Fasoneria helmuese, punonjëset: Në fabrikë mungon ajrimi

Durrësi

Fasoneria helmuese, punonjëset: Në fabrikë mungon ajrimi

Më: 28 maj 2018 Në ora: 20:21
Urgjenca e Spitalit të Durrësit

Marjana është një nga 24 punonjëset e rrobaqepësisë që përfunduan të helmuara në Urgjencën e Spitalit të Durrësit të shtunën e kaluar.

Ndodhet ende në spital, së bashku me 5 gra e vajza të tjera në pritje për të mësuar shkakun e gjendjes së rënduar shëndetësore që i goditi njëherësh.

“Qëkur hyra nuk ndjehesha mirë. Më mbylleshin sytë, por e shtyva që të merrja ditën e punës, derisa më ra të fikët. Kam hapur sytë në spital dhe pashë të gjithë këtu”, thotë Marjana.

Ventilatorët dhe kondicionerët që ndizen herë pas here nuk i mundin temperaturat e larta në një kapanon ku punojnë 150 veta, kryesisht gra e vajza, të cilat ndodhen edhe nën presionin e realizimit të normës së prodhimit, pa lënë pas cilësinë e tij, në të kundërt u cenohet pagesa dhe vazhdimësia e vendit të punës.

E ndërsa norma rritet nga muaji në muaj për të njëjtën dite pune, me rritjen e temperaturave plotësimi i saj në kushte aspak të mira pune bëhet i vështirë.

“Nuk flas dot për kimikatet, por na ra menjëherë. Dritaret janë shumë lartë, por nuk ka ajrosje. Janë ca kondicionerë që herë i fikin dhe herë i ndezin”, tregojnë ato.

Punonjëset e helmuara pohojnë se askush nga drejtuesit e subjektit ku janë të punësuara, filial i një kompanie të huaj, nuk ka ardhur t’i vizitojë në spital. Kjo indiferencë i ka bërë që të ndjehen edhe më keq.

“Asnjë nuk ka ardhur, ka ardhur vetëm përgjegjësja por të tjerët nuk ka ardhur asnjë. Jemi shtruar më shumë se 20 vetë dhe të paktën duhet të vinte një drejtues që të shihte sesi janë punëtorët”, thotë Marjana.

Ndonëse ka një ligj për sigurinë e shëndetit në punë, këshillat e sigurisë, që duhet të funksionojnë pranë çdo subjekti punëdhënës nuk janë efikase.

Edhe në rastin e rrobaqepsisë së Shkozetit, punonjëset nuk ndjehen të mbrojtura nga përfaqësuesi i tyre në sindikatën që mbron të drejtat e punonjeseve të industrisë fasone. Të punësuarat në të ndjehen të pambrojtura dhe në rrezik për të humbur vendin e punës, të vetmin burim të ardhurash që kanë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat