Jeta dhe vepra e një shqiptari të dalluar në Suedi

Diaspora

Jeta dhe vepra e një shqiptari të dalluar në Suedi

Nga: Baki Ymeri Më: 16 mars 2018 Në ora: 20:24
Jeta dhe veprimtaria atdhetare e kulturore në trojet e Skandinavisë

Bashkatdhetari ynë me banim në Suedi, zt. Gani Osmani, u lind në Prill të vitit 1957 në Plluzhinë të Skenderajt. Në Ticë ka kryer katër klasë të shkollës fillore për të vazhduar të pestën në Likoc, por në Tetor të vitit 1968 familja shpërngulet në Mitrovicë, ku edhe mbaron filloren dhe vazhdon gjimnazin "Frang Bardhi" (Atëherë „Silvira Tomazini”). Më 1978 ndjek studimet në Universitetin e Prishtinës (Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe) dhe diplomon në Qershor të vitit 1983, duke marrë kështu titullin profesional: Profesor i gjuhës shqipe. Në Shtator të të njëjtit vit e gjejmë punëtor të arsimit në shkolla të ndryshme të Mitrovicës me rrethinë, ndërsa prej 9 Shkurtit e deri më 31 Dhjetor 1987, punon si drejtor shkolle në Likoc, Ticë, Aqarevë e Abri, me mandat katërvjeçar. Mirëpo, për shkak të gjendjes së rëndë politike dhe presioneve që i bëheshin pa ndalur nga organet shoqërore-politike të komunës, detyrohet që, për ta shpëtuar personelin e katër shkollave dhe për ta bërë disi të mundshëm vazhdimin e punës arsimore, jep dorëheqje nga detyra e drejtorit, sepse nuk mundi të bëhej "i dëgjueshëm" për politikën shtypëse të Serbisë e të Jugosllavisë.

Gadi sikur në ilegalitet filloi të punojë si përkthyes pranë Sekretariatit për Veprimtari Shoqërore, KK Skënderaj. Këtë punë e kreu deri pas Grevës së Përgjithshme të 3 Shtatorit 1990. Pas kësaj greve, pushteti i Serbisë, i cili një vit më herët kishte hequr autonominë e Kosovës, duke bërë edhe ndryshimet e dhunshme kushtetuese, i kushtëzonte punëtorët e administratës në komunë që të nënshkruajnë lojalitetin mdaj organeve të pushtetit të Serbisë, nëse duan ta vazhdojnë punën. Ganiu, sikur edhe shumica dërmuese nuk e nënshkruan atë akt nënshtrimi, prandaj edhe u larguan nga puna me polici speciale e cila çdo mëngjes të ditëve të punës, për 5 ditë rrjeshtë i nxirrte nga zyrat të gjithë ata që nuk nënshkruanin kapitullimin. Mbeti pa punë, pa kurrfarë të ardhurash, me pesë kalamaj e pa asnjë perspektivë për të ardhmen dhe me rrezikshmërinë e arrestimit dhe burgosjes në çdo çast, veç tjerash edhe për aktivitetin në Sindikatat e Pavarura të Kosovës. Ishte anëtar dhe aktivist i zellshëm i LDK-së, e vetmja parti opozitare e cila i bashkonte të gjithë shqiptarët në rezistencë të përgjithshme kundër presioneve represive të Serbisë.

Profesor Gani Osmani kishte studiuar në vitet e lëkundjeve të mëdha të themeleve të ish-Jugosllavisë artificiale dhe ngjarjeve të mëdha të përpjekjeve shqiptare që të lirohen nga barra e rëndë e shtypjes, mosbarazisë dhe padrejtësisë që me dekada kishte ushtruar pushteti serb në Kosovë. Duke qenë student dhe pjesëmarrës i demonstratave studentore të 11 Marsit 1981 dhe i shumë protestave e demonstratave tjera, Ganiu u kalit dhe mësoi se si duhej vepruar që deri në momentin e fundit të mos e ndalonte punën dhe aktivitetin e tij për arsimimin e brezit të ri dhe për ndihmën në organizimin e rezistencës duke forcuar veprimet e shtetit vetanak, në baza të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 dhe të Kushtetutës së miratuar nga Kuvendi legjitim i Republikës së Kosovës, më 7 Shtator 1990 në Kaçanik. Meqenëse tani, Serbia e mllefosur nga gjithë ajo rezistencë aktive dhe shumë mirë e organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kishte shtuar represaljet me burgosje të intelektualëve e me largim arbitrar e masovik të shqiptarëve nga vendet e tyre të punës, për t' i ikur më të keqes dhe për të mos u bërë barrë ekonomike e shoqërisë edhe ashtu në hall shumë të madh, prof. Ganiu vendosi që të lëshojë Kosovën dhe të marrë rrugën e refugjatit, së bashku me gruan dhe pesë fëmijtë e tyre, të cilët në atë kohë ishin në mes të trembëdhjetëvjeç e gjysmë më i madhi, dhe katër vjeç e gjysmë fëmia më i vogël.

Jeta dhe veprimtaria atdhetare e kulturore në trojet e Skandinavisë

Më 27 Nëntor 1990, bashkë me familje hyn në Suedi. Kërkon strehim, respektivisht azil politik, dhe merret në mbrojtje nga shteti i Suedisë, fillimisht në qytetin Helsingborg. Ishte befasi e këndshme kur në atë mërzi të papërshkruar, përkëhyesi i kësaj familje, Murteza Pepaj, i kumton se nesër do të vijë ta vizitojë në kampin e refugjatëve dhe se do ta shoqërojë në mbledhjen solemne të Shoqatës Kulturore Shqiptare "Jusuf Gërvalla". Ashtu edhe ndodhi. Të nesërmen, ose ditën e dytë të refugjatit, Ganiu e kremtoi solemnisht Ditën e Flamurit, së bashku me bashkatdhetarët tjerë, të cilët këtu kishin mërguar disa vite më parë dhe shumica ishin shqiptarë nga Maqedonia: "Atë ditë isha tepër mallëngjyer dhe menjëherë u antarësova në atë shoqatë. Pagova antarësinë vjetore dhe mora librezën me portretin e heroit kombëtar, intelektualit, poetit, këngëtarit e atdhetarit të madh, Jusuf Gërvalla. Edhe sot e kam atë librezë dhe e ruaj si relikt të çmuar të jetës sime", rrëfen Ganiu.

Pas afro dy muajsh , familja plasohet në një kamp të madh refugjatësh ku kishte shumë shqiptarë. Në Tyringe, afër 80km nga Helsinborgu, Ganiut i jepet rasti që brenda një kohe të shkurtë ta gjejën vetvehten dhe të vazhdojë aktivitetin e tij në organizimin e mërgatës, duke shfrytëzuar kështu përvojën dhe dijen e bashkatdhetarëve në atë kamp të madh refugjatësh. Pas disa javësh qëndrimi në atë kamp, prof. Ganiu bashkë me bashkatdhetarët e njohur siç ishin: Adem Ahmeti, Isuf Salihu (minatori i burgosur në procesin A. Vllasi), Isa Mehmeti, përkthyes dhe atdhetar i zoti, themeluan Nëndegën e LDK-s për atë regjion dhe kryetar emëruan prof. Gani Osmanin. „U bënë shumë aktivitete gjatë atyre muajve e sidomos organizimi i procesit të votimeve për Kosovë, çka edhe u krye me sukses, sepse i mobilizuam njerëzit dhe shkuam gjithkund në rajon, ku dinim se kishte kampe refugjatësh. I gjetëm, i plotësuam listat dhe votimi verifikohej nga komisioni se ishte bërë krejtësisht në mënyrë të ligjshme. Përveç kësaj, Nëndega rregullisht mbante mbledhje informative, duke i informuar të gjithë për ecuritë dhe ngjarjet në atdhe, por edhe informat e nevojshme për ne si refugjatë. Me rëndësi të veçantë ishte organizimi i mbledhjes së ndihmave të cilat atëbotë ende pa u formuar fondi i 3%~shit. Mjetet e grumbulluara i dërgonim në "Fondin e Ahenit", në Gjermani. Në kuadër të Nëndegës bëheshin edhe organizime sportive etj.”, thekson bashkatdhetari ynë i respektuar, jo vetëm nga shqiptarët e atjeshëm, por edhe nga autoritetet suedeze.

Në vitin 1992 familja Osmani shpërngulet nga kampi i refugjatëve dhe vendoset me qëndrim të përhershëm në komunën e Tingsrydit, në Ryd, pasiqë tani çështja e statusit të familjes ishte rregulluar dhe familja kishte marrë leje të qëndrimit permanent në Suedi. Në ndërkohë, Ganiu kishte shkuar rregullisht në shkollë dhe kishte mbaruar me sukses rekord "Suedishten për të huaj". Për shkak të nevojës për përkëthyes në gjuhën shqipe, autoritete e komunës i ofrojnë punë në qytetin Växjö, ku edhe sot jeton e punon. Në këtë qytet, shpërngulet (vendoset) me familje më 22 Dhjetor 1992. Është familja e parë shqiptare në këtë qytet që është qendra e rrethit të Kronobergut. Duke punuar si përkthyes për të gjitha organet e organizatat e komunës e të rrethit, Ganiut shpejt iu dha rasti e mundësia që t'i ndihmojë bashkatdhetarët tanë, veç tjerash edhe që të shpërngulen nga largësi të mëdha të veriut të Suedisë e të vijnë me banim këtu, në jug. Posa u bënë 12-13 familje shqiptare, prof. Ganiu së bashku me të tjerët ndërmori iniciativën dhe në vitin 1995, në marrëveshtje me organet komunale dhe prindërit startoi shkollën e mësimit të gjuhës shqipe dhe punoi 4-5 vjet me grupmosha të ndryshme të nxënësve në Växjö, Tingsryd, Ryd dhe Braås.

Në të njëjtin vit themeluan Shoqatën Kulturore Shqiptare "Elena Gjika", kryetar i parë i së cilës u zgjodh prof. Ganiu. Kjo shoqatë kulturore luajti rol të madh në bashkimin dhe organizimin e bashkatdhetarëve tanë, duke i informuar për gjithëçka me interes për ta, por edhe duke informuar opinionin suedez mbi të vërtetën që kishte ndodhur dhe po ndodhte në Kosovë në atë kohë. Përmes kësaj shoqate mblidheshin vazhdimisht edhe ndihmat për Fondin 3%, ndihma për armët dhe organizimi "Familja ndihmon familjen". Poashtu, organizoheshin manifestime kulturore, protesta e marshime për t'ua tërhequr vëmendjen shtetit suedez që të ndihmon në zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës. Kjo shoqatë u antarësua në Unionin e Shoqatave Shqiptare të Suedisë, ku mblidheshin 37 shoqata që nga Malmö, në Jug e deri në Jokmok e Svapavara, në veri të Suedisë. Kryetare e Unionit ishte Zonja Qibrije Hoxha, ndërsa sekretar i Unionit ishte zgjedhur Zt. Gani Osmani, me mandat 4 vjeçar. Në kuadër të Unionit ishin bërë aktivitete të mëdha e të gjithanshme ku ndër të tjera vlen të veçohet edhe themelimi i LASH-it Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë "Naim Frashëri". Ky asociacion i parë u themelua në qytetin e njohur universitar të Lund-it. Bashkëthemelues dhe antar i kryesisë të LASH-it ishte prof. Gani Osmani, ndërsa për kryetar të parë qe emëruar atdhetari, i burgosuri politik e veterani tashmë i ndjerë, Ramadan Shala.

Aktivitetin e tij të gjithanshëm përmes Unionit, Zt. Osmani nuk e ndali deri në prag të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë. Gjatë fundit të vitit 1999 dhe fillimi i vitit 2000, profesor Ganiu inkuadrohet në ngritjen ushtarake me forcat paqëruajtëse të NATO-s dhe pas gjashtë muajsh shkollimi e ushtrimesh me sukses merr gradën e nëntogerit, që nënkupton truproje e oficerëve të lartë dhe përkthyesit ushtarak. I bashkohet Batalionit të Dytë syedez, SWEBAT dhe shërben në forcat paqëruajtëse në Kosovë, prej marsit deri në tetor të vitit 2000. Pas kthimit nga misioni paqëruajtës, më shumë iu përkushtua çështjeve private e familjare, rregullimi dhe stabilizimi ekonomik e familjar. Djemtë e vajzat ndërkohë ishin rritur, ishin shkolluar. Ishin martuar e kishin edhe fëmijë. Sot, bacë Ganiu ka mbushur të gjashtëdhjetat. Ka nëntë nipër e një mbesë. Prej tyre dy çunat e djalit të madh, janë në Kanada. Të tjerët jetojnë në Suedi. Dy vajzat, (Vlora e Vjosa) jetojnë e punojnë në Trollhättan, 300 km larg nga Växjö. Dy djemtë (Fatoni e Armendi) me gratë e fëmijtë e tyre, jetojnë e punojnë në Växjö, pranë prindërve të tyre: Ganiut e Remzijes.

Me këtë rast Ganiu shpreh veç fjalë miradie e krenarie për fëmijtë dhe bashkëshorten e tij: "Në gjithë këtë fatkeqësi të rëndë që goditi mbarë kombin shqiptar, e në veçanti neve, kosovarëve, më duhet të pranoj se kisha fat që kisha shoqe të jetës e bashkëshorte pikërisht Remzijen. Vetë e kishim zgjedhur njëri- tjetrin qysh kur ishim 15-16 vjeç. U martuam kur i mbushëm 19-të. Gjithmonë ka qenë shumë tolerante ndaj meje dhe ka pasur mirëkuptim për tërë atë kohë që ia kam „vjedhur” asaj dhe e kam shfrytëzuar për aktivitete të mija kombëtare e atdhetare. Nuk di se si ta falënderoj ndryshe, veç se ti them: Të faleminderit shumë për të gjitha që i ke bërë për mua! Të dua e do të dua deri në frymën e fundit! Fëmijët e mij i falënderoj përzemërsisht që nuk më morrën kurrë kohë që të mirrem me çështje problematike. Secili prej tyre u soll jashtëzakonisht mirë e me përgjegjësi ndaj vehtes, ndaj prindërve e ndaj shoqërisë. Jemi krenarë me ju, bijtë e bijat tona! Zoti ju bekoftë!"

Ja disa nga anëtarët e familjes Osmani: Ganiu dhe Remzia, Mimoza, Vlora dhe Blerimi, Armendi, Kastrioti, Neo (djali i Fatonit), Bleroni dhe Valtoni (sportistë), Besimi, Elioni e Vjosa, Fatoni e Maria (djali dhe e reja). Vlora punon si motër/infermiere, teknike medicinale. Blerimi punon si oficer, administrator në burg të Sigurisë së Lartë. Vjosa ka punuar reportere e spikere në TV4 e radio P4. Tani e dy vjet punon në Entin e punësimit. Dy djemtë e Ganiut dhe Remzies (Fatoni e Armendi), janë bijtë e familjes Osmani. Jetojnë e punojnë në Växjö, ku kanë banesat e veta. Bleroni është djali i Blerimit dhe i Vlorës, vëllau i Valtonit. Të dytë merren me karate. Blerimi është dhëndërr i Ganiut, burri i Vlorës, ndërsa Besimi është burri i Vjosës, pra, edhe ai është dhëndërr i  zt. Osmani. Të dy vajzat e tij janë të martuara. Jetojnë e punojnë në Trollhättan. Kastriot Osmani është njëri nga nëntë nipat e Ganiut, djali i madh i Armendit dhe Mimozës. Shquhet për një inteligjencë të jashtëzakonshme. Bleroni është djali i Blerimit dhe i Vlorës, vëllau i Valtonit. Fatoni punon në "Stål & Verktyg", rrjet tregtar ju shiten vegla e makina të llojllojshme dhe rroba mbrojtëse, uniformë pune etj. Armendi punon në shkollë si asistent i nxënësve. Fatoni është i martuar me Marinë dhe kanë dy djem të mençur dhe të bukur: Neo e Aroni. Maria punon në Repartin e kirurgjisë në Spitalin e Växjös.

Gani Osmani, as në këto vitet e pleqërisë që tashmë i kanë trokitur në derë, nuk rrin kot. Është mjaft aktiv në kontaktet shoqërore, jo vetëm përmes mediave, por edhe në jetën konkrete. Kështu, para dy vjetësh, bashkë me aktivistin, ekspertin e njohësin e mirë të politikës, atdhetarin dhe diplomatin Avni Dervishi, kanë themeluar Lobin Euro-Atlantik Shqiptar për Suedi. Asociacion ky që tenton të bashkojë mërgatën shqiptare, jo vetëm në Suedi, por  edhe në nivel botëror. Avni Dervishi është kryetar i këtij Lobi që deri më tani ishte mjaft i sukseshëm. Në Dhjetorin e vitit 2017, ishin të ftuar për vizitë në Parlamentin Europian dhe në Selinë e NATO-s, në Bruksel. Njëzetë intelektualë shqiptarë të Suedisë, të strukturave e profesioneve të ndryshme, nga të ghitha trojet shqiptare, 50% femra. "Ishim në Qendra të mëdha të vendosjes dhe bëmë lobim për Kosovën, për Çamërinë, për trojet shqiptare, për mërgatën, për diasporën shqiptare", përgjigjet Ganiu në fund të këtij rrëfimi për jetën dhe veprimtarinë e një refugjati, një bashkatdhetari tonë, një njeriu, një shqiptari i cili mbi komb e mbi atdhe nuk qet kurrë parti as fe..

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat