Hapet shkolla e parë shqipe në Modena të Italisë

Diaspora

Hapet shkolla e parë shqipe në Modena të Italisë

Nga: ATSH Më: 19 shtator 2018 Në ora: 17:16
Hapet shkolla e parë shqipe në Modena të Italisë

Në Modena të Italisë do të hapet më 7 tetor të këtij viti shkolla e parë shqipe, ku lëndë kryesore do të jetë gjuha shqipe, mësimi i të cilës do të plotësohet dhe me lëndët e tjera si histori, gjeografi, art, tradita dhe valle e muzikë.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, bën të ditur se shkolla do të hapet nga shoqata “Nënë Tereza” në Modena.

Gjatë mbledhjes së stafit të mësuesve të kësaj shkolle u theksua se “mësimi i gjuhës shqipe duhet të parashikojë asimilimin kryesisht në klasë, duke nisur nga mësimi i alfabetit me anë të shembujve praktik dhe të përfshirjes së nxënësve në punë grupi, për të arritur në përmirësimin e aftësive të tyre në dialogimin dhe shprehjen dhe me shkrim në gjuhën shqipe”.

Klasat do të jenë të ndara në bazë të grupmoshave të fëmijëve, në mënyrë që ambienti mësimor të jetë sa më i përshtatshëm për secilin.

Duke pasur parasysh faktin që materialet mësimore të aprovuara nga Ministria e Arsimit për Diasporën janë vetëm për mësimin e gjuhës, lëndët e tjera do të përgatiten nën drejtimin e mësuesve përkatës, duke shqyrtuar materialet e Ministrisë së Arsimit në portalet institucionale.

“Ndihemi pjesë e një projekti të rëndësishëm për fëmijët tanë dhe të ardhmen e ruajtjes dhe trashëgimisë së pasurisë tonë kulturore. Ndaj ftojmë çdo shqiptar që mbart në vete të njëjtin entuziazëm e dëshirë të angazhohet në këtë drejtim. Ndër shekuj gjuha shqipe rron në trevat jashtë kufijve, te emigrantët e parë arbëreshë, e le të mos mungojmë së dhëni kontributin tonë dhe ne emigrantët e kohës së re”, shprehen drejtueset e kësaj shkolle./ATSH/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat