Në udhët e pedagogjisë së shkollave shqipe në diasporë

Diaspora

Në udhët e pedagogjisë së shkollave shqipe në diasporë

Nga: Nexhmije Mehmetaj Më: 9 gusht 2018 Në ora: 14:09
Seminari XIV Mbarëkombëtar / Foto Ismet Osdautaj (MASHT)

Prej 31 korrik deri më 3 gusht, në Tiranën e madhe e të bukur u mbajt Seminari XIV Mbarëkombëtar për mësues të mësimit plotësues të gjuhës shqipe jashtë atdheut. Seminari u realizua në kuadër të bashkëpunimit midis Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës të Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë të Kosovës. Me këtë Seminar, përveç shumë punëtorëve shkencorë e arsimorë nga Tirana, Prishtina dhe më gjerë, ishin të pranishëm edhe 150 mësimdhënës/e nga Austria, Anglia, Gjermania, Italia, Greqia, Zvicra, Suedia, Finlanda etj. Në këto vende ka shkolla shqipe  të mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Hapja solemne e këtij Seminari të rëndësishëm u bë nga nxënësit e shkollës koreografike të Tiranës. Pas këtij programi të pranishmit i përshëndetën Ministrja Lindita Nikolla, Ministri për Diasporë i Shqipërisë, Pandeli Majko, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësues nga Kosova, Ministri Shyqyr Bytyqi, Arijan Daci etj.

Me këtë rast, ata falënderuan mësimdhënësit për kontributin e tyre të çmuar, angazhimin e palodhshëm ndër vite, për kultivimin e gjuhës shqipe, ruajtjen e traditës sonë kombëtare në mendjet e breznive tanë jashtë atdheut.

Qëlimi kryesor i këtij seminari ishte trajnimi i mësimdhënësve/eve në detyrën e tyre të rëndësishme e me kërkesa të larta, të japë ndihmesë për një cilësi më të lartë në mësimdhënie.

Sipas programit, gjatë seancave plenare u mbajtën ligjërata për për gjuhën standarde shqipe dhe dialektet e saj nga akademik Prof dr Gjovalin Shkurtaj. Albanologu i njohur zviceran prof dr dr Basil Schader, ngjalli kureshtjen e pjesëmarrësve me paraqitjen e librit të tij didaktik “Rreth përdorimit të dialektit dhe gjuhës standarde” si dhe prezantimin e uebfaqes http://hlt.cwd.gr me materiale multimediale didaktike për mësimin plotësues, u prit me interesim të veçantë nga seminaristët. Tema me interes qenë “Rëndësia dhe përparësitë e mësimit interaktiv” nga Prof. Dr Naxhi Selimi, “Veprimtaria 35 vjeçare e Shkollës shqipe dhe roli i saj për të rinjët shqiptarë” në Saksoni- Gjermani nga Vllaznim Haziri. “Kolegji Ilirik- një referencë identitare shqiptare në Itali, Ariana Kosova Hoxha, Marko Morone, “Tekstet shkollore mbështetje për mësimdhënie “- Hazir Mehmeti,  Kurrikula e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, rëndësia dhe strategjitë e mësimdhënies, orë mësimore model me temë Skënderbeu etj.

Seminarin e bëri edhe më të madhërishëm grupi i fëmijëve të Shkollës shqipe të Parmës (Itali) me paraqitjen e dissa pikave të vallëzimit dhe recitimit.

Risit për mësimin plotësues: Njehësimi i Kurrikulës së përbashkët të Mësimit Plotësues të gjuhës shqipe jashtë atdheut, krijimi i regjistrit të mësuesve të mësimit plotësues si edhe hartimi i certifikatave për nxënës që mbarojnë mësimin shqip.

Seminari kushtuar mësimit plotësues të gjuhës shqipe përbën një kontribut të vyer të dy ministrive, ashtu duke e vazhduar përvojën e viteve të mëparshme, për 13 seminaret e mëparshme të përbashkëta.

Në seminar u përfaqësuan praktikat më të përshtatshme të didaktikës bashkohore. Mësuesit/et e shkollave shqipe që marrin pjesë në  seminaret trajnuese, shkëmbejnë përvojat e tyre, mësojnë nga njëri-tjetri, kualifikohen prej ligjëratave që mbahen, në fusha të mësimdhënies dhe të të nxënit. Bashkëbisedojnë e gjejnë zgjidhje për mjaft nga vështirësi që hasin në punën e tyre me fëmijët shqiptarë.

Moderatorë të seminarit qenë Nuhi Gashi (MASHT) dhe Anila Ferizaj(MASR).

Dukuri që nuk do të duhej të përsëriten në seminare tjera; Disa prej pjesëmarrësve nuk ruanin qetësinë gjatë ligjëratave, nuk kishin vëmendjen e duhur gjatë seancave mësimore. Një sjellje tjetër e shëmtuar vërehej në restorante disa nga pjesëmarrëset bënin “rezervime” të karrigeve për të tjerët që nuk ishin të pranishëm, shkaktonin pakënaqësi tek ata që ishin të pranishëm.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat