Rrjet avokatësh falas për shqiptarët jashtë kufijve

Diaspora

Rrjet avokatësh falas për shqiptarët jashtë kufijve

Më: 30 prill 2018 Në ora: 14:26
Tryeza mbi të drejtat e shtetasve shqiptarë jashtë atdheut

Shtetasit të privuar nga liria duhet të trajtohen me respekt dhe dinjitet.

Në tryezën mbi të drejtat e shtetasve shqiptarë të privuar nga liria jashtë vendit të mbajtur sot në Kryesinë e Kuvendit, u fol mbi të drejtat që gëzojnë këta shtetas, pavarësisht se janë jashtë kufijve të vendit, apo kanë konflikt me ligjin.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko u shpreh në fjalën e tij në këtë tryezë se , “diaspora është një cilësi kombëtare. Në diasporë bëjnë pjesë dhe ata që kaluan kufijtë e ligjit në vendet pritëse. Ata janë të dënuar, por kjo nuk i përjashton , madje thekson përgjegjësinë e shtetit karshi tyre”.

Jashtë vendit, theksoi Majko, “jeton një pjesë cilësore e vendit. Por nuk mund të mos krenohemi dhe për pjesën tjetër, e cila ka nevojë për ne”.

“Mendohet se më shumë të dënuar apo të paraburgosur shqiptarë ka jashtë vendit sesa brenda tij”, tha Majko, duke shtuar se, “një komb i cili jeton i shpërndarë në një hapësirë të pakufizuar nga konceptet e sovranitetit të një shteti duhet të “rishpikë” vetveten. Pranoj pyetjen dhe ironinë që pse duhet ta fillojmë me të burgosurit këtë? Përgjigja është e thjeshtë. Në se nuk do të jemi njerëz karshi atyre që kanë më shumë nevojë nuk mund të bëhemi dot përfaqësues të interesit shtetëror jashtë vendit”, është shprehur Majko në fjalën e tij.

Majko tha se administrata shqiptare është ende e përgjumur në marrëdhënie me diasporën, përsa i përket shqiptarëve të burgosur jashtë vendit.

“Qasja ndaj informacionit është një e drejtë themelore dhe shumë e rëndësishme. Në këtë aspekt mendoj se do të duhej të konsideronim mënyrat për të thjeshtëzuar rrugët e ofrimit të informacioneve bazë, dhe organizimit të një komunikimi të rregullt me këtë kategori sociale edhe në diasporë. Administrata shqiptare është ende e përgjumur në marrëdhënie me diasporën. Një pjesë e saj vepron mbi parimin se detyrimet e saj të shërbimeve me qytetarët kufizohen mbi taksapaguesit që jetojnë në territorin e vendit”.

Ai bëri të ditur se falë një bashkëpunimi të filluar edhe me Kryqin e Kuq të Shqipërisë, me Ministren e Drejtësisë dhe eksperiencën e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme ka nisur një punë paraprake. Krijimi i “liason officer” për këtë qëllim është gjithashtu një faktor i rëndësishëm që do të shërbejë si pikë kontakti për personat e privuar nga liria jashtë vendit. Vendosja e tyre fillimisht në Itali dhe Greqi, do të jetë një model fillestar për të verifikuar funksionimin e tyre”.

“Aktualisht e gjithë ngarkesa e kësaj çështjeje e zhvendos të gjithë barrën e saj tek ambasadat tona jashtë vendit. Mendoj se është me rëndësi, krijimi i një informimi zyrtar me listën dhe kontaktet e përfaqësuesve ligjorë shqiptarë në vendet pritëse, e cila do të ishte padyshim në dispozicion të ambasadave. Kur flasim për personat e privuar nga liria, duhet marrë parasysh se në radhët e tyre ka edhe njerëz që nuk dinë të shkruajnë dhe lexojnë gjuhën e vendit ku vuajnë dënimin. Ata gëzojnë të drejta të cilat duhet ti njohin”, tha Majko.

Ministri i Diasporës tha më tej se numri i shqiptarëve të burgosur dhe paraburgosur jashtë vendit është më i lartë se në Shqipëri.

“Sipas statistikave, në Greqi janë rreth 1655 shtetas shqiptarë të dënuar apo paraburgosur, në Itali rreth 1600 shtetas shqiptarë të burgosur nga të cilët 100 në paraburgim. Në Gjermani janë 768 shtetas shqiptarë të burgosur, në Britani 750 vetë, në Holandë 92 vetë ndërsa në Austri rezultojnë 52 shtetas shqiptarë të burgosur ose në paraburgim. Këto statistika i përkasin llogaritjeve deri në shtator 2017. Ekzistojnë shumë instrumenta juridike ndërkombëtare të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut por shumica e të dënuarve jashtë vendit nuk i njohin ato. Ata shpesh janë viktima të avokatëve të padobishëm vendas apo keqtrajtimeve ndaj të cilave nuk kanë as ku të ankohen”, tha ministri i Diasporës.

Bushati: Në 2017 kemi më pak shtetas shqiptarë të shënuar jashtë vendit sesa në 2016

Ndërsa Ministri për Europën dhe Punët e jashtme, Ditmir Bushati theksoi se në 2017 kemi më pak shtetas shqiptarë të shënuar jashtë vendit sesa në 2016.

Bushati foli për shërbimet që marrin shtetasit shqiptarë në diasporë.

“Nëse deri para 2 apo 3 vitesh për çdo shërbim konsullor duhet të paraqiteshe tek sporteli, kemi bërë një ndryshim rrënjësor në këtë drejtim dhe nuk i drejtohesh konsullatës, por mund ta kryesh procesin online”, tha Bushati.

Ministri theksoi se, “nuk ka asnjë vend në botë që të ketë një mbulim në çdo cep të globit me ambasadë dhe shërbim konsullor, siç është e pamundur që në çdo cep të kesh spital apo qendra shëndetësore. Sikundër në 2-3 vende që kanë specifikë, si India apo vendet latine ne operojmë me konsuj nderi”.

“Tek përfshirja e shtetasve shqiptarë në veprimtari kriminale jashtë atdheut duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’i qëndrojmë perimetrit të së drejtës ndërkombëtare. Ka disa vende që tentojnë ta portretizojmë shqiptarin. Ka raste kur nuk kemi të bëjmë me pasaportë shqiptare. “Ne e dimë dinamikën dhe kompozimin etnik në Ballkan. Kemi një situatë që është e vështirë ta ndash se ku mbaron përgjegjësia e një shteti dhe ku mbaron ajo e një shteti tjetër. Ka njerëz që mund të kenë ikur prej 20-30 vitesh, por kanë pasaportë shqiptare, por nuk janë të regjistruar në zyrën e tatimeve, pra nuk japin asnjë lloj kontributi”, tha Bushati.

Gjonaj: Rrjet avokatësh falas për shtetasit shqiptarë jashtë kufijve

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj theksoi në fjalën e saj se synohet të krijohet një rrjet avokatësh shqiptarë falas për t’i ardhur në ndihmë shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe kanë konflikt me ligjin, por nuk kanë mundësi të paguajnë avokat.

“Ky është një moment kyç pasi të drejtat e shtetasve shqiptarë kudo që ndodhen përbëjnë një rëndësi për qeverinë shqiptare. Në mënyrë të veçantë të atyre shtetasve që janë të privuar nga liria e tyre”, tha Gjonaj.

“Qeveria shqiptare ka një ministri të veçantë për të drejtat e shqiptarëve në botë dhe këtu bëjnë pjesë dhe personat që janë në konflikt me ligjin”, tha Gjonaj.

“Shtetasit shqiptarë që qëndrojnë në shërbimet e huaja penitenciare gëzojnë të gjitha të drejtat dhe standardet në vendet ku vuajnë dënimin”.

Gjonaj foli edhe për reformën në sistemin e burgjeve shqiptare, duke theksuar se stafi policor i burgjeve tashmë përzgjidhet dhe trajnohet. Ky trajnim do të bëjë që të kemi një staf në burgje të trajnuar dhe jashtë përzgjedhjeve partiake.

“Kryqi i kuq do t’i japë ndihmë humanitare të burgosurve”, tha Gjonaj./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat