Monumenti i Shën Nënë Terezës simbol i paqes , integrimit dhe afrimit të mërgatës shqiptare në Itali

Diaspora

Monumenti i Shën Nënë Terezës simbol i paqes , integrimit dhe afrimit të mërgatës shqiptare në Itali

Gëzim Muçolli Nga Gëzim Muçolli Më 17 tetor 2018 Në ora: 20:51
Foto nga ngjarja

Komuniteti i qytetarëve shqiptarë të ardhur në Itali nga trojet tona etnike, kryesisht nga Kosova, Shqipëria  dhe Maqedonia, duke dashur të dëshmojë vlerat tona unike si dhe respektin për vendin mikpritës ku gjetën strehë dhe punë, të bashkuar rreth një projekti me kontribut vullnetar mblodhën mjetet financiare dhe sollën në Itali shtatoren e simbolit të paqes dhe dashurisë, Shën Nënë Terezës.

Për t’ia dhuruar qytetit Quinto di Treviso për të qëndruar përjetësisht në sheshin dedikuar asaj.

Me datën 29 shtator 2018, në Quinto di Treviso (TV) , u mbajt manifestimi ceremonial i inaugurimit të monumentit të shenjtores shqiptare Shën Nënë Terezës.

Me këtë rast ishin të ftuar autoritete të larta shtetërore nga Kosova, Italia, Shqipëria dhe Vatikani. Poashtu edhe  autoritete të larta të Kishës Katolike shqiptare si dhe përfaqësues të të gjitha besimeve fetare te shqiptarët për të dëshmuar harmoninë dhe bashkëjetesën paqësore te shqiptarët dhe nderuar me ardhjen e tyre në festën tonë të paqes.

Image
Kryetari i Komunës së Quinto di Treviso, Mauro dal Zilio me vogëlushin Ari Besimi.

Projekti i ndërtimit të shtatores së bronxtë së Nënë Terezës ka filluar para 2 viteve gjatë vizitës në Romë me rastin e shenjtërimit të Nënës Tereze nga Papa Françesku, duke u nisur nga ideja e përbashkët e profesor Bajram Desku, përfaqësues i këtij komuniteti dhe koordinator i Shkollës shqipe të mësimit plotësues në Quinto di Treviso si dhe konzullit të Republikës së Kosovës, zotëri  Ruzvelt Frrokaj i cili në  çdo fazë të projektit ishte pranë komunitetit me këshillat e tij të çmuara dhe frymëzimin pozitiv duke ndihmuar në realizimin e shtatores. Me kërkesë të Bajramit në projekt angazhohet edhe Gëzim Muçolli nga Padova për të trajtuar çështjet administrative, gjuhësore dhe informative.

Frymëzuese ishte edhe mirënjohja që vinte  nga fjalët e Papa Françeskut në meshën e kanonizimit të Nënë Terezës në Vatikan me 5 shtator 2016 kur në sheshin e Shën Pjetrit, ndodheshin edhe shumë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Italia e vende të shumta të botës, kur fuqishëm jehoi zëri i tij : “Po ua dorëzoj këtë figurë emblematike të gruas dhe shenjtores  gjithë botës së volontariatit që ajo të jetë modeli juaj i shentërisë, që të na ndihmojë të kuptojmë përherë e më shumë që kriteri ynë i veprimit është dashuria falas dhe e lirë nga çfarëdo ideologjie e pengese e drejtuar ndaj të gjithëve pa dallim gjuhe, kulture, race ose religjioni që sjell shpresë gjithë njerëzimit” “.  

Image

Pas bisedave spontane dhe këshillimeve  me shumë mërgimtarë e sidomos me prindërit e nxënësve të shkollës shqipe të Quintos , Bajram Desku fton takimin e parë me mërgimtarët e pastaj formalizojnë kërkesën me shkrim me të cilën iu drejtuan Kryetarit të komunës Z. Mauro dal Zilio me datë 15 shkurt 2017.

Komuniteti shqiptar në kërkesë nënvizonte dëshirën e madhe për të realizuar këtë projekt që reflekton mirënjohjen për qytetin ku ata punojnë dhe ku po rriten fëmijet e tyre dhe kishin zgjedhur pikërisht t’iu dhuronin qytetarëve të Quintos këtë shtatore të Nën Terezes që paraqet personazhin-simbol, emri i të cilës bashkon dhe thërret rreth idesë së paqes, besimit dhe humanizmit si dhe fakti që na rritë krenarinë sepse figura universale e Nënë Terezes ka rrënjë familjare shqiptare duke qenë e lindur ne Shkup,kryeqytet i Kosovës nën pushtimin turko-otoman nga prindër kosovarë.

Autoritetet komunale dhe kryetari aprovuan kërkesën e komunitetit shqiptar dhe vetë kryetari u angazhua që ti gjendej vendi monumentit që do të vendosej në qytetin e Quintos si dhuratë e mërgimtarëve shqiptarë e cila u vlerësua të ishte iniciativë e drejtë, pozitive dhe e guximshme që do ta pasuronte trashëgiminë artistike, urbane, kulturale, ambientale dhe religjioze, duke krijuar nje vend reflektimi e devocioni, ku favorizohet edhe pjesëmarrja aktive e qytetarisë në respektimin e kulturave dhe ideve përparimtare të botës.

Image

Ndërkohë komuniteti shqiptar nën drejtimin e z. Bajram Desku mbajti edhe disa mbledhje ku u grumbulluan kontribute vullnetare financiare për shpenzimet e punimit të shtatores si dhe u krijua këshilli organizativ që u mor me përgatitjen e festës së inaugurimit dhe pas punës së shkëlqyeshme të artistit prof. Agron Bytyçi që e punoi skulpturën dhe bëri derdhjen në bronx, po pritej edhe caktimi i ditës së inaugurimit.

Përgatitjet e Këshillit organizativ të Komunitetit Shqiptar të Trevizos dhe autoriteteve të Komunës Quinto di Trevisos për manifestimin e madh festiv të inaugurimit të monumentit të Shën Nënë Terezës janë kryer me sukses përballë sfidave të ndryshme me unitet dhe dëshirën për të paraqitur jetën dhe sukseset e këtyre mërgimtarëve shembull të integrimit.

Festa filloi në orën 14, me zbulimin e shtatores së bronxtë të Shën Nënë Terezës në sheshin pranë rrugës Guglielmo Marconi nr. 27,në udhëkryqin me rrugën San Pio X. Ky monument  iu dhurua komunës së Quinto di Treviso në shenjë të nderimit, miqësisë dhe vëllazërisë, tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore që përherë i ka shpërndarë si vlera universale shenjtorja shqiptare njësoj si anëtarët e komunitetit shqiptar në Trevizo.

Zbulimin solemn të shtatores e bënë Kryetari i komunës Mauro dal Zilio, prifti i Quintos Don Roberto, Don Lush Gjergji – vikar i përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovës dhe prof. Mejdi Bislimi nga komuniteti shqiptar i Trevizos. Pas bekimit të shtatores nga monsignor Don Lushi dhe Don Roberto , përreth saj filluan vallet e grupeve folklorike shqiptare duke shprehur krenarinë kombëtare dhe entuziazmin festiv të përgjithshëm si në dasmat shqiptare .

Image
Ambasadorja Alma Lama.

Pas inaugurimit të shtatores u mbajt Akademi solemne kushtuar jetës dhe veprës së Nobelistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu- Nënë Terezës, ku morën pjesë edhe personalitete të rëndësishme të jetës shoqërore dhe publike shqiptare. Mes tjerësh në festë erdhën për të nderuar dhe përshëndetur mërgimtarët dhe nikoqirët e institucioneve lokale italiane edhe Zv. Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Fatmir Limaj, , zv.ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike të Republikës së Kosovës z. Afrim Bekteshi, ShS, zonja Alma Lama ambasadore e Republikës së Kosovës në Romë, z. Anton Berisha zëvendës ministër i Ministrisë PJ të Kosovës, Don Lush Gjergji , vikar i përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovës, Ekrem Bardha biznismen i njohur shqiptaro-amerikan dhe patriot i madh i çështjes kombëtare shqiptare në ShBA, profesoresha e njohur italiane Lucia Nadin, esperte e historisë shqiptare të mesjetës dhe studiuese e njohur e Skënderbeut, Gjergj Dedaj Zv.ministër i punëve të jashtme të Kosovës dhe ambasador i saj në Republikën e Maqedonisë, publicisti dhe gazetari i njohur shqiptar nga Bolonja Ndue Lazri, gazetarja Anduena Llabani nga CNN, Ferdinand Samarxhi nga RadioTelevizioni Shqiptar, znj. Ermina Lekaj-Perlaskaj deputetja shqiptare e Parlamentit të Kroacisë, z.Emanuel Demaj nga IAMN-Prishtinë,etj.

Ambasadorja Alma Lama gjatë përshëndetjes së saj shprehu kënaqësinë të ishte përherë pranë mërgimtarëve tonë në ditë festash e gëzimi duke i vlerësuar si urë lidhëse midis shtetit të Italisë dhe atdheut.Ajo falenderoi edhe autoritetet lokale dhe popullin italian që përherë ishte mikpritës për mërgatën shqiptare duke shpresuar për rritjen e bashkëpunimit midis dy kulturave dhe popujve. Poashtu foli me respekt për punën e madhe që kryejnë mësuesit e gjuhës shqipe duke ruajtur vlerat kombëtare te fëmijët shqiptarë.

Image
Don Lush Gjergji.

Në manifestimin madhështor morën pjesë edhe shumë bashkëatdhetarë të ardhur nga Shoqatat kulturore shqiptare në Itali si dhe shkollat e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, si z.Avdi Beqiri nga “Bashkimi Kombëtar”- Bassano del Grappa, z. Ragip Thaçi nga Këshilli i mësuesve shqiptarë të Venetos, z.Faik Tafolli nga “Dardania”- Montebelluna, znj. Vojsava Zagali nga “Besa”-Padova, z. Heset Ahmeti nga ”Iliria” nga Kopri i Republikës së Sllovenisë, z.Pirro Qendro nga shoqata”La svolta “  dhe Qendra e dokumentimit të historisë arbëreshe-shqiptare nga Bolonja , Ndue Qokaj nga “Shqiponja”-Lecco, mr. Peter Shtoka, me prejardhje arbërore- përgjegjësi i arkivit të qytetit të Koprit në Slloveni, z.Ferat dhe znj.Miradije Avdullahi nga Arzignano , znj.Vitore Stefa Leka nga “Ecim së bashku”-Trieste, znj.Anila Fortuzi nga Pordenone, z.Hamit Kurti nga San Dona di Piave, znj. Ermira Zhuri nga “Iliria”-Treviso, znj.Shpresa Kameraj Paterner nga Fondazioni “Dukagjini”-Austri, z.Naim Gashi, z.Ramadan Desku, Maxhun Smajli nga shoqata “ Sali Çeku”nga Mynihu,etj.

Image
Zëvendës-kryeministri Fatmir Limaj.

Ishin mbresëlënëse edhe fjalët përshëndetëse të kryetarit të komunës z. Mauro dal Zilio i cili foli me mirënjohje për figurën e shenjtores shqiptare pa harruar të përmend rolin dhe funksionin e komunitetit shqiptar në kuadër të bashkëpunimit institucional. Pas tij foli me respekt edhe miku tjetër ,z. Fulvio Pettenà, ish kryetari i Provincës së pasur tëTrevizos si dhe përfaqësuesi i Regjionit Veneto, assessori regjional për territorin,kulturën dhe sigurinë, z.Cristiano Corazzari, i deleguari i governatorit Luca Zaia i cili për arsye pune nuk kishte mundur të vinte në këtë ceremoni,pastaj kryetari i komunës së afërt Morgano, z. Daniele Rostirolla, këshilltari i Trevizos z.Torresan, etj. Të gjithë ata shprehën kënaqësinë e tyre që  ishin pjesëmarrës dhe dëshmitarë të proceseve të reja të bashkëpunimit ndërkulturor dhe ndëretnik duke qenë pikë e lartë e integrimit që është temë serioze e përfolur shpesh në raportet politike dhe të sigurisë të shtetit italian.

Image
Bajram Desku dhe kryetari i komunës përshëndesin të pranishmit me shqiponjën e përbashkët.
Image
Profesoresha veneziane Lucia Nadin.

Në mbarim të ceremonisë u shfaq program kombëtar nga grupet artistike me recitime poezishë për Nënë Terezën dhe me këngë e valle autoktone originale të interpretuara me përkushtim nga artistët shqiptar të mirënjohur si Gjin Shani i cili promovoi edhe këngën e tij më të re kushtuar Nënë Terezës shqiptare, Elhame Ahmetaj-Guhelli me këngë arbëreshe, Shkëlqim Beshiri me këngët e jugut,si dhe valltarët e grupit artistik “Iliria Veneto” z. Imri Osmani, vëllezërit Murtezani, Drita Gegaj- Qokaj me grupin e valleve “Shqiponja “nga Lecco,Arif Musaj dhe Fatmira Hysenaj-Musaj me grupin e valleve “Bajram Curri” nga Conegliano, si dhe Grupi i pavarur artistik “Drenica” i Imer Kurtaj i ardhur nga Gjermania.

Image
Bajram Desku dhe Zv.ministri kosovar i diasporës z.Afrim Bekteshi.

Pjesëmarrja e publikut ishte e jashtëzakonshme dhe festa kaloi në frymë vëllazërore. Organizimi i festës dëshmoi për angazhimin dhe seriozitetin e anëtarëve të këshillit organizativ, veprimtarëve të dalluar nga Trevizo si  Musa Ahmetaj i cili edhe përshëndeti të pranishmit dhe mysafirët duke folur për punën, sukseset dhe sfidat me të cilat përballen mërgimtarët në këtë zonë të Italisë. Pastaj edhe Bekim Spahiu, Ramiz Gashi, Vait Bytyçi, Rrahim Krasniqi, Elmi Vrenezi, dr. Artan Tolaj, Murat Bytyçi, Albert Bashota, Mursel Kodra, Labinot Morina, Shefqet Shala, Agim Mulosmani, Mejdi Bislimi, Selim Musaj, Driton Gashi, Armond Zogaj, etj

Duhet përmendur në veçanti edhe punën e madhe që kreu me përkushtim edhe afaristi i nderuar kosovar, z.Hetem Zogaj nga Quinto i cili përveq ndihmës në çdo fazë të projektit për shtatoren e Nënë Terezës, ai iu përgjigj kërkesave të programit dhe protokollit duke anticipuar shpenzimet  edhe për nevojat urgente finanziare. Ai është edhe njëri nga sponsorët e rregullt të programeve të shkollës ku fëmijët e mërgimtarëve çdo të shtunë vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Quinto.

Akademinë solemne e udhëhoqi moderatori i mirënjohur z. Refki Tafaj i cili i dha gjallëri komunikimit spontan të folësve me publikun e pranishëm bashkë me z. Gëzim Muçollin i cili ishte rolin e përkthyesit zyrtar të manifestimit.

Image
Elhame Ahmetaj duke kënduar Moj e bukura More.

Në mbrëmje duke filluar në orën 19 në Kishën parrokiale të Quinto di Treviso u mbajt Meshë solemne kushtuar Shën Nënë Terezës e udhëhequr nga kleriku vendës Atë Roberti dhe i nderuari monsinjor Don Lush Gjergji nga Kosova. Kisha ishte e vogël për ti zënë besimtarët vendës dhe ata të ardhur enkas nga qytetet përreth si dhe shqiptarët e të gjitha besimeve fetare që morën pjesë në meshë për të nderuar kujtimin për veprën dhe jetën e Shën Nënë Terezës si dhe në emër të mesazheve të saj të paqes dhe universalitetit të besimit në zot.

Image
Don Lush Gjergji dhe Padre Roberto

Darka solemne në hotelin BHR Treviso ishte pjesa përfundimtare e festës së madhe të mërgatës shqiptare. Në ballë të tryezës qendrore ishte Don Lush Gjergji me mysafirë të nderuar dhe mikëpritësin e festëz z. Bajram Desku. Kishte një atmosferë fisnike që po përshkonte orët e mbrëmjes së 29 shtatorit sikur ishte nën shkëlqimin e aureolës së shenjtërisë së bijës së madhe të Kosovës Shën Nënë Terezës. Duke filluar me fjalët plot mirënjohje dhe respekt të Don Lushit për mysafirët dhe mërgimtarët e vyeshëm shqiptar që kryen një punë kaq të vlefshme patriotike. Bajram Desku në rolin e moderatorit interaktiv me sukses e bëri mbrëmjen festive tu ngjajë gala mbrëmjeve duke i ftuar me radhë për dollitë e rastit miqtë e nderuar si bisnismenin shqiptaro amerikan z. Ekrem Bardha i njohur botërisht për lobimin dhe mbështetjen e tij te gjashtë presidentët e fundit amerikanë të cilët pastaj ndihmuan popullin shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë.

Pastaj gazetari i mirënjohur Ferdinand Samarxhi i cili pos tjerash shprehu indinjatën e tij për mungesën e ministrit shqiptar të diasporës Pandeli Majko i cili nuk erdhi në manifestim e as denjoi të dërgonte një letër përshëndetëse organizatorit dhe mërgimtarëve. Pastaj patrioti i madh nga malësia e Ulqinit z. Nikollë Shabanaj, avokat i njohur në Germani, Adrian Andreja konzull i Kosovës në Milano, Z. Anton Berisha zvministër i PJ, gjeneral Enver Cikaqi, komandant i forcave tokësore të Forcës së Sigurisë të Kosovës, dr.Gëzim Muçolli nga qyteti i Padovës i cili pas kujtimit të ngjarjeve historike të viteve ’90 të shekullit të kaluar ku ishte protagonist edhe Don Lushi, përkrahu idenë e z. Bajram që së shpejti bashkë të përgatisnin projektin final për vendosjen e një përmendorje të heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skenderbeu në qendër të qytetit të Venecias.

Image
Veprimtarë dhe intelektualë të njohur nga Italia, Kosova, Shqipëria dhe Sllovenia.

Në orët e vona përfundoi festa e Quintos të cilën pjesëmarrësit e saj do ta mbajnë në mend përherë jo vetëm si ngjarje historike por edhe për fisnikërinë dhe nivelin e lartë kulturor që shfaqi mërgata e nderuar shqiptare duke dëshmuar integrimin e realizuar dhe kriterin e lartë identitar.

Festën e madhe interkulturore e përcolli edhe RAI- Radiotelevisioni Italian i cili i kushtoi dy edicionet e mbëmjes të TGR 3 -Veneto si dhe gazetat ditore të Trevizos.

Për të gjithë bashkatdhetarët e interesuar dhe veprimtarët nga  Shoqatat kulturore dhe Shkollat e mësimit plotësues në Itali, ditën e diel me 30 shtator 2018 duke filluar nga ora 12.00 në via Graziati nr 2 në Quinto, u mbajt Takimi i mërgimtarëve me zëvendës ministrin e Diasporës dhe Investimeve Strategjike  së Kosovës z. Afrim Bekteshi si dhe me Don Lush Gjergjin, me temën “ Diaspora shqiptare në Itali-Sfidat midis integrimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar. Shembulli i Trevizos dhe komuniteteve tjera shqiptare në Veneto”.

Pas hapjes së takimit , Z. Bajram Desku ia dha fjalën njeriut të madh të kishës shqiptare dhe popullit shqiptar, Don Lush Gjergjit i cili sapo kishte përfunduar meshën e mëngjesit në kishën e Quintos me kërkesën e Don Robertos dhe besimtarëve italianë të kësaj ane. Don Lushi pasi u falenderua edhe njëherë duke shprehur mirënjohjen e tij për mërgimtarët shqiptarë të Trevizos dhe Regjionit Veneto edhe të Italisë, sidomos i impresionuar nga festa e një dite më parë foli për historinë e popullit shqiptar, vuajtjet nën robëri dhe luftën për liri kombëtare, duke theksuar fjalët se “pa dashuri e flijim, jeta nuk ka kuptim”. Ai foli përsëri për kontributin fetar dhe human të Shën Nënë Terezës si dhe për vendosshmërinë e papës Gjon Pali i II i cili me ngulm përkrahu  çdo aksion politik e ushtarak për mbrojtjen e popullit shqiptar gjatë luftës së Natos kundër Serbisë.Nënë Tereza në çdo takim kishte kërkuar nga politikanë dhe njerëz të rëndësishëm që të mbronin popullin shqiptar nga shkatërrimi që po bënte Serbia në Kosovë. Kishte kërkuar edhe nga Bernard Kuschner fitues i Nobelit për paqe, themeluesi i Mjekëve pa kufinj i cili më vonë do të bëhej administrator i misionit të Okb në Kosovë. Në Shqipëri në vitin 1989 kishte shkuar të vizitonte vorret e nënës Dranes dhe motrës Ages dhe u ndal edhe te vorri i ish diktatorit Enver Hoxha dhe u lut edhe për shpirtin e tij duke na mësuar se diktatorët e ndryshëm ose kanë vdekur ose i kanë larguar. Diktatori i vetëm që nuk vdes kurrë është urrejtja,prandaj duhet ta luftojmë gjithmonë urrejtjen.

Duke falenderuar Bajramin me shokë për këtë punë të mrekullueshme rreth shtatores së Nënë Terezës e cila vetëm 18 vitet e fëmijërisë dhe rinisë së saj i kaloi në vendlindje e pastaj ka jetuar mijëra kilometra larg në Kalkuta duke ruajtur rrënjët arbërore-shqiptare dhe shpesh ndëgjojmë thënjen edhe unë jam shqiptar si Nënë Tereza. Kur të vini në Prishtinë, ju ftoj të na vizitoni te Katedralja ku do të shihni mozaikun e kristaltë të historisë mbi 2000 vjeçare nga Dardania e dikurshme në Kosovën e sotshme. Historia jonë është nën tokë, kudo që të gërvishtni do të gjeni rrënjë arbërore dhe shqiptare në Kosovë.

Duke ju falenderuar edhe një herë për punën tuaj madhore dhe mikpritjen tuaj, po ju them se gjatë këtyre 2 ditëve që qëndrova në mesin tuaj jam mbushur me energji të cilën do ta shfrytëzoj për të mirë në Kosovën tonë.- tha Don Lushi.

Bajram Desku falenderoi Don Lush Gjergjin për miqësinë dhe kontributin e tij të vazhdueshëm për çështjet madhore të kombit tonë. Ai plot respekt tha : Mua më ka rënë barra e organizimit të punës rreth monumentit të Shën Nënë Terezës, por meritat janë të gjithë bashkatdhetarëve tonë që nuk u ndalën së vepruari dhe kontribuan në realizimin e projektit.

Zëvendësministri i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MeDIS) të Republikës së Kosovës, z.Afrim Bekteshi duke përshëndetur të pranishmit falenderoi edhe Don Lushin për praninë e tij si mik i mërgimtarëve dhe si njohës i mirë dhe  për së afërmi i Nënë Terezës.Duke i falenderuar të gjithë ata që kontribuan për monumentin e Nënë Terezës, ai veçoi duke u nisur nga ideja e projektit kryetarin Bajram Besku dhe 2 përkrahësit e tij më të afërt Hetem Zogaj dhe Gëzim Muçolli me të cilin kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm qysh para 2 muajsh. Pas njohjes me përgatitjet dhe nevojat e përmbylljes së projektit u angazhuam në ministri dhe me përkrahjen e ministrit Dardan Gashi u përcaktuam që ta kemi patronatin e manifestimit festiv i cili nderoi mërgatën shqiptare dhe qeverinë e Republikës së Kosovës. Iu përgjigjëm kërkesës për bashkorganizim dhe bashkëfinancim të fazës finale dhe jemi të kënaqur që projekti u mbyll me sukses  në mënyrë madhështore me Akademinë solemne ku morën pjesë figura të nderuara të jetës publike dhe institucionale si dhe zv.kryeministri i Republikës z. Fatmir Limaj i cili shprehu kënaqësinë dhe admirimin për këtë masovizim të zhvillimit të aktiviteteve kulturore shqiptare në Itali dhe gatishmërinë për ti përkrahur të gjitha nismat pozitive që vlerësojnë lart integrimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.

Zv.ministri Bekteshi tha se integrimin më së miri jeni duke e kryer ju vetë në vendet ku jetoni, punoni, shkolloheni dhe veproni. Kurse ne si shtet jemi duke u fokusuar në atë se çka mundemi me bë rreth ruajtjes së identitetit kombëtar. Diaspora e Italisë edhe pse e re qe 20-30 vitet e fundit është shumë më mirë në procese integruese edhe kombëtare se sa psh në Suedi. Kemi vërejtur jo vetëm angazhimin e madh në hapjen e klasave të reja të mësimit plotësues në funksion të ruajtjes të gjuhës shqipe por edhe patriotizmin e theksuar që është vlerë orientuese drejt bashkimit kombëtar. Ai pastaj foli për orientimet dhe punën e 2 qeverive në hapjen e qendrave të reja kultrurore në Evropë si dhe për faktin se në Prishtinë ekziston Zyra koordinuese e të gjithë mësuesve të gjuhës shqipe në Evropë dhe përtej Atlantikut. Përveq që krenohemi me tolerancën ndërfetare jemi të kënaqur që fëmijët e mërgimtarëve po shkollohen dhe flasin 3-4 gjuhë të ndryshme duke qenë shpresa e atdheut për zhvillim në të ardhmen. Varësisht nga kushtet jemi të interesuar të hapim një qendër kulturore diku në Regjionin e Venetos.

Image
Hetem Zogaj, Don Lush Gjergji dhe Bajram Desku.

Deputetja e parlamentit kroat me origjinë nga Prizreni, Ermina Lekaj-Perlaskaj duke falenderuar për ftesën dhe mikpritjen foli për përvojën e saj dhe ligjet pozitive në Kroaci ku përfaqësimi i mërgatës nëpërmjes saj është i bazuar në Ligjin mbi pakicat kombëtare. Ajo tha se është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj edhe përfaqësuesve shqiptarë në Itali. Duke folur për luftën atdhetare të popullit kroat kundër agresionit serb ajo tha se kanë luftuar 1870 pjesëmarrës shqiptarë prej të cilëve 87 kanë rënë dëshmorë kurse 36 janë të zhdukur ose të burgosur në Serbi. Ne i  kemi dhënë shumë popullit kroat por edhe ata po japin për ne e tash së shpejti do të hapim katedrën e studimeve të albanologjisë në Universitetin e Zagrebit edhe një Qendër Kulturore shqiptare. Në Kroaci kemi 2 ambasadorë nga shtetet shqiptare e poashtu edhe ambasadori i Republikës së Maqedonisë është shqiptar si dhe një deputete në Parlament, pra përfaqësimi është në nivel të lartë.

Në bisedë morën pjesë edhe Gëzim Muçolli i cili paraqiti dokumentacionin e peticionit të mërgimtarëve nga veriu i Italisë të cilët në mars të vitit 2014 kërkuan nga Ministria e Punëve të Jashtme , MeDIS dhe Presidenti i Republikës së Kosovës hapjen e një Konzullate në Veneto në Trevizo , Padova apo Venezia. Pas një viti heshtjeje përsërinë mars 2015 iu drejtuan në mënyrë protokolare me një Promemorje për ta ngritur kërkesën e cila nuk pati asnjëherë përgjegje as formale , megjithë faktin se e kishin nënshkruar mijëra bashkatdhetarë. Poashtu edhe Beqir Cikaqi përmendi kërkesën që patën bërë mërgimtarët për hapjen e një Qendre Kulturore gjatë mandatit të qeverisë së kaluar të cilës nuk iu përgjigj asnjëherë Ministria e Diasporës e Kosovës.

Kontribut  dhanë me diskutimret e tyre edhe znj. Shpresa Kameraj Paterner nga Fondazioni “Dukagjini në Austri, pastaj prof. Selim Musaj nga Lëvizja Unikomb, avokatja Ermira Zhuri nga Trevizo, presidente nderi e Shoqats “Iliria”, Bekim Spahiu nga komuniteti i Quintos, etj.

Takimi u mbyll me informatën se në fund të muajit tetor në Sloveni do të mbahet takimi interegjional i mësuesve nga shtete të ndryshme të Evropës kurse nga 2-4 nëntor në Bassano del Grappa të Vicencës do të mbahet seminari me mësuesit shqiptarë të Italisë organizuar nga Ministria e Diasporës e Kosovës.

Të pranishmit u ndanë me shpresë që herë të tjera do të realizohen kërkesat e mërgimtarëve të kësaj zone , njëra nga më aktivet nga vendet e Bashkimit Evropian dhe me një  fotografi të përbashkët përjetësuan si  kujtim të aktiviteteve dyditore të Quintos e cila është krenaria e mërgatës shqiptare në Itali. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat