Ofensiva serbe e 26 marsit 1999 në Krushë të Madhe

Dokumentare

Ofensiva serbe e 26 marsit 1999 në Krushë të Madhe

Nga: Naxhije Doçi Më: 30 mars 2018 Në ora: 18:48
Besnik Hoti kujton prindin, Dr. Fahredin Hoti dhe vellain e gjyshin

Krusha e Madhe bënë pjesë në Komunën e Rahavecit dhe është fshati më i madh i kësaj komuneje, ku mbi 97 % e popullatës janë shqiptarë, ndërsa 3 % janë popullatë serbe dhe të tjerë. Gjatë ofenzivave të 25, 26 dhe 27 marsit 1999 në Krushë të Madhe, forcat ushtarake serbe vranë, masakruan, dogjën dhe rrëmbyen 242 shqiptarë moshash e gjinish të ndryshme. Një pjesë të popullatës e vranë në Vneshtije dhe në malin pas Vneshtijeve, e të tjerët në shtëpitë e tyre, në xhami të fshatit dhe kudo që i gjetën. Shtëpi të djegura e të shkatërruara në Krushe të Madhe janë 660, pa i llogaritur edhe plemet dhe ahuret si të veçanta.

Në Krushë të Madhe ka edhe shumë të zhdukur, për fatin e të cilëve familjarët ende nuk dinë se a gjenden ndokund të gjallë, apo se ku gjenden të varrosur?! Sipas dëshmitarëve dhe sipas të dhënave të tjera të zbuluara, shqiptarët e rrëmbyer të Krushës së Madhe janë varrosur nëpër varreza masive nëpër Kosovë e në Serbi dhe deri në ditët e sotme ende nuk është ndriçuar plotësisht fati i tyre. Nga dhëmbjet me shqetësime të përditshme gratë e veja të Krushës së Madhe me 548 fëmijët jetim të tyre kërkojnë me çdo kusht që eshtërat e më të dashurëve të tyre të prehen në tokën e Kosovës, për të cilën edhe e kishin dhënë jetën.

Image
Foto portret dhe bust i Dr. Fahredin Hoti

 

Në Krushë të Madhe kam shkuar disa herë që të mblidhja shënime për pasojat e luftës serbe të vitit 1999, në Kosovë, se nuk ka njeri dhe as familje në të që nuk kanë përjetuar në një mënyrë ose në një tjetër tmerre gjatë luftës së pabarabartë serbe të vitit 1999, në Kosovë. Shumë familje edhe kanë pësuar, duke iu vrarë, kidnapuar dhe zhdukur anëtarët e familjes. Vizitat në Krushë të Madhe i kam bërë në shumë familje, si në familjen Hoti, Nalli, Krasniqi, Duraku. Për familjen Duraku të Krushës së Madhe kam shkruar në librin tim, të botuar pas luftës, në vitin 2000.

 

DR. FAHREDIN HOTI U VRA NË OFENSIVËN SERBE

TË 26 MARSIT 1999 NË KRUSHË TË MADHE

 

Njëra ndër familjet e Krushës së Madhe të Rahavecit që pësoi shumë gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë është edhe familja e gjerë Hoti, ku forcat serbe i vranë dhe i dogjën 65 burra prej moshës 15 deri në 85 vjeç. Për luftën e tmerrshme serbe në Krushë të Madhe personazh i rrëfimit është Nexhmije Hoti, motër medicinale me profesion dhe bashkëshortja e Dr. Fahredin Hotit, gjinekologut dhe mjekut dëshmor të përmasave të përkushtuara. Gjatë ofensivës shfarosëse të 26 marsit 1999 në Krushë të Madhe, Nexhmije Hoti përjetoi tmerre të shumta të luftës, si edhe humbi krijesat më të dashura, bashkëshortin Dr. Fahredin Hoti dhe djalin 15 vjeçar, Kreshnik Hoti. Me Nexhmije Hotin qesh takuar menjëherë pas përfundimit të luftës së tmerrshme të vitit 1999, në Kosovë, gjatë kohës kur bëja vizita në Krushë të Madhe, për të mbledhur nga gratë deshmi të ngjarjeve të luftës. Gjatë bisedës me Nexhmije Hotin, tek ajo vërejta një karakter të dalluar qëndrueshmërie të femrës shqiptare në përballim të dhembjeve të shumta, që i ishin shkaktuar nga barbaria e shfrenuar e ushtarëve kriminelë serbë.

Rrëfimi i ngjarjes: Dr Fahredi Hoti, i lindur në vitin 1953 në Krushë të Madhe të Rahavecit, është vrarë nga forcat kriminele serbe në ditën e ofensivës së tmerrshme serbe të 26 marsit 1999 në Krushë të Madhe. Forcat ushtarake dhe paramilitare serbe e kanë vrarë në momentin kur ai ishte duke i mjekuar të plagosurit e zhvendosur shqiptarë në malin e afërt të Krushës së Madhe.

Dr. Fahredin Hoti kishte qenë në mesin e popullatës, që iknin si pa krye nga granatimet tmerruese serbe, duke ia lidhur plagët një të plagosurit nga Randobrava dhe të tjerëve të plagosur afër tij. Ne vrapim pas të plagosurve, që kishin kërkuar ndihmë thuaja se në çdo sekund, do ta dëgjojë një zë trishtues: Doktor Fahredin, një granatë e ka goditur Kreshnikun dhe e ka lënë të shtrirë në tokë! Djali i tij, Kreshniku 15 vjeç asnjëherë nuk i ishte ndarë të atit dhe aspak as syri nuk i ishte trembur nga gjuajtjet e pandërprera me krisma e bubullima të tmerrshme që bënin forcat serbe gjatë asaj ofensive të tmerrshme të 26 marsit 1999 në Krushë të Madhe. Nuk ishte frikësuar Kreshniku dhe as nuk ishte ndalur as ditëve të tjera, se forcat serbe e kishin pasur në shënjestër Krushën e Madhe që nga ofensiva e verës së 17 korrikut 1998, në Rahavec.

Ramadan Hoti nga Krusha e Madhe dhe Lulzim e Nait Spahiu nga Apterusha kishin qenë ata që i kishin treguar Dr. Fahredinit për vrasjen e djalit, se me ta edhe kishte qenë duke iu dhënë ndihmë njerëzve të shastisur nga tmerret e luftës shfarosëse. Me të dëgjuar fjalët trishtuese të tyre, o mule doktor se e goditën Kreshnikun, Dr. Fahredini është kthyer menjëherë që t’ia jepte ndihmën djalit dhe në ato momente e kishte goditur edhe atë një snajperkë serbe në gjoks. Diku ndoshta vetëm pesë–gjashtë metra pa mbërritur te djali i plagosur e kishin plagosur edhe Dr. Fahredinin dhe ai menjëherë kishte mbetur në vend pa mundur të lëvizë më tutje, që të mbërrijë te Kreshniku. Popullata, që i kishin kaluar përskaj, të tmerruar nga breshëria e plumbave dhe nga eksplodimi i granatave serbe mbi ta, nuk e kishin parë që kishte mbetur i shtrirë përtokë Dr. Fahredini. Secili kishte vrapuar për vete pa ditur se kah po shkonin, se gjuajtjet me armë vdekjeprurëse kishin qenë të pandërprera dhe nga të gjitha anët. Dr. Fahredini, duke e parë gjendjen alarmante të popullatës në atë betejë krejtësisht të pabarabartë, sigurisht vetë i kishte pastruar dhe qepur plagët e veta dhe sigurisht edhe rrëshqanas kishte tentuar që t’i shkonte në ndihmë Kreshnikut të plagosur, se në afërsi të tij edhe ishte gjetur i vdekur.

Image
Fotoja e Kreshnik Hotit të vrarë -15 vjeç

 

Gjithënjë sipas Nexhmije Hotit, nuk dihet se çka ka ngjarë pas plagosjes së Dr. Fahredin Hotit, por nga njollat e gjakut në kokë dhe në fytyrë, si edhe nga xhepat e setrës dhe të pantallonave të nxjerrë përjashta, bëjnë për të kuptuar se ushtarët kriminelë serbë i kanë rënë në kokë dhe në fytyrë edhe nga afërsia, sigurisht me kundak të pushkës, si edhe e kanë plaçkitur. Kanë bërë krime të shumta mbi ta, duke i shkaktuar vdekje të tmerrshme një herë mbase Kreshnikut para syve të të atit e pastaj edhe Dr. Fahredinit.

Pushtuesi serb prej kohësh e kishte pasur halë në sy Dr. Fahredin Hotin, prandaj edhe kanë bërë kërdi me barbarizëm të paparë mbi të dhe mbi djalin e tij, që ishte në moshë shumë të re. Kanë bërë krime edhe mbi krejt të pushkatuarit të tjerë shqiptarë në atë fushëbetejë të tmerrit në Krushë të Madhe, se i kanë kontrolluar të gjithë të vrarët edhe për të dytën herë mos ka mbetur ndonjëri prej tyre i gjallë, që t’i vrisnin e t’i masakronin veç e veç dhe me të ngadaltë.

 

Dr. Fahredin Hoti ishte mjek edhe në Bjeshkët e Berishës ku luftohej për liri

 

Sipas Nexhmije Hotit, kur më 1998 kishte pëlcitur lufta e hapur serbe në Kosovë, Dr. Fahredini Hoti ishte vazhdimisht në terren, duke shkuar në vendet ku luftohej për liri të Kosovës. Në këtë kohë ai nuk ishte vetëm gjinekolog, por ishte edhe mjek për të gjitha sëmundjet dhe për të gjitha hallet e pacientëve, që i trajtonte. Shkonte shpeshherë në Likoc, Açarevë, Drenoc dhe në fshatra të tjera të bjeshkës së Berishës dhe të Malishevës e të Drenicës. Sistematikisht kishte shkuar edhe në spitalin ushtarak të UÇK-së në Pagarushë. Në shtëpitë e rrënuara dhe të djegura të këtyre anëve dhe nën breshërinë e plumbave vrastarë të armikut serb, jeta megjithatë kishte vazhduar të përtërihej, se nën përkujdesjen e Dr. Fahredinit kishin lindur fëmijët e së ardhmes së Kosovës, si edhe ishin shëruar rezistuesit sypatrembur që e luftonin pushtuesin serb në Kosovë. Gati kurrë nuk kishte bërë gjumë në shtëpi, se ia kishte dhënë vetes detyrë të gjendej pranë njerëzve të plagosur e të sëmurë, që kishin nevojë për përkujdesje të mjekut.

Viti 1998 ishte shumë i rëndë për Kosovën, se gjithkah nëpër territorin e saj bëheshin ofenziva të shumta dhe shfarosëse serbe. Përmes Televizionit Shqiptar, (dy orësh) për Kosovën, se Tevizioni i Prishtinës që nga viti 1989 veç ishte i pushtuar nga serbët dhe se Kosova ishte në terr të plotë informativ, bëhej apel që t’i ndihmohej Drenicës. Me të dëgjuar lajmin Dr. Fahredini do të gjendej ndër mjekët e parë atje, i cili me të hollat e veta kishte blerë edhe barëra të shumta dhe mjete të tjera sanitare, që t’i gjenden për raste të rënda, dhe të cilat i mbante në një depo personale, në Krushe të Madhe. Kudo që shkonte në terren barërat i mbante më vete në gepekun e veturës së vet. Në Drenicë kishte udhëtuar çdo të dytën ditë dhe më së shumti kishte udhëtuar natën, nëpër rrugë dytësore dhe nëpër terrene shumë të vështira. Në Drenicë kishte udhëtuar çdo të dytën ditë dhe më së shumti kishte udhëtuar natën, nëpër rrugë dytësore dhe nëpër terrene shumë të vështira. Disa herë kishte udhëtuar edhe bashkë me motrën medicinale Sanije Desku nga ambulanca mjekësore e Malishevës, ku Fahredini kishte punuar vullnetarisht dy herë në javë, kur kishte qenë gjinekolog në Rahavec. Rrugën, që të mbërrinin në vendin e caktuar në Drenicë ua kishin treguar më qartë banorët vendorë e ndonjëherë edhe ushtarët tanë. Kishte ndodhur ndonjëherë që, për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe të pëstblloqeve të shtuara të forcave serbe nëpër rrugët e fshtrave, të mos mundnin të shkonin me veturë deri në vendin e caktuar. Që ta realizonin misionin e nisur ishte dashur pastaj, që të udhëtonin si të mundnin, me traktor ose edhe në këmbë. Rasti konkret ishte kur një herë e kishin lënë veturën në Plloqicë (afër Ujmirit) të Komunës së Klinës dhe kishin shkuar këmbë deri në fshatrat e Drenicës. Dr. Fahredini kishte treguar se gjatë vizitës mjekësore nëpër fshatrat e Denicës, bashkë me ta shpeshherë kishte shkuar edhe bashkëshorti i Sanijes, Cen Desku, një aktivist i madh në ndihmesë lëvizjes për çlirimin e Kosovës.

 

Më 1998 Dr. Fahredin Hoti fshatrat i vizitonte me orar dhe sipas nevojës

 

Dr. Fahredini shkonte nëpër fshatra në çdo kohë dhe sa herë që e kërkonin ndihmën e tij, pa marrë parasysh rreziqet që do të mundnin t’i delnin në rrugë. Përherë udhëtonte me veturën e tij dhe thuaja se rregullisht udhëtonte në shoqëri më djalin Kreshnikun. I caktonte si me një lloj orari fshatrat se ku kishte për të shkuar në vizita. Një herë shkonte në fshatrat përreth Krushës së Madhe, si në Celinë, Bellacerkë, Sopniq, Potoçan, Reti, Rogovë, Hoçë e Vogël, etj. Ditën tjetër shkonte në fshatrat pak më të largëta, si Ratkoc, Qifllak, Kramovik, Samadraxhë, Dobërdelan, Dragobil, Malishevë, për të vazhduar pastaj pa u lodhur edhe në fshatrat dhe në malet e Drenicës. Shkonte për t’i shëruar të sëmurët dhe të plagosurit shqiptarë nëpër fshatra, sepse ishte i vetëdijshëm që popullata nuk kishte mundësi lëvizjeje lirshëm nga patrollimet e vazhdueshme të forcave serbe nëpër terren. Kishte shkuar shumë herë edhe në Reti, ku ishte shtabi i UÇK-së, që t’i shëronte ushtarët tanë të plagosur, dhe të shumtën e rasteve shkonte natën.

I kishte thënë Dr. Fahredinit vazhdimisht i vëllai Mustafa, që të mos shkonte shpesh t’i vizitojë fshatrat, se i dhimbsej mos po i ndodh ndonjë e keqe e papritur. I kishte vërejtur ato ditë Mustafa edhe forcat serbe, që frekuentonin shpesh e me egërsi të dalluar nëpër Krushë të Madhe e rrethinë dhe sikur e prisnin momentin që ta burgosnin, ose edhe që ta likuidonin Dr. Fahredinin. Krahas kësaj kishte vërejtur edhe se kur ishte kthyer Dr. Fahredini në mbrëmje në shtëpi, ose kur kthehej pas dy ditëve e ndonjëherë edhe pas shumë ditëve, ishte dukur i rraskapitur e edhe shumë i dobësuar nga shëndeti.

-I di unë mirë punët e mia vëlla i dashur Mustafë- I kishte thënë të vëllait Dr. Fahredini!. Faleminderit për përkujdesjen tënde, por duhet ta dini se unë jam mjek dhe se duhet gjithësesi edhe që ta respektoj etikën e mjekut. Unë nuk mundem të rrij i qetë, kur e di se populli im i trazuar nga lufta e hapur serbe në Kosovë, rënkon për një përkujdesje mjekësore dhe për një trajtim të domosdoshëm mjeksor. Nuk mund të rrij pa i ndihmuar ushtarët tanë të plagosur dhe popullatën e zhvendosur, se ky është mbi të gjitha obligim i padiskutueshëm për mua si mjek me betim të dhënë. Është edhe dëshirë e imja më përkushtim, që të jem atje ku mund të jem e ku duhet të jem, në ndihmesë popullit tim. Unë do të jem, pra, gjithherë atje ku e di se ka njerëz të plagosur dhe të sëmurë të popullit tim, të cilëve iu duhet ndihma ime, ndihma e mjekut – Kishte thënë Dr. Fahredini.

 

Në vitin 1998 në ambulancën Dr. Fahredin Hotit në Kushë të Madhe

 ishin bërë mbi 800 lindje

 

Dr. Fahredin Hoti, si gjinekolog i përkushtuar që ishte, vërente me brengosje të madhe, se gjatë dhjetvjetshit të aparthedit serb në Kosovë, në spital dhe në ambulancat e Kosovës së pushtuar, shëndeti i nënës dhe i fëmijëve shqiptarë nuk trajtohej si duhet. Kishte edhe raste të shumta diskriminuese, e edhe raste që përfundonin qëllimshëm me vdekje të nënave e të fëmijëve shqiptarë dhe ngjarjet e tilla tragjike e trazonin skajshëm Dr. Fahredinin. Për ta zbutur sado pak përkujdesjen ndaj nënave-lehona shqiptare dhe ndaj foshnjeve të tyre Dr. Fahredini kishte vendosur që ta hapte ambulancën e vet në Krushe të Madhe, ku të gjitha përkujdesjet dhe lindjet ishin kryer me shpenzime minimale te tij, ose edhe krejt falas. Gjatë viteve të rënda të luftës së hapur në Kosovë, 1997-1998 dhe deri më 24 mars 1999, të gjitha lindjet e fëmijëve në atë ambulancë, si edhe të gjitha vizitat të tjera mjeksore ishin kryer falas dhe me përkujdesje të mëdha mjeksore e humanitare. Në ambulancën e vet në Krushë të Madhe Dr. Fahredini kishte bërë më se 800 lindje të grave të zhvendosura nga fshatrat Celinë, Nagavc, Randobravë, Rogovë, Hoqë e Vogël e Bellacerkë të komunës së Rahavecit, si edhe nga fshatrat e Malishëvës dhe nga vendet të tjera. Bashkëshortja e tij, Nexhmije Hoti kishte qenë gjithëherë pranë tij, si motër medicinale. Në raste urgjente kishin ndihmuar shumë edhe vëllezërit e Fahredinit me bashkëshortet e tyree dhe dy djemtë e Dr. Fahredinit, Besniku e Kreshniku. Gjithëherë kishin qenë të mobiolizuar si familje, që të ndihmojnë, se rastet për t’u shëruar në atë ambulancë, sidomos gjatë vitit 1998, kishin qenë të shumta dhe në gjendje tepër të rëndë.

 

Rrëfim marrë nga libri “Krimi dhe përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë

1997-1999”- Botim i vitit 2010 (465 f.) – Naxhije Doçi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat