Dieta mesdhetare ka “vdekur”. Fëmijët e rajonit, më të shëndoshët e Evropës

Dieta

Dieta mesdhetare ka “vdekur”. Fëmijët e rajonit, më të shëndoshët e Evropës

Më: 24 maj 2018 Në ora: 09:34
Ilustrim

Për fëmijët në Greqi, Spanjë dhe Itali, dieta mesdhetare duket se ka “vdekur”, të paktën sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, e cila thotë se janë fëmijët në Suedi, në krahun tjetër të Evropës, që konsumojnë më shumë peshk, vaj ulliri dhe domate sesa ata në jug të kontinentit.

Në Qipro, 43% e fëmijëve në moshën 9-vjeçare janë mbipeshë ose obezë. Në Itali, Greqi dhe Spanjë kjo përqindje sërish i kalon 40%. Statistikat tregojnë qartë se vendet mesdhetare që i kanë dhënë emrin dietës së famshme, e cila pretendohet të jetë më e shëndetshmja në botë, kanë fëmijë me problemet më të mëdha të peshës në Evropë.

Ëmbëlsirat, “fast food”-et dhe pijet e ëmbla kanë zëvendësuar dietën tradicionale të bazuar tek frutat dhe perimet, peshku dhe vaji i ullirit.

“Dieta mesdhetare për fëmijët në këto vende është zhdukur. Nuk ka më dietë mesdhetare. Ata që janë më pranë dietës mesdhetare janë fëmijët suedezë. Dieta mesdhetare është zhdukur dhe ne duhet ta gjejmë sërish”, deklaroi Dr. Joao Breda, kreu i zyrës së OBSH-së për Evropën për sëmundjet jongjitëse.

Veç përkeqësimit të dietës, Breda tha se pasiviteti fizik është një tjetër problem i theksuar i fëmijëve në Evropën jugore. Megjithatë, OBSH-ja tha se problemi tashmë është i njohur dhe këto vende kanë nisur të marrin masa për të reduktuar obezitetin tek fëmijët, diçka që padyshim do të kërkojë kohë për të parë rezultatet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat