Lumenjtë e dashurisë mërgimtare

Diaspora

Lumenjtë e dashurisë mërgimtare

Nga: Baki Ymeri Më: 17 tetor 2018 Në ora: 07:18
Kopertina e librit

Poeti është misionar i fisnikërimit të shpirtit dhe zbukurimit të gjuhës. Kjo vlen edhe për ëndërrimtarin tonë të frymëzuar që jeton dhe krijon në brigjet e mërgatës shqiptare, Zt. Dedë Preqi. Vargjet e tij kanë perfeksionim, risi, ndjesi, pavarësi, muzikalitet, tinguj dhe jetë. Poezia e Dedës lind nga lufta që shpërthen në shpirtin e poetit. Sipas Friedrich Schlegelit, ajo krijon lidhje me shpirtin e të gjithë atyre që e lexojnë dhe adhurojnë. Pa qenë të dashuruar, vargjet nuk mund të kuptohen, ndjehen apo pranohen nga shpirti. Në vargjet e tij zotëron dashuria ndaj vendlindjes: “Nuk do harrohet pallati im, kasolla e vjetër/ Aty ku etja e malli nuk shuhen me asgjë tjetër.” Ç’është kjo dashuri magjike, pyet poeti. Poeti e hymnizon zanën e tij që është muza e frymëzimit: „Askujt s’i përngjaje ngase unë të dashuroj/ Edhe kur rrëshqas pa shkas me hapa mbrapa.”  Pse? Sepse: “Vetëm në prushin e dashurisë/ Do ngrohet damari i mallit të saj,/ Fatin e vet e  gjenë dikund/ Të fshehur si argjend në një skaj.”

Poezia e mërgimtarëve tanë i hapë lexuesit një dritare të re ndaj botës. Përmes aventurës së saj nëpër oqeanin e fjalëve, përmes forcës së saj të jashtëzakonshme, poezia është një nga portat më të sigurta për dalje nga vetmia.  Poeti noton ndërmjet ëndrrës dhe realitetit. Ai din të joshë vëmendjen e lexuesit duke u dhënë vargjeve të veta shpirt, mendim, kuptim dhe ndjeshmëri. Dhe jo vetëm kaq! Deda e përshkruan për mrekulli ambientin e vendlindjes së tij. Ai din t’i japë lexuesit një copë nga jeta fshatarake: „Frytet e tokës rreshin përrreth sofrës/ Vjeshta  e ngarkuar zbrazet në truall,/ Arat  e mbjellura me fryte të derdhura/ Vezullon balli fshatarit si drita e fanarit.” Pa një dhuratë të këtillë shpirtërore, bota zakonisht duket e mbyllur. Sipas autorit të kësaj vepre vlerash adekuate lirike dhe meditative, jeta është një copë kohe me copëza shpirti. Koha nuk ndalet, thot poeti: “Ajo nuk na fal/ As nuk pret,/ Ecën si uji nën urë/ Nuk kthehet kurrë.”

Në vargjet e Dedë Preqit nuk mungon imagjinata, origjinaliteti, bota ritmike e hijeshisë, e vërteta dhe vetëdija, vlerat ideatike dhe estetike, kërcimi nga toka në qiell dhe nga qielli në tokë: “Nga largë vijnë rrezet e tejdukshme/ Si unë dhe zjarri diellin e galërojnë,/ Mjegullat e mendafshta i zë më dorë/ Me krahët e bjeshkës si zog fluturon.” Autori na jep fjalë të gjalla, për besim, shpresë dhe dashuri. Shpresa është fryti i durimit, i thjeshtësisë dhe modestisë. Te poetët dhe teologët, fjalët ende kanë kuptim dhe jetë. Ata ende besojnë se në fillim ka qenë Fjala. Fjala e gjallë e Zotit të përjetshëm. Kurë kemi nevojë për Poezi? Kur heshtja e shpirtit është më rëndë se sa ajo e objekteve, kur vetëm poezia mund të na përkëdhelë dhe ngushëllojë nga humbja e përkohshme e dashurisë, besimit shpresës, paqartësive dhe dyshimeve. Unë kam lindur poet, thot një ëndërrimtar nga Malësia e Madhe dhe shton: Poezia ma shpëtoi jetën. Poezia kështusoj, na ndihmon për shpëtimin e shpirtit: “Qetësia/ I takon mbrëmjes/.../ Por edhe atëherë/ Kur flejnë fëmijët/ Është qetësia e shpirtit.”

Vargjet e Dedës janë të ngarkuara me ndjeshmëri dhe metafora, me ide dhe porosi, me dritë dhe emocione, me ngrohtësi dhe mirësi. Në vargjet metrike me rima klasike jehojnë tingujt e muzikës hyjnore: “Muzgjet e molisura/ Zgjohen me etje e uri,/ Nënë Tereza shqiponjë/ E prrushit me dashuri.” Dhe më tej: „Edhe tempujt e mykur/ Qëndrojnë pa zë e gojë,/ Në etjen e kësaj flake/ As thneglat s’bëjnë lojë.” Ritmi dhe rima e poezisë krijojnë kuptimin e harmonisë. Ritmi i poezisë gërshetohet me ritmin permanent të jetës. Jeta e poetit shëmbëllen me muajin e mjaltit. Poeti është engjëll vetëm kur i vjen frymëzimi, pastaj kalon në kategorinë e njerëzve të thjeshtë: si unë dhe si ti, si ai dhe si ajo, si ata dhe si ato.                              

Muza si simbol frymëzimi e viziton autorin e kësaj vepre vetëm atëherë kur shpirti i tij është i pregaditur me meditime dhe përjetime të thella. Vargjet respektive kanë kuptim të dyfishtë. Në njërën anë takohen dy shpirtëra për të krijuar një tërësi. Në anën tjetër takohet natyra me natyrën: “Dy rrjedha takohen në një ujvarë/ Përqafohen nën kurorën e blinit,/ Lotët e lumit në krah të fluturave/ Treten  mbi valët e mallëngjimit.” Poeti shkruan për urat e dashurisë, për albumin e jetës, për krahët e kohës dhe kufinjtë e imagjinuar, për mullirin që e bluan vetëveten në ballafaqim me ujin, për zjarrin e fshehtë „Që shpërthen e nuk shuhet,/ N’heshtje kallet e nuk soset/ Si argjendi n‘flakë farkohet.” Ai shkruan për maskat i ngjajnë perdeve të zeza: „Hija e tyre e kyç derën përbrenda,/ Në teh të shpatës ëndërra po vdes/ E mbulon turpin me kokën në thes.”

Poeti shkruan për flamurin dhe dëshmorët, për çelësat e fatit, për guximin dhe vetëmohimin, për fjalamanin dhe premtimet e shterura, për varfërinë, për dhimbjen që djeg, për fëmijët që ylberin e prekin me dorë, për heshtjen e kallur nën lëkurë, për buzëqeshjet e kohës, për dhimbjen që djeg. Ai është një shqiponjë që vjen dhe ik, ngase shëmbëllen me kohën. Hëna është pasqyra e kohës, ndërsa koha dimensioni i përjetësisë. Sipas Paul Valery-t, poeti nuk ka funksionin për ta rindjerë gjendjen poetike. Kjo është një çështje private e tij. Ai ka funksionin të krijojë te të tjerët këtë gjendje. Një poet i mirëfilltë njihet sipas faktit të thjeshtë kur e bën edhe lexuesin të frymëzuar. Kritika letrare i vlerëson meritat e fuqive dhe dhuntive që i posedon poeti. Lexuesi është ai që i kërkon dhe gjen në vargje mrekullitë e mrekullive artistike të botës poetike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat