Çfarë ka ndodhur më 17 nëntor?

Dokumentare

Çfarë ka ndodhur më 17 nëntor?

Më: 17 nëntor 2016 Në ora: 07:26
Foto arkiv

1603 – Shkrimtari, eksploruesi dhe oborrtari britanik Sir Walter Raleigh del në gjyq nën akuzat për tradhti. Ai kishte luajtur rol të rëndësishëm në kolonizimin e Amerikës. Por mbreti James e kishte inat pasi Sir Raleigh ishte favorit i mbretëreshës Elizabeth, dhe kur kjo vdiq, James e dënoi me burgim dhe më 1618, me vdekje.

1839 – Oberto, opera e parë e Giuseppe Verdit, shfaqet në la Scala të Milanos, Itali.

1869 – Në Egjipt, përurohet Kanali i Suezit, që lidh Detin Mesdhe me Detin e Kuq. Ky kanal ishte një nga projektet madhore të dinastisë shqiptare të themeluar nga Mehmet Ali Pasha për modernizimin e Egjiptit.

1903 - Në Rusi, partia Social Demokrate e Punës ndahet në dy grupe, në shumicë dhe pakicë (rusisht; bolshevikë, dhe menshevik).

1912 – Në përpjekje për të parandaluar copëtimin e Shqipërisë, shoqata mbarë shqiptare e Amerikës, Vatra organizoi një takim në Boston, në të cilin Faik Konica ishte folësi kryesor. Ai pohoi dobësimin e Turqisë: “Turqia po bie, Shqipëria është e pushtuar dhe në rrezik për t’u copëtuar. Çfarë do të bëjmë ne si atdhetarë për të shpëtuar vendin tonë?” Pas këtyre fjalëve, pjesëmarrësit miratuan vendimin që burimet financiare të Vatrës të përdoreshin për të shpëtuar Shqipërinë. Gjithashtu, telegrame iu dërguan fuqive të mëdha; Austrisë, Gjermanisë, Italisë, Vatikanit, Francës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara me kërkesën që të ndalonin copëtimi i Shqipërisë.

1922 – Ish-sulltani i perandorisë osmane Mehmedi VI shkon në mërgim në Itali.

1933 – Shtetet e Bashkuara njohin Bashkimin Sovjetik.

1944 – Trupat e brigadës së parë sulmuese të udhëhequra nga Mehmet Shehu çlirojnë Tiranën nga nazistët gjermanë – pas 19 ditë luftimesh të ashpra ku banorët e kryeqytetit luajtën rol aktiv. Forcat partizane patën edhe mbështetje nga ajri nga forca ajrore britanike që sulmonin autokolonat gjermane jashtë kryeqytetit, ndërsa disa qindra parashutistë anglezë u hedhën në zonat midis liqenit të Ohrid dhe bregdetit shqiptar për sulme të bashkërenduara me partizanët. Të nesërmen, më 18 tetor, radioja gjermane në Berlin pranoi se trupat e prapavijës naziste kishin mundur të tërhiqeshin nga kazermat e Tiranës duke iu shmangur rrethimit.

1947 – Shoqata amerikane e aktorëve merr vendimin që të gjithë anëtarët e saj, aktorë, regjisorë, skenaristë, të bëjnë betimin për besnikëri anti-komuniste.

1962 – Presidenti John F. Kennedy përuron aeroportin ndërkombëtar Dulles pranë kryeqytetit Uashingtonit.

1973 – Revolta e studentëve të Institutit Politeknik të Athinës kundër regjimit ushtarak përfundon në gjakderdhje.

1986 – Vdiq Kolonel-Lejtnant Neil Loudon Desmond McLean, i njohur si Billy McLean, oficer zbulimi i ushtrisë britanike, i cili udhëhoqi operacionet speciale në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në fillim të vitit 1943, Londra e caktoi Mcleanin për të udhëhequr një mision në Shqipërinë e pushtuar për të bashkërenduar luftën kundër nazizmit. Ai u hodh me parashutë në prill të vitit 1943 dhe ra në kontakt me partizanët, duke vendosur gjithashtu lidhjen e parë me radiotransmetues me shtabin britanik. Ekipi McLean organizoi brigadën e parë partizane, dhe u kujdes për stërvitjen dhe armatimin e saj. Pas evakuimit nga Shqipëria në nëntor 1943, McLean u thirr në Londër. Megjithatë, tensioni mes partizanëve dhe Legalitetit e Ballit Kombëtar, shkaktuan shqetësime mes britanikëve se lufta po pengohej, dhe Billy McLean u dërgua përsëri në Shqipëri në prill 1944 me një ekip të vogël i përbërë nga David Smiley dhe Julian Amery, me mision për një bashkim forcash mes nacionalistëve dhe partizanëve, por pa sukses. Pas kësaj, strategjia britanike ndryshoi; Mclean u urdhërua nga Londra të braktiste shtabin e Abaz Kupit, dhe përkrahja britanike i kaloi vetëm partizanëve. Pas luftës, në fund të viteve 1940, Billy McLean iu bashkua përpjekjeve të agjencive amerikane dhe britanike të zbulimit kundër regjimit komunist në Shqipëri.

1989 – Lufta e Ftohtë: Revolucioni Kadife fillon: Në Çekosllovaki – demonstrata e studentëve në Pragë shtypet nga policia. Kjo u bë shkak për protesta në shkallë të gjerë që çuan në përmbysjen e qeverisë komuniste më 29 dhjetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat