Daci: Mërgimtarët duhet ta kenë përfaqësuesin e vet në Parlamentin e Kosovës

Diaspora

Daci: Mërgimtarët duhet ta kenë përfaqësuesin e vet në Parlamentin e Kosovës

Nga: Hysen Ibrahimi Më: 19 korrik 2018 Në ora: 08:36
Foto nga takimi

Mërgimtarët, të cilët po kalojnë pushimet këto ditë në Kosovë, shpesh kanë vërejtjet e tyre lidhur me trajtimin që iu bëhet atyre në Kosovë. Ndërkaq, shtresa intelektuale e mërgatës, e konkretizon më shumë, kur thotë se nuk kanë përkrahje të institucioneve të Kosovës për shqetësimet që mund t’i kenë ata. Mungesën e kësaj përkrahje e konfirmoi edhe kryetari i Akademisë së Shkencve dhe Arteve të Kosovës, akademik Nexhat Daci, i cili thotë se mërgata duhet të kërkojë më shumë nga institucionet e Kosovës. Gjatë një pritje që i bëri një delegacioni të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klemneti XI Albani” që vepron në Suedi, akademik Daci tha se shqiptarët në mërgatë duhët të bëjnë më shumë presion për të kërkuar trajtimin që meriton.

“Anjëherë mergata nuk e ka marrë trajtimin e merituar nga institucionet e Kosovës. Kjo duhet të jetë shenjë që ju duhet të bëni edhe më shumë presion, presion gjithmonë në kuptimin pozitiv them, me ardhjen e mërgatës në vendlindje. Me ndërrimin e gjeneratave ndërrohemi ne dhe ju dhe më e keqja është se në mërgim gjithnjë e më shumë fëmijët flasin gjuhën e vendit ku jetojnë. Ky nuk është faji i fëmijëve dhe i nënave, por shoqatat si ju duhet të bëni çmos që të ruhen rrënjët e kombit”, tha akademik Daci.

Akademik Nexhat Daci, përmendi me këtë rast, shembullin e Kroacisë dhe mërgatën e saj, se si ka ndikuar në ndërtimin dhe formimin e shtetit të Kroacisë. Ndërsa mërgata shqiptare tha ai, e ka ndihmuar shumë Kosovën dhe popullin e saj të qëndrojë në kohë të vështira.“Të ardhuruart e Kosovës nga mërgata kanë qenë një shpëtim mos me u var nga armiku për bukë. Mërgata ka dhënë një kontribut shumë të madh që të qendronin stoikë shqiptarët ku janë, për me ruajt vetëvetën, fëmijë. Dhe janë një rast unik. Për këtë arsye, po ndodh ky takim, sepse unë nuk mbaj takime jashtë shkencës, por kur është çështja e popullatës sonë, nuk i shikoj shumë rregullat”, tha Daci, duke shprehur mikpritje për anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klemneti XI Albani” që vepron në Suedi.

Ndërkaq, kryetari i kësaj shoqate, Hysen Ibrahimi e njoftoi z. Daci me punën që bëjnë në shoqatë, për krijimet e këtij viti dhe për punën që është bërë deri tani. “Synimi ynë parësor është ruajtja e identitetit tonë shqiptar kombëtar në mërgatë. Ne duhet t’i ruajmë rrënjët. Prandaj synojmë të shkruajmë e të argumentojmë punën që bëjmë, me qëllim që gjeneratave të ardhshme të kenë çka të lexojnë dhe të shohin historinë e të parëve të tyre. Këto libra janë vepër argument”, tha Ibrahimi.

Por, ai kërkoi që institucionet e Kosovës, përfshirë edhe ASHAK, të vlerësojnë dijën dhe punën intelektuale që bëjnë mërgimtarët. “Ne kemi gati gjysmëshekulli që jetojmë në mërgatë, dhe kemi përvojën tonë, kemi njerëz të shkolluar dhe atë përvojë që do ta sillnim në Kosovë, do të ishte me interes. Ne e dimë që akademik Daci e njeh rëndësinë e mërgatës për këtë arsye kemi shprehur interesim të takohemi, të marrim këshilla, të këmbëjmë ide, e të bashkëpunojmë edhe sa i përket vetë akademisë”, tha Hysen Ibrahimi.

Ai shprehu keqardhje që nuk janë konsultuar nga akademia gjatë procesit të hartimit të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, duke shfaqur shpresën se puna e SHSHASH “Papa Klemneti Xi Albani”, do të përfshihet në një dokument tjetër të tipit të fjalorit enciklopedik, ku do të dëshmohet dhe argumentohet verimtaria e kësaj shoqate.

Fjalori enciklopedik i Kosovë ka dalë tashmë nga botimi dhe pritet të përurohet në muajin shtator, bëri të ditur profesor Daci. Me këtë rast, ai theksoi se në Kosovë janë bërë ndryshime të mëdha në një dinamikë të madhe, duke këshilluar mërgimtarët që të gjykojnë më ndryshe, sepse sipas tij shumëçka ka ndryshuar në Kosovë. “Ejani në vendlindje sa herë që t’ju lejojnë mundësitë, mos lejoni t’ju nënçmojë dikush, por as mos u sillni ju me mendimin se shqiptarët e Kosovës shesin fara para kinemasë”, tha Daci. Sipas tij, zhvillimet në Kosovë janë aq të mëdha, në shumicën e rasteve për të mirë, sa që asnjë vend i Ballkanit, as një vend i perëndimit nuk e ka këtë dinamikë të zhvillimit. “Kaloj tash autostradave tona që janë bërë me djersen tonë, nuk janë të perëndimit, as nuk janë kredina. Kosovarët i kanë bërë dhe janë më të mira se autostradat e të gjithëve në Ballkan, janë përfekt. Kemi shumëçka me çka krenohemi edhe tash pjesa tjetër në Bruksel, pjesa kryesore çështja e vizave”, tha akademik Daci.

Kryetari i ASHAK, tha se Kosova duhet të ketë respekt të përjetshëm për mërgatën dhe jo interesin material. “Mërgata duhet ta ketë deputetin e vet në Parlamentin e Kosovës, siç e kishte dikur në parlament, përfaqësuesit e mërgatës në një parlament demokratik, me kontributin që e kanë pasur dhe do ta kenë, jo financiar. Për t’u ruajtur identitet i trungut dhe i rrënjeve tona, duhet të jetë mërgata e pranishme gjithkund, aq sa i ka edhe mundësitë kohore. Ne duhet të mësohemi dhe ta dimë se për çlirimin e Kosovës, më shumë ka dhënë mërgata, shqiptarët nga Lugina e Preshevës dhe shqiptarët e Maqedonisë, se sa të gjithë të tjerët”, vlerësoi Daci.

Edhe anëtarë tjerë të delegacionit të SHSHASH u interesuan për punën e akademisë së shkencave në raport me mërgatën dhe institucinet tjera në Kosovë. Bajram Muharremi, nënkryetar i shoqatës, shfaqi shqetësimin se në Kosovë nuk kanë trajtimin institucional, edhepse tha ai, me librat e Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi, tashmë janë në mbi 50 vende në Evropë dhe në botë. Këtë e kanë bërë me qëllim të shtrirjes sa më shumë të informacioneve të vërteta për historinë dhe ndodhitë në Kosovë, tha Muharremi. Për këtë arsye, ai kërkoi të dinte nëse akademia i ka të evidentuar krimet që janë bërë nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Ndërkaq, profesor Daci tha se çdo krim, çdo dëmtim i pronës është i evidentuar, por Kosova tha ai nuk mund të grisë padi kundër Serbisë, sepse ende nuk është anëtar i OKB-së.

Anëtari tjetër i shoqatës Rrahman Rrahmani kërkoi që ASHAK të ushtrojë ndikimin e saj që institucionet e Kosovës të kenë një kujdes dhe trajtim më të mirë për shqiptarët në mërgatë, të paktën të mos iu asimilohen fëmijët e tyre. Ndërkaq, Mone Juniku, anëtare e kryesisë së shoqatës, falendëroi akademik Dacin për pritjen që kishte rezervuar, duke shfaqur besimin në mbështetjen që do ta kenë edhe mërgimtarët, kudo që jetojnë.

Në fund të takimit, Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, e ftoi akademik Nexhat Dacin të marrë pjesë në Sesionin  e gjashte Shkencor të shoqatës, që i kushtohet 140 vjetorit të Lidhjës Shqiptare të Prizrenit e që do të mbahet më 25 korrik 2018, në Prizren.  Me këtë rast, Ibrahimi i dhuroi akademik Dacit vëllimin e 9-të të “Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare” në Suedi dhe disa libra tjerë të botuar nga kjo shoqatë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat