"Çdo histori e Ballkanit fillon me Ilirët"

Dokumentare

"Çdo histori e Ballkanit fillon me Ilirët"

Më: 10 prill 2018 Në ora: 19:50
Skenderbeu

Ilirët kanë qenë ndër popujt më të mëdhenj në Evropë dhe kanë banuar në një territor që përfshin pjesën më të madhe Gadishullit Ballkanik. Në lindje ky territor kufizohej me lumenjtë Morava dhe Vardari si kufinj natyrorë, në perëndim me detin Adriatik, në veri shtrihej deri buzë të Alpeve, kurse në jug deri në brigjet e detit Jon.

Në këto territore jetuan një varg fisesh ilire të vogla e të mëdha, disa nga të cilat arritën edhe të organizohen në formë shtetërore. 

Vjetërsinë e Ilirëve në Ballkan, prej autorëve të vjetër qysh në shekullin 5 para Krishtit e dëshmon autori grek i kohës antike Herodoti. Një dëshmi tjetër për hapësirën gjeografike të banuar nga Ilirët paraqet edhe vepra e historianit grek Appianus në shekullin e 2 para Krishtit, që përputhet me dëshminë e Herodotit dhe me njohuritë historike mbi Ilirinë Romake.

Kontaktet e para iliro-romake hasen vetëm në gjysmën e dytë të shekullit të 3 para Krishtit, që shënon edhe fillimin e pushtimit të Gadushillit Ballkanik nga Perandoria Romake. Kjo dëshmohet me tri luftërat iliro-romake që fillojnë në vitin 229 para Krishtit dhe përfundojnë me pushtimin e pjesës perëndimore të Gadishullit në vitin 168 para Krishtit. Këto luftëra quan në shkatërrimin e mbretërisë ilire. 

Në fund të shekullit të 4 pas Krishtit, me ndarjen e Perandorisë Romake në dy pjesë, fiset ilire në pjesën jugore të Ballkanit mbetën nën pushtimin e Perandorisë Bizantine, që në Veri shtrihej deri në territorin e Malit të Zi të sotëm. Kjo del nga shkrimet e Isidorus Hispaniensis dhe Euagrus (shek. 5), që u referohen Ilirëve si banorë të Ballkanit.

Në gjysmën e dytë të shekullit të 6 dhe në shekullin e 7, dëshmitë e Papës Gregori ofrojnë dëshmi mbi dyndjen e slavëve dhe të avarëve në Ballkan. 

Fillimi i periudhës së Mesjetës shënon edhe fazën e "Kulturës së Komanit", që njëherit është edhe dëshmia më e mirë për vazhdimësinë Iliro-Shqiptare. Kjo kulturë përfshin në hapësirën e sotme të Dalmacisë, Maqedonisë, Epirit, Kosovës, Malit të Zi dhe të Shqipërisë. Kjo kulturë është vepër e popullit Arbër, që kishte arritur një shkallë të caktuar të organizimit shtetëror në kuadër të Perandorisë Bizantine në shek. 7 dhe 8 dhe bart gjurmë të situatës politike të kohës në këtë hapësirë. Njëra nga dëshmitë e kësaj kulture është Kruja e shekullit të 9, por edhe e Durrësi, Butrinti etj., që paraqet një vazhdimësi të Albanopolisit Ilirik, që është trashëgimi kulturore Arbëresho-Ilire. Vazhdimësinë Iliro-shqiptare e dëshmojnë edhe emrat toponomastikë dhe antroponomastikë, si të vendbanimeve po ashtu edhe të personave në këtë pjesë të Evropës.

Me ndërprerje të shkurta, prej shekullit 11 deri në shekullin 15 territoret shqiptare në veri dhe në verilindje të Ballkanit mbetën nën pushtimin e feudalëve serbë të Dioqezës së Zetës dhe Rashkës. Kulmin e lulëzimit të vet Perandoria serbe e Stefan Dushanit, arriti në periudhën 1333-1355, kur edhe kishte pushtuar pjesën më të madhe të Ballkanit. Kjo ishte koha kur populli shqiptar kishte krijuar fizionominë e tij kulturore dhe gjuhësore dhe njihej me emrat Arbëria-Albania, Albanum apo Arbanas.

Rezistenca shqiptare kundër sundimit serb të mesjetës kishte më shumë formën e lëvizjes heretike, e cila ishte përgjigje ndaj ndjekjes së "Heretikëve latinë" nga sunduesit serbë. Edhe pse në këtë periudhë shqiptarët ishin të dy riteve të krishtera, katolikë dhe ortodoksë. Mirëpo, identifikimi me kishën ortodokse serbe për shqiptarët me identitet të qartë kulturor dhe gjuhësor ishte jashtëzakonisht i vogël, prandaj edhe ndiqeshin si heretikë dhe shizmatikë.

Me Betejën e Maricës (1371) dhe të Kosovës (1389) fillon pushtimi Otoman i Ballkanit. Principatat shqiptare të krijuara pushojnë të ekzistojnë, kurse pushtimi definitiv i tokave shqiptare nga Perandoria Otomane përfundon me vdekjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, që shënon edhe përfundimin e rezistencës së të krishterëve në pjesën jugperëndimore të Ballkanit.

Për t'i ikur islamizimit, që pasoi vdekjen e Skënderbetu dhe vazhdon deri në shekullin 19, shumë shqiptarë u shpërngulën në Italinë Jugore, kryesisht në Kalabri. Kjo shënon diasporën më të vjetër, por edhe më të madhe e më të gjallë shqiptare deri në fund të shekullit 19.

Duke mos mohuar kryengritjet e ndryshme të armatosura dhe implikimet e tyre politike në trojet shqiptare, përveç islamizimit frontal të shqiptarëve, të cilët më parë pranonin të ndërronin fenë sese të identifikoheshin me Kishën Ortodokse Serbe, deri në gjysmën e parë të shekullit të 19, kjo është fazë e lindjes dhe zhvillimit të kulturës dhe shkrimit shqip.

Idetë Iluministe dhe të Renesancës, lindja e nocionit të shtetit Kombëtar dhe zhvillimi i jashtëzakonshëm industrial në shekullin e 18 dhe të 19, sollën në Ballkan frymën e kryengritjes kundër pushtimit otoman. Kryengritjet e njëpasnjëshme të popujve të Ballkanit, krijimi i shteteve dhe gjysmështeteve ballkanike, si dhe Kriza e Lindjes (1875-1878), sollën turbullirat nacionale në Ballkan. Lufta Ruso-Turke (1876-1878) dhe sidomos Kongresi i Berlinit (1878), sollën deri te krijimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881). 

Mosnjohja e shqiptarëve si komb më vete nga Fuqitë e Mëdha, copëtimi i territoreve etnike shqiptare, pushtimi serb i tokave shqiptare, djegia e mbi 600 vendbanimeve shqiptare dhe përzënia e rreth 100'000 shqitparëve nga krahinat e Nishit, Pirotit, Leskocit, Vranjës, Kurshumlisë dhe Prokuples (1877), ishin pasojat e Kongresit të Berlinit për shqiptarët. Me bekimin e tyre, trojet shqiptare u copëtuan midis fqinjëve: Serbisë, Bullgarisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit shënon edhe lindjen e idesë së shtetit kombëtar shqiptar në kuptimin e shtetit modern evropian. Kryengritjet e mëvonshme të armatosura shqiptare kundër Perandorisë Osmane dhe pushtuesve serbë, nuk pushuan. Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike, çoi në copëtimin definitiv të tokave shqiptare, që nuk kishin aleatë në mesin e Fuqive të Mëdha.

Më 28 Nëntor 1912, duke parë rrezikun e zhdukjes së qenies shqiptare dhe të tokave shqiptare në tërësi nga fqinjët pushtues, në Vlorë, Ismajl Qemajli me luftëtarët dhe parinë shqiptare të kohës, shpallin krijimin e Shtetit të parë Shqiptar, kufijtë e të cilit vendosen në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913). Mbi gjysma e territoreve etnike shqiptare dhe e popullit shqiptar mbeti jashtë kufijve politikë të shtetit amë. 

Lufta e Parë Botërore dhe Konferenca e Versajës, verifikoi edhe një herë më shumë këtë padrejtësi ndaj shqiptarëve të ndarë. Në tërë periudhën midis dy Luftërave Botërore (1919-1939) shqiptarët e mbetur jashtë shtetit amë përjetuan shpërngulje, përzënie, vrasje dhe tragjedi të panumërta nga në kuadër të Mbretërisë serbe e më vonë të SKS, që për synim të vetmin dhe filozofi politike shtetërore kishte zhdukjen e shqiptarëve si popull. Në anën tjetër, pas periudhës së kaosit politik, prej vitit 1924 deri në fillim të Luftës së II Botërore, Shqipëria u udhëhoq nga mbreti Ahmet Zogu, që çoi vendin në një varësi të plotë ekonomike dhe politike.

As Lufta e II Botërore nuk solli ndonjë përparim për shqiptarët. Derisa në gjyshmë shekullin e pasluftës Shqipëria u udhëhoq nga një dorë e hekurt diktatoriale, që çoi në prapambetje të shtetit dhe shoqërisë, Shqiptarët në ish-Jugosllavi përjetuan format më të egra të shtypjes dhe shfarosjes deri në gjenocid.

Kërkesat e Shqiptarëve në Jugosllavi më1968, 1981 për barazi dhe demokraci në kuadër të RSFJ u shtypën me gjak dhe me burgosjen e mijëra dhe shpërnguljen e disa qindra mijëra shqiptarëve nga trojet e tyre. Kjo dhe faktorë të tjerë politikë, ekonomikë dhe brutaliteti i shovinizmit serb ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë në ish-Jugosllavi, solli shpërbërjen e RSFJ, që sërish për shqiptarët nuk solli ndonjë përmirësim. Kjo ishte vetëm një ndarje e mëtutjeshme e trungut shqiptar në disa shtete të reja.

Dalja e UCK-së në skenën politike dhe Lufta e Kosovës 19981-1999, që rezultoi me përzënien e shtetit serb nga Kosova, shënon një etapë të re në historinë e popullit shqiptar dhe mundësi për zhvillime të reja në kuadër të ndryshimeve politike në Ballkan. Shpresojmë se proceset e reja do të sjellin edhe përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve të mbetur në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore.




Një artikull i marrë nga Studentët Shqiptarë në Cyri. 
 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat