Me kafkë të thyer dhe të djegura cigareje... gjykata greke mbyll dosjen e vdekjes së shqiptarit

Diaspora

Me kafkë të thyer dhe të djegura cigareje... gjykata greke mbyll dosjen e vdekjes së shqiptarit

Më: 30 shtator 2018 Në ora: 18:32
Pëllumb Marknikollaj

Drejtësia greke duket se ka “funksionuar” si ajo në Shqipëri kësaj here, pasi dosja për vdekjen e mistershme të Pëllumb Marknikollajt, i cdekur në qelitë e paraburgimit në Athinë, është mbyllur.

Gjyqtari i çështjes nuk ka ndërmarrë asnjë lloj veprimi hetimor por përkundrazi ka vendosur që ta mbyllë dosjen e lënë hapur prej dy vitesh, duke dhënë rekomandimin që çështja të arshivohet.

29 vjeçari ishte një emigrant nga Lezha. Marknikollaj u gjet i vdekur në brendësi të rajonit të policisë në lagjen Anopatisia në Athinë më datën 3 gusht të vitit 2016. 9 ditë më pas, policia ka lajmëruar familjarët për vdekjen e të riut në komisariat. Familjarët pretenduan se i riu ishte dhunuar barbarisht nga policia greke e për pasojë ka humbur jetën. Pretendimi i tyre u hodh poshtë nga autoritetet atje, të cilat deklaruan se i riu kishte gjetur vdekjen për shkak se ishte hedhur nga kati i katërt i rajonit.

Me autopsinë e kryer në Athinë, ekspertët nuk dhanë një shkak kryesor të vdekjes, por saktësuan se në trup janë gjetur shenja të rënda goditjeje. Kafka e të riut ishte e thyer, truri ishte dëmtuar rëndë ndërsa një sërë gjymtyrësh të trupit kishin pësuar shembje të mëdha. Në konkluzion, ekspertiza e kryer doli në përfundimin se shkak i vdekjes ishin traumat e rënda, por nuk dha detaje nëse këto dëme të mëdha kishin ardhur nga dhuna apo rënia nga lartësia, ashtu siç pretendoi policia.

Autopsia e trupit të Marknikollajt në Shqipëri nxorri në pah detaje mjaft shqetësuese. Në trupin e të riut u gjetën të djegura që ishin kryer nga cigaret. Të djegurat gjendeshin në gjokshin dhe shpatullat e Pëllumb Marknikollajt.

I riu kishte shkuar në komisariat për të firmosur dokumentin pasi ishte lënë nga gjykata në masën 'detyrim paraqitje' në lidhje me një çështje e cila ishte në hetim.

Me ngjarjet e fundit të ndodhura dhe pushimin e hetimit të kësaj dosje, familjarët e 29 vjeçarit kanë bërë një ankesë pranë organizatave të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Komitetit Shqiptar i Helsinkit është vënë në dijeni rastit dhe përmes një deklarate njofton se do të kërkojë ndjekjen e mëtejshme të çështjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat