21 dhjetori në histori

Dokumentare

21 dhjetori në histori

Më: 21 dhjetor 2016 Në ora: 07:27
Kështjella Babylon në deltën e Nilit

640 - Arabë myslimanë marrin kështjellën Babylon në deltën e Nilit (afër Kajros) pas një rrethimi shtatë-mujor. Në fillim të pushtimit mysliman, Egjipti ishte pjesë e perandorisë romake bizantine me kryeqytet Kostandinopojën. Me humbjen e Egjiptit, Perandoria Romake Lindore mbeti e ekspozuar dhe e pambrojtur nga sulmet.

1118 - Lindi Thomas Becket, kryepeshkopi i Canterburyt nga 1162 deri në vrasje në vitin 1170. Becket u angazhua në konflikt me Henrin II të Anglisë lidhur me të drejtat dhe privilegjet e Kishës dhe u vra nga pasuesit e mbretit në Katedralen e Canterburyt. Menjëherë pas vdekjes, ai u shpall shenjtor nga Papa Alexander III.

1620 - William Bradford dhe anija Mayflower me pelegrinët në bord mbërrin në vendin që njihet tani si Plymouth Rock, Massachusetts.

1804 - Lindi Benjamin Disraeli; politikan konservator britanik, shkrimtar, aristokrat, dy herë Kryeministër, dhe i vetmi deri më sot me prejardhje hebraike i zgjedhur në këtë post në Britani. Ai njihet edhe për udhëtimin 17 muajsh (qershor 1830 – tetor 1831) nëpër Spanjë, Maltë, Shqipëri, Greqi. Në shkrimet dhe letrat e tij, Disrael shprehet i mahnitur veçanërisht me kostumet shqiptare.

1826 - Kolonët amerikanë në Nacogdoches të Teksasit meksikan, shpallin pavarësinë, duke filluar kryengritjet që çuan në beteja dhe përfundimisht në shkëputjen nga Meksika dhe krijimin e republikës së Teksasit më 1836.

1919 - Aanarkistja amerikane Emma Goldman dëbohet në Rusi nga ku kishte emigruar në SHBA në vitin 1885. Goldman ishte burgosur disa herë, për nxitje të trazirave. Në vitin 1917, ajo ishte dënuar me dy vjet burg për propagandë kundër regjistrimit në ushtri, ndërsa Amerika kishte hyrë në luftën e parë botërore. Pas lirimit, së bashku me qindra të tjerë, ajo u deportua në Rusi.

1968 - Programi Apollo: Apollo 8 niset nga qendra amerikane e Hapësirës Kennedy duke u bërë anija e parë me astronautë në bord që del nga orbita e Tokës, hynë në orbitën e Hënës, dhe të kthehet në mënyrë të sigurt në Tokë. Ekuipazhi tre-astronautësh - Frank Borman, James Lovell, William Anders - u bënë njerëzit e parë që e shohin Tokën nga lart si një planet të tërë, dhe të parët që shohin drejtpërdrejt anën e errët të Hënës. Anijes iu desh tre ditë për të arritur në orbitën e Hënës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat