Sot, 40 ditë pa ty, o Sul Lushaj, që jetove me krenarinë shqiptare e lumturinë australiane! - Bota Sot
Sot, 40 ditë pa ty, o Sul Lushaj, që jetove me krenarinë shqiptare e lumturinë australiane!

Diaspora

E diel, 18 nëntor 2018

Sot, 40 ditë pa ty, o Sul Lushaj, që jetove me krenarinë shqiptare e lumturinë australiane!

Nga: Ramiz Lushaj Më: 10 korrik 2018 Në ora: 08:19
Sul Lushaj në Melbur të Australisë

Sul Lushaj, njeriu ynë shekullor, lindi në Tropojë dhe ishte qytetar Australian, i cili jetoi gjithë jetën e tij me krenarinë shqiptare dhe me lumturinë australiane. Në gazetën “Dardania”, në tetor 1983, ai deklaronte se “Po të mos vija në Shqipëri do të vdisja me sy hapur drejt tokës time, vendit tim”.

Sul Lushaj ishte trim se e mori rrezikun në sy kur iku në Botën e Lirë, ai ishte një atdhetar i provuar ndër kohëra, ai mbeti idealist i përjetshëm, ai ishte besnik i Nderit Shqiptar, i Flamurit Kombëtar, i Monarkisë Shqiptare.

Sul Muzli Lushaj në rrugëtimet e tij të jetës, edhe kur ishte i vetëm iu përkiste të gjithëve, i jepte nga vetëvetja kohës, ishte e mbeti vetëvetja në kohëra.

Sul Lushaj ishte i ndershëm, i sakrificave, kontributor bajemirë, punëtor i çdokohshëm, i shoqërisë, një shqiptar i vërtetë, saqë kur thue Sul Lushaj kie para syve e zemrës njeriun me tana të mirat e kësaj toke, bote, kohe.

Image
Sul Lushaj dekorohet nga Princ Leka Zogu II në Oborrin Mbretëror Shqiptar në Tiranë

Nacionalisti e mbretërori, veprimtari politik e shoqëror, Sul Lushaj, ishte emigrant politik në Kosovë-Itali-Australi prej vitit 1953; mik i afërt i Familjes Mbretërore Shqiptare në mbi 6 dekada; antar i Akademisë Monarkiste Shqiptare (prej vitit 2005); kryetar i degës së Partisë “Lëvizja e Legalitetit” (PLL) në Australi (1984-2010); antar i Komitetit Qendror të Organizatës Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” (1984-1993) dhe antar i Këshillit të Përgjithshëm të Partisë “Lëvizja e Legalitetit” (1993-2009); bashkëpunëtor i gazetave “Atdheu” e “Dardania”; i nderuem me Çmimin “Konstandini i Madh”në Tiranë, 2005; personazh nacionalist e politik publik në disa media elektronike në Shqipëri, Australi, Europë e Amerikë.

Image
Sul Lushaj me Ramiz Lushaj para Hotel Dajti në Tiranë, në qershor 1993

Sul Lushaj është njeriu me libër, me një libër të mirë kushtuar jetës e veprimtarisë së tij, libri “Hyjnorja Australi”-botuar në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Sul Muzli Lushaj ka qënë i përndjekur politik nga rregjimi komunist, i internuar në burgje e kampe përqëndrimi në Tropojë, Tepelenë, Vlorë, Kamëz…, ndaj dhe foto e tij prej vitesh ka hyrë në stendën e Muzeut të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë në Tiranë, përkrah dhjetra personaliteteve të disidencës e sakrificave shqiptare, si: Preng Cali, Jup Kazazi, Mark Gjon Markagjoni, Tahir Kolgjini, Pal Bib Mirakaj, Hysen Biberaj, Pashk Ademi, Safet Butka, Qazim Koculi, Gjergj Kokoshi, Mustafa Kruja, Hasan Dosti, Mit’hat Frashëri, Xhevat Korça, Mirash Ivanaj, Ernest Çoba, Pjetër Arbnori, Dervish Bejko, Kujtim Beqiri, Avdyl Sharra, Havzi Nela, Musine Kokalari, Sabihat Kasimati, Tefta Tasi, Marije Shllaku, Marije Tuçi e të tjerë.

Image
Sul Lushaj dhe Simon Miraka në Shoqatën e ish të Perndjekurve Politikë, në Tiranë

Sul Lushaj është dekoruar me çmim mbretëror “Rojal Ueding” e bashkalidhun me “Letër Mirënjohjeje” nga Princi Leka II “për shërbimin e tij patriotik kundrejt Kombit Shqiptar dhe Familjes Mbretërore Shqiptare”.

Mjaftojnë dhe tri thanie nga tre miq të tij në këtë tokë e në atë botë të përtejme për të ditur e nderuar emrin e veprimtarinë e Sul Lushajt:

Mbreti Leka I në Johanesburg të Afrikës së Jugut, në mars 1994, thoshte: “Sul Lushaj është mbretëror besnik, po dhe Unë e kam mik të Familjes Mbretnore”.

Abedin Mulosmanaj, ministër i Oborrit Mbretëror Shqiptar në Mërgim në Amerikë, në prill 1996 deklaronte në Shqipëri: “Te burra si Sul Lushaj peshon në gjithçka. Burra të tillë është kënaqësi ti takosh shpesh”.

Ing. Skënder Zogu në Paris të Francës, thoshte shpesh për mikun e tij të kahershëm se “Burra të mirë si Sul Lushaj i bajnë nder Kombit Shqiptar”.

Koftë i paharruem emri e veprat e tij! U nderoftë e kujtoftë gjithmonë!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test