jo si u bë ashtu qoftë, po të bëhët si duhet.

Kartë postalen e mora edhe ç’më shkruan kupëtova, po kur të dërgonj Z.jote na bëj zë edhe mua që të dërgojmë sebepi që nuku shkrova gjer tani që sëmundja sa s’munda të dal ngaj shtëpia. Edhe Cufali Beu kish marrë një vizitkartë ngaj Z.jote. Edhe erdhi. Ja këndova unë. Të falet ndryshe edhe të bën të fala shumë edhe ai thotë: O burra, kurajo! se me të gjitha Ditëtoret që ka, ai flet me modesti për embërin të Z.sate. Më Zotnë Profesor Lazarescu nuk jam pjekur, po posa që të piqem, do të shkruanj. Ngaj të gjithë shokët kini të fala shumë. Ju lutem prapë me përgjigjni për ç’farë do pune që të jetë. Miku i Z.suaj edhe përpjekës për të mirën e kombit, Dhimitri N. Mole.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat