Pashko Vasë Shkodrani

Dokumentare

Pashko Vasë Shkodrani

Më: 14 prill 2018 Në ora: 23:11
Pashko Vasë Shkodrani

Me përpilimin e programit politik, të cilin e miratuan delegatët e Kuvendit të Prizrenit dhe pastaj të mbarë Shqipërisë në Kuvendin e Dibrës Pashkoja formuloi Manifestin politik të Rilindjes për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Me botimin në disa gjuhë të veprës “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, ai shpalosi dhe i bëri të njohur opinionit publik evropian Manifestin ideologjik të asaj epoke të lavdishme.

Vasa konsekuent i veprës së vet, nga qershori e deri në fund të vitit 1878, do të vihet në ballë të LKSH për realizimin e ideve të tij të qarta atdhetare të mësipërme në Kuvendin historikr të Prizrenit dhe në Kuvendin e Parë të Dibrës, të kurorëzuara me hartimin e Manifestit të Rilindjes “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”. Vasa përmes pjesëmarrësve të Kuvendit Themelues të Lidhjes Shqiptare, në qershor të vitit 1878 ia bën të qartë Kongresit të Berlinit vendosmërinë e mbarë popullit shqiptar për mbrojtjen e tërësisë së trojeve amtare. Siç njofton historiani nga Kosova, Sylejman Kylçe, ata bashkërisht, myslimanë dhe të krishterë, shpallnin se “të gjithë shqiptarët ishin të vendosur të përballonin çdo vendim negativ që do të delte nga ai forum dhe çdo sulm, që do të vinte nga fqinjët”. Në vijim kuvendarët deklaronin në mënyrë lapidare: “Qoftë i mallkuar kush ndjek interesat egoiste në këtë kohë kur atdheu na thërret në shërbim të tij. Ne në Lidhjen tonë vendosëm që para së gjithash të provojmë që, pa diskutuar për fenë, jemi shqiptarë”. Që kjo nuk qe një deklaratë e thjeshtë propagandistike do ta provojë gjithë veprimtaria afër katërvjeçare e Lidhjes. Ky dokument hedh poshtë zërat e përhapur me dashakeqësi rreth krijimit të një lidhjeje islamike, në thelb antikombëtare. Pohimet e pabaza për një lidhje islamike, turkomane, sulltaniste vegjetojnë deri më sot.

VILAJETET E BASHKUARA
Delegatët që arritën të merrnin pjesë në Kuvend, përfshijë dhe ata të vilajetit të Shkodrës, myslimanë dhe katolikë, që erdhën disa ditë me vonesë në Prizren, e pajisën Lidhjen Shqiptare që në fillimet e saj me programin kombëtar. Niveli i tij autonomist u diktua nga politika berlineze e Fuqive europiane të kohës për ruajtjen e statuskuo-së së Perandorisë Osmane. Përballë këtij qëndrimi diplomati Pashko Vasa Programin për autonomi e parashtron me kërkesën e krijimit të “vilajeteve të bashkuara”. Se çfarë kuptohej me termin “vilajete të bashkuara”, P. Vasa në krye të një grupi personalitetesh që jetonin në Stamboll shpejton t’ia bëjë të qartë pas pesë ditësh në Përkujtesën drejtuar vetëm Bismarkut, Andrashit dhe Vadingtonit: “Por në qoftë se si pasojë e traktatit të Shën Stefanit mënyra e administrimit të brendshëm do të pësonte ndryshime, në këtë rast populli shqiptar kërkon që pa cenuar të drejtat e paprekshme të madhërisë së tij sulltanit, të formohet një komision ad hoc (për këtë qëllim) i përbërë nga shqiptarë dhe nën mbikëqyrjen e lartë e me pëlqimin e Portës së Lartë, të ketë mundësinë të studiojë formën dhe të hartojë rregulloret e institucioneve të reja lokale, duke ua përshtatur karakterit, zakoneve dhe nevojave të vendit”. Së fundi, në emër të popullit shqiptar ata protestojnë “përpara Evropës kundër aneksimit qoftë edhe të pjesës më të vogël të territorit të vet”.
Dokumentet historike të miratuara nga Kuvendi i Prizrenit sëbashku me urdhëresat e Kararnamesë janë hartuar dhe miratuar jo vetëm me praninë por dhe nën drejtimin e këshilltarit të valiut të Kosovës, Pashko Vasë Shkodranit. Përbërja e Kuvendit të bind se ato janë formuluar prej tij. Procesi i bashkimit efektiv të të gjithë shqiptarëve rreth programit të Lidhjes së Prizrenit nuk ka zgjatur siç thuhet deri në korrik, por deri në mbarim të muajit tetor të vitit 1878, me Kuvendin e Parë të Dibrës. Ky tubim mund të quhet Kuvendi i Përbashkimit të plotë të të gjithë shqiptarëve rreth programit kombëtar të Lidhjes,miratuar më 15 qershor 1878. Programin e ri të Lidhjes Shqiptare para shtypit të huaj, e parashtroi, Pashko Vasë Shkodrani në Stamboll. Ekspozeja e tij pati jehonë të veçantë, me sa dihet deri më tani, në Beograd dhe në Peterburg. Kërkesat e Lidhjes së Prizrenit për krijimin, e Vilajetit të Shqipërisë u bënë të njohura, sipas S. Frashërit, së pari, në gazetën “Istambul”. Në to jepen të plotësuara pesë pikat e programit të miratuar që në Kuvendin e Prizrenit tashmë në shtatë pika. Sipas ideatorit dhe organizatorit të Kuvendit të Prizrenit dhe hartuesit kryesor të akteve të Kuvendit Themelues të Lidhjes, P.Vasës, detyrë imediate e organizatës kombëtare mbarëshqiptare edhe tani mbetej lufta kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit për copëtimin e trojeve shqiptare, në mbrojtje të çdo pëllëmbe toke shqiptare. Pashko Vasa, sqaronte se Vilajeti i Shqipërisë do të ishte një provincë autonome e vetme me gjuhë zyrtare shqipen, me milici popullore të veçuar, do të administrohej nga përfaqësuesit e popullsisë vendase. Pashkoja parashikonte që ajo do të qeverisej nga një regjim demokratik për kohën, i cili do t’u garantonte banorëve të drejta të barabarta pa dallim besimi dhe pozite shoqërore.

PROGRAMI I RI POLITIK
Sipas shtypit rus, Pashko Vasa, ende këshilltar i valiut të Kosovës, paralajmëronte me shumë kurajo Portën e Lartë, që sulltani duhej ta aprovonte “programin e ri politik, që shprehte kërkesat e shqiptarëve, në qoftë se nuk dëshiron kundërshtimin e armatosur të popullsisë së Shqipërisë”. Mbi bazën e kësaj platforme të qartë Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes ftoi degët e Lidhjes së Prizrenit, sidomos ato të Jugut, përfaqësuesit e të cilit nuk patën arritur të merrnin pjesë në Kuvendin themelues të saj, që ta miratonin atë. Fjala ishte së parit për përfaqësuesit e vilajetit të Janinës që nuk kishin arritur të merrnin pjesë në Kuvendin e Prizrenit. Në pritje të delegatëve që priteshin të vinin nga krahinat e Jugut programi autonomist i Lidhjes për krijimin e vilajetit të Shqipërisë u miratua fillimisht në degën e saj për Dibrën, më 14 tetor 1878. Në të morën pjesë përfaqësuesit e Dibrës, të qytetit, të Malësisë dhe të Fushës së Dibrës. Në dokumentin programatik të Kuvendit të Dibrës, pasi protestohej kundër copëtimit të trojeve shqiptare nga Kongresi i Berlinit, flitej për rrezikun e asgjësimit të Shqipërisë nga shtetet fqinje. Për t’u bërë ballë këtyre rreziqeve dhe për të siguruar të ardhmen e atdheut shtrohej si “kusht i domosdoshëm të kryhen një orë e më parë në sanxhakët e Shkodrës, Novi Pazarit, Prishtinës, Prizrenit, Shkupit, Manastirit, Dibrës, Beratit, Gjirokastrës, Prevezës dhe Janinës, të njohura me emrin Shqipëri, reformat e poshtëshënuara:
“E para: të gjitha viset e lartpërmendura të përmblidhen në një vilajet dhe të caktohet si qendër një qytet, i cili të jetë afër dhe në lidhje me çdo anë të tij; E dyta: të gjithë nëpunësit që do të shërbejnë në Shqipëri duhet të dinë gjuhën e vendit; E treta: të përhapet arsimi dhe në shkolla, kuptohet shtetërore, ku të mësohet edhe gjuha shqipe; E katërta: të zbatohen vendimet që do të merren për shtetin dhe për kombin nga ana e kuvendit të përgjithshëm, i cili do të mblidhet katër muaj në vit në qendrën e vilajetit; E pesta të ndahet një sasi e mjaftueshme nga të ardhurat e përgjithshme të vilajetit për t’u shpenzuar për përparimin e arsimit si dhe për ndërtime publike. Në këtë pikë flitet për gjuhën e vendit, dhe jo shprehimisht për gjuhën shqipe, duke pasur parasysh që në këto sanxhaqe përfshiheshin dhe pakica jo shqiptare, të cilave Lidhja nuk ua mohonte përkatësinë e tyre etnike dhe të drejtat e kulturore. Në fakt të drejtat e tyre kulturore qenë sanksionuar prej kohësh në kuadër të sistemit të mileteve. Këtu jepet koncepti realist i udhëheqësve të Lidhjes për territoret shqiptare në rrang sanxhaku qe i afrohej më tepër shtrirjes reale të tyre i parashtruar që më parë nga Pashkoja. Në këtë pike, siç shihet,  flitet për gjuhën e vendit, dhe jo shprehimisht për gjuhën shqipe, duke pasur parasysh që në këto sanxhaqe përfshiheshin dhe pakica jo shqiptare, të cilave Lidhja nuk ua mohonte përkatësinë e tyre etnike dhe të drejtat e kulturore. Në fakt të drejtat e tyre kulturore qenë sanksionuar prej kohësh në kuadër të sistemit të mileteve. Kuvendi vendosi “Me qëllim që këto pesë kërkesa, të cilat sigurojnë të ardhmen, përparimin dhe lumturinë tonë materiale dhe shpirtërore, t’ia paraqesin  qeverisë duke i kërkuar lejen e lartë për vënien e tyre në jetë.” Parashikohej që të caktoheshin përfaqësuesit që do të ngarkoheshin me këtë detyrë. Fillimisht u trguan shumë vetë të gatshëm ta merrnin për sipër këtë barrë për t’ia paraqitur kërkesat Portës së Lartë në Stamboll arriti vetëm djali i Iljaz pashës.

TË BASHKUAR ME NJË ZË
Udhëheqja e LKSH, në radhë të parë Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit, qenë të informuar për punimet e Komisionit special të krijuar nga sulltani për diskutimin e gjendjes revolucionare të krijuar në Shqipëri si dhe të rrugëve për përballimin e saj. Të gjitha përpjekjet e mësipërme të rretheve në jug të vendit synonin t’i bënin të qartë Stambollit, se thelbi i kërkesave të shqiptarëve të parashtruar në Prizren dhe tani në Dibër nuk ishte një bashkim mekanik i vilajeteve shqiptare, siç po e trajtonte problemin komisioni në fjalë. Projektet e Lidhjes Shqiptare, duke filluar nga “Vilajetet e bashkuara” nuk kishin asgjë të përbashkët me propozimet që paraqiteshin në Komisionin sulltanor për vendosjen e “Vilajetit të Shqipërisë” nën një administratë represive të centralizuar, policore dhe ushtarake në Shqipëri. Ishte përforcuar bindja, se duhej një veprim i përbashkët, i bashkërenduar në shkallë kombëtare në mbështetje të kërkesës për autonominë e vilajetit të Shqipërisë. Këtë detyrë e realizoi, më 1 nëntor 1878, Kuvendi i ri po në Dibër i kryesuar, sikurse pranon dhe Xhafer Belegu, nga Iljaz pasha. Kërkesat e miratuara në Dibër me 14 tetor 1878 i nënshkroi, më 1 nëntor 1878, edhe Abdyl Frashëri së bashku me përfaqësues të tjerë të Lidhjes për Toskërinë. Rezoluta gjithëpërfshirëse e Kuvendit të Dibrës përmbante po ato kërkesa, të cilat ishin miratuar në rezolutën e Degës së Lidhjes Shqiptare për Dibrën të 14 tetorit 1878, të parashtruara më pare opinionit publik në Stamboll nga Pashko Vasa.


Në fund të rezolutës tani shprehej vendosmëria dhe gatishmëria se Shqipëria, duke qenë “e lidhur dhe e bashkuar si një trup i vetëm”: “Derisa të arrihet plotësimi dhe realizimi i këtyre kërkesave, të cilat janë në interes të kombit dhe të shtetit, të gjitha krahinat e Shqipërisë do të qëndrojnë në një fjalë dhe kompakt, të bashkuar me një zë dhe për këtë qëllim nuk do të lënë pa përdorur çdo mjet që kanë”. Pas shprehjes së këtij qëndrimi të vendosur, delegatët e Kuvendit kombëtar të Dibrës paralajmëronin: “Çdo njeri që do të dalë kundër këtyre kërkesave nuk do të konsiderohet shqiptar, por para të gjithëve njëherit do të llogaritet si armik i atdheut dhe i popullit tonë.” Ky formulim të çon në përfundime me shumë interes. Pikësëpari, udhëheqja e Lidhjes kundërshtarët e programit autonomist të saj nuk do t’i konsideronte shqiptar, por armiq të “atdheut e të popullit tonë”. Në këtë formulim duket qartë, se delegatët e Kuvendit të Dibrës nuk kishin parasysh atdheun “osman” dhe “miletin islam”, por vetëm popullin shqiptar, pa dallim besimi, dhe atdheun e tij, Shqipërinë, për të cilin bëhej fjalë në kërkesat e parashtruara. Vetemërtimi etnik shqiptar ishte shndërruar në një shprehje të qartë të vetëdijes kombëtare të përhapur tashmë gjerësisht dhe thellë jo vetëm në udhëheqjen e Lidhjes, por dhe më gjerë. Këtë vetëdije të përpunuar idoelogjikisht dhe politikisht së parit nga Pashko Vasa, të shpallur botërisht në Kuvendin e Prizrenit më 15 qershor 1878, tani, në Kuvendin e Dibrës drejtuesit e Lidhjes e ngrenë në normë jo vetëm morale për gjykimin e qëndrimit patriotik të veprimtarëve të saj ndaj Programit kombëtar të organizatës mbarëshqiptare. Ajo tani kishte një forcë të tillë sa ata ishin të bindur se mund ta shndërronin në normë penale në rast moszbatimi të saj, të sigurt se krerët shqiptarë të kohës i trembeshin, tashmë, paralajmërimit që bëhej në vendimin e Kuvendit të Dibrës. Në zbatim të vendimit të miratuar, më 1 nëntor 1878, që mbarë Shqipëria të mbështeste vendimin e Lidhjes iu dërguan sërishmi Stambollit, kërkesa për bashkimin e 11 sanxhaqeve shqiptare në një vilajet të vetëm. Interes të veçantë paraqet, kërkesa e dërguar sërishmi pas një jave po nga Dibra të cilën përveç përfaqësuesve të shumtë nga paria myslimane e Dibrës, kësaj radhe e nënshkruajnë dhe përfaqësues të parisë së krishterë si Naum Adhami, Naum Budhi dhe Borovani.

PËR BASHKIMIN E TROJEVE SHQIPTARE
Mbarë Toskëria, në saj të veprimit konsekuent dhe energjik të Abdyl Frashërit, u përfaqësua në Kuvend në mbështetje të programit autonomist të Lidhjes. Dibra, nga ana e saj, i shërbeu bashkimit efektiv të të gjithë shqiptarëve rreth programit autonomist të Lidhjes jo vetëm me pozicionin e saj gjeografik por dhe me atdhetarizmin e banorëve të saj dhe me autoritetin e Iljaz pashës. Këtë e pranonin jo vetëm Abdyli por dhe M.Vlora dhe A.Dino, të cilët siç i shkruante Abdyl beu kryetarit të Lidhjes, “si dhe paria e tërë Gegërisë, janë gëzuar jashtëzakonisht me sukseset Tuaja të jashtëzakonshme që keni treguar për të mirën e atdheut”. Abdyl Frashëri, nga ana e tij, nuk e ka pasur të lehtë të sjellë në Dibër përfaqësinë e Toskërisë në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare. Në veri të Shkumbinit, deri në Elbasan, veprimtaria e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes së Prizrenit mbështetej në strukturat vendore të konsoliduara tashmë. Ndërsa në jug, në Berat, në Fier, në Vlorë, në Gjirokastër, në Delvinë e në Çamëri nga Filati deri në Prevezë, dhe në vilajetin e Janinës përfshijë dhe qendrën e tij, Abdyl Frashëri, siç i raportonte Iljaz pashës, takoi përfaqësues të parisë vendase. Ai nuk bën fjalë për struktura vendore të Lidhjes. Ato, edhe aty ku qenë ngritur, nuk ishin konsoliduar ende. Veprimtaria e tyre, siç rezulton, neutralizohej, nën trysninë e elementëve osmanë, të agjenturës greke dhe të organeve kishtare si dhe nga rivalitetet e krerëve. Me shumë interes për vlerësimin e Kuvendit të Dibrës paraqitet qëndrimi i valiut të Kosovës ndaj vendimit të tij për formimin e vilajetit shqiptar, sipas të cilit trojet tona do të mblidheshin nën një administratë të vetme. Relacioni i tij dërguar Portës së Lartë, më 14 nëntor 1878, mbështetet në informata të sakta rreth punimeve të Kuvendit të Dibrës dhe vendimit të marrë. Menjëherë valiu shpreh rezervat e tij rreth qëllimit të pjesëtarëve të tij, sepse vetëm në pamje të parë dukej sikur niseshin, sipas tij, nga qëllime të mira. Pavarësisht justifikimeve të pabaza që përdor valiu i Manastirit e shpreh qartë shqetësimin e vërtetë të tij rreth pasojave që do të kishin këto “farë ngatërresash” në Shqipëri: Brenda disa vjetësh “këto krahina të na dilnin nga duart. Mendoj se kjo është një gjë aq e qartë dhe e dukshme sa askush nuk do të mund ta mohojë”.
Në kushtet e krijuara, vilajeti i Shqipërisë duhej t’u ngarkohej, sipas valiut të Manastirit, njerëzve të besueshëm me përvojë në çështjet politike dhe civile, të aftë për të përballuar kërkesat e tepruara autonomiste të shqiptarëve. Për momentin kundërshtimi i të gjitha kërkesave të tyre do të ishte i rrezikshëm, prandaj ai këshillonte që gjendja në këtë vend të shqyrtohej në mënyrë të gjithanshme e të hollësishme nga ana e Portës së Lartë. Që këtej ai arrin në përfundimin, që “Shqipëria të futet nën një administrim ushtarak, i cili do të ishte në dobi të Perandorisë”. Me ralacionin e tij valiu i Kosovës shprehte seriozitetin dhe forcën e lëvizjes të udhëhequr nga Lidhja, duke përforcuar mendimet tejet negative dhe jo realiste që mbizotëronin në komisionin special të krijuar nga Porta e Lartë për të diskutuar kërkesat e shqiptarëve për autonomi. Kërkesat e Lidhjes Shqiptare që nga Kuvendi i Prizrenit i 15 qershorit 1878 dhe deri te ai i Dibrës 1878, në të cilin u përfaqësua edhe Toskëria, për bashkimin e trojeve shqiptare në vilajetin e Shqipërisë, i kishin diktuar këtij komisioni të merrte në shqyrtim dhe këto kërkesa të shqiptarëve. Sa parashtruam më sipër përligj aksionin e Pashko Vasës, Iljaz Dibrës, Ali Gucisë në bashkëpunim të ngushtë me Abdyl Frashërin për riformulimin e programit autonomist të 15 qershorit të finalizuar organizativisht plotësisht në shkallë kombëtare me Kuvendin e Dibrës. Nuk ka dyshim që ishte atdhetari i madh shkodran Pashko Vasa me Ali pashë Gucinë dhe Iljaz pashë Dibrën (Qoku) në krah, të cilët në këto ditë, ashtu sikurse në Kuvendin Themelues të Lidhjes më 15-16 qershor 1878, të cilët luajtën një rol shumë të rëndësishëm për parashtrimin e miratimin e programit të Lidhjes Shqiptare në shkallë kombëtare. Me ta u bashkua me vendosmëri dhe energjikisht Abdyl Frashëri në emër të Lidhjes për Toskërinë, duke realizuar jo pa vështirësi bashkimin e viseve jugore me këtë program. Programi kombëtar i Lidhjes qe vepër e përfaqësuesve më të shquar të popullit shqiptar nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit përmes degëve të saj jo vetëm në Veri por dhe në Toskëri, përfshijë dhe atdhetarët e Stambollit. Roli nismëtar dhe vendimtar i Pashko Vasës në gjithë këtë aksion mbetet i padyshimtë. Kontributi i Abdylit në jug të vendit dhe sidomos në Dibër ka qenë shumë i madh, prandaj nuk ka pse ai të reduktohet në atë të sekretarit teknik të tij. Si argument për të përforcuar pretendimin, se ai ka qenë hartuesi i tij arrihet deri atje sat ë pranohet se atë  e paska shkruar me dorën e vet A. Frashëri. Këtë detyrë mund ta kryente si zakonisht sekretari i Kuvendit, njohës i gjuhës turke, praktikant i kualifikuar i kaligrafisë osmane.

PËRKUJTESA
Ato ditë, të muajve qershor-nëntor, shqiptarët arritën një nga marrëveshjet më madhore, historike mes vetes, me njeri tjetrin. Për të mbërritur deri aty ata kapërcyen politikisht pasojat e prapambetjes ekonomike të shkaktuar nga sundimi i gjatë osman; kapërcyen përçarjen krahinore dhe veçanërisht pasojat e dasive fetare. Elementet më të përparuar nga paria çifligare e bajraktare u ngritën mbi separatizmat e tyre karakteristike krahinore. Në ato ditë të qershorit të vitit 1878, ishte po Pashko Vasa, personaliteti që ua bëri të qartë diplomatëve të Europës në Stamboll dhe në Rumeli, se Lidhja e udhëhequr efektivisht nga Iljaz pasha po fliste me forcë me gjuhën e aspiratave europianiste. Pashko Vasa, Iljaz pashë Dibra, Abdyl bej Frashëri, Ali pashë Gucia, Daut efendi Boriçi, Hodo pashë Sokoli e dhjetëra të tjerë përkrah tyre në ballë të Lidhjes dhe të degëve e të forcave luftarake të saj dhe më së fundi dhe të organeve të qeverisë së Lidhjes, të kryesuar nga Omer efendi Prizreni, vunë gurin e qoshes në themelet e Pavarësisë shqiptare. Pashko Vasa i dha Lidhjes së Prizrenit, që në ditët e para të themelimit të saj, karakter kombëtar dhe kuptim evropian. Shfletimi i dokumenteve programore të Lidhjes Shqiptare, të miratuara dhe të shpallura në dhjetëditëshin e dytë të muajit qershor të vitit të vrullshëm 1878, në Prizren dhe në Dibër më 14 tetor dëshmojnë qartë, se “ideali i ri”, për të cilin do të bëjnë fjalë më vonë Mid’hati dhe Mehdiu, qe shpalosur që më 15 qershor të atij viti. Në saje të veprimtarisë energjike të Abdylit, ai u miratua njëzëri edhe nga përfaqësues të Shqipërisë jugore po në Dibër më 1 nëntor 1878 nën kryesinë e Iljaz pashë Dibrës. Omer efendi Prizreni dhe Abdyl bej Frashëri u vunë në ballë të luftës së Lidhjes për realizimin e programit të saj dhe të luftës për mbrojtjen e Lidhjes Shqiptare. Pashko Vasa harton me kërkesën e ambasadorit të Austro-Hungarisë në Stamboll një Përkujtesë tjetër që mban datën 22 tetor 1878. Konti Ziki, ashtu sikurse A. Layard gjashtë muaj më parë, e vlerësonte shumë lart, duke e veçuar nga gjithë të tjerët, autorin e saj: “Ndër personalitetet me të cilët unë bisedoj më shpesh se me të gjithë të tjerët çështjet shqiptare është Vasa efendiu, që sipas mendimit tim, është më i rëndësishmi”. Atë ditë Pashkoja qe emëruar zëvendësvali i Edrenesë. Pra, deri në fund të tetorit të atij viti dhe më pas, kur do të mblidhej Kuvendi i parë i Dibrës, ai qe me detyrë në Kosovë. Vepra kryesore e Pashko Vasës në mesin e një radhë veprash shkencore e letrare mbetet “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”. Në të shtrohen dhe argumentohen gjerësisht ide dhe probleme kardinale të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të pangritura dhe të patrajtuara më parë në këtë nivel. Me të autori çon shumë më përpara dhe më lart në rrafsh kombëtar idetë iluministe dhe ato ekonomiko-politike të Naum Veqilharxhit, të Konstantin Kristoforidhit dhe të Zef Jubanit me të tjerë. Në këtë vepër madhore në rolin e nismëtarit ai formulon dhe argumenton gjerësisht kërkesën për autonominë, jo vetëm administrative por dhe politike të Shqipërisë. Kjo vepër e përfunduar në vitin 1878, dhe që pau dritën e botimit në fillim të vitit pasardhës jo vetëm në frëngjisht, por dhe në disa gjuhë të tjera, përbën një kapitull të veçantë të krijimtarisë shkencore të Rilindësit tonë të madh. Me të gjithë veprimtarinë tij shumëplanëshe Pashko Vasa, tashmë 53-vjeçar, i vuri themele solide një literature të tërë jo vetëm artistike por dhe ideo-politike të Rilindjes sonë Kombëtare. E mbështetur fuqimisht në përvojën e shkëlqyer të Lidhjes së Prizrenit mendimi politik i Rilindjes u ngrit pas 20 vjetësh në shkallë të reja dhe më të larta me konsolidimin e Rilindjes nga Sami Frashëri me veprën “Shqipëria çka, qenë ç’është dhe çdo të bëhetë?” Referimi te kjo vepër si “Manifesti programatik i Rilindjes” nuk i bën nder Samiut të madh dhe zhvlerëson periudhën ndër më të ndritshme të kësaj epoke, duke e nxjerrë të vonuar vetë Rilindjen tonë për afro një çerek shekulli. Prof. Dr. Zekeria Cana, duke iu përmbajtur tezës së kahershme të parapëlqyer edhe prej tij, se Jugu i Shqipërisë paska luftuar për çështjen kombëtare vetëm me mend dhe Veriu vetëm me pushkë, shkon më tej dhe konkludon: “Avantazhi i Jugut qëndronte në krijimin mendimit politik kombëtar dhe në ngritjen e platformës politike të programit të Rilindjes Kombëtare.”

MANIFESTI POLITIK I RILINDJES
Me përpilimin e programit politik, të cilin e miratuan delegatët e Kuvendit të Prizrenit dhe pastaj të mbarë Shqipërisë në Kuvendin e Dibrës Pashkoja formuloi Manifestin politik të Rilindjes për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Me botimin në disa gjuhë të veprës “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, ai shpalosi dhe i bëri të njohur opinionit publik evropian Manifestin ideologjik të asaj epoke të lavdishme. Ndërsa, më 1880, me qarkullimin në fletë të poezisë kushtrim “O moj Shqipni!”, kompozuar nga prifti arbëresh Xhovani Kanale dhe u ekzekutua nën drejtimin e tij nga orkestra frymore e kishës katedrale të Shkodrës. Pashko Vasë Shkodrani shpalosi edhe manifestin letrar e artistik të Rilindjes. Ajo nën titullin “Bashkimi i Shqipnisë” u shndërrua në Himnin e Lidhjes dhe përfaqëson himnin e parë kombëtar të mbarë shqiptarëve. Atë e kënduan vullnetarët që u nisën nga Shkodra, myslimanë dhe katolikë, pa fare kompleksi: “Çonju shqiptarë prej gjumit çonju! Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit asht shqiptaria!” Idealet e Rilindjes sonë Kombëtare u shpalosen në të tre rrafshet politik, ideologjik e letraroartistik nga një personalitet i vetëm kolos si Pashko Vasë Shkodrani. Më 1883 Pashko Vasa, funksionar osman katolik i emëruar, që më parë, me vlerësime të larta, fillon detyrën si vali i Libanit. Ky emërim ishte i përligjur përsa i takon aftësive të shqiptarit. Emërimi i tij fillimisht në Edrene lag trojeve shqiptare ku Lidhja e Prizrenit e themeluar prej tij dhe bashkëpunëtorëve nga mbarë Shqipëria, pas botimit të Traktatit “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” dhe pas qarkullimit të poezisë kushtrim “O moj Shqipni!”, marshit historik “Bashkimi i Shqipnisë, kjo masë u quajt e pamjaftueshme nga Porta e Lartë. Atë e dërguam me me ngritje me gradën pasha në Liban. Në këtë mënyrë u larguan dhe mjaft krerë të tjerë të Lidhjes së Prizrenit që nga Abdyl Frashëri, Hodo Sokoli e sat ë tjerë nga Dervish pasha, i mirënjohur për egërsinë me të cilën ai e shtypi Lidhjen e Prizrenit. Në Liban ai u nda nga jeta para 125 vjetësh, më 29 qershor 1892. Në varrim mori pjesë edhe valiu i pjesës tjetër të Libanit, Ismail Qemali. Na lejohet të hamendësojmë vlonjati u largua prej varrit të Vaso Pashë Shkodranit me vendimin për t’u angazhuar tërësisht në misionin e tij atdhetar. Ideologu i mbarë Rilindjes kërkesën e autonomisë së Shqipërisë e parashtroi në një perspektivë të qartë në kuadër të synimit themelor të saj, arritjes së Pavarësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat